Më shumë hapje dhe largpamësi për dialogun e vërtetë

Apr 5, 2016 | 12:45
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Shqipëria e njëzet e pesë viteve të fundit i dedikon mungesës së dialogut normal frakturat kryesore të demokracisë së saj. Edhe kur janë ulur e janë marrë vesh për ndonjë gjë, rëndom krerët politikë këtu janë ulur ose kur kanë parë humnerën te këmbët, siç ka ndodhur në vitin 1997, ose kur u ka leverdisur për interesat e pushtetit të tyre, siç ka ndodhur në vitin 2008. Konfliktualiteti si sëmundje endemike e politikës shqiptare ka bërë dëme sa nuk thuhen.

Por edhe paqja ka bërë dëmet e saj, më të vogla sigurisht, kur ia ka behur më të rrallë. Aq sa jo më kot ka dalë shprehja “politikanët shqiptarë e bëjnë keq edhe luftën, edhe paqen”. Kjo është historia jonë. Shpjegimi i këtij handikapi ka shumë arsye, që nuk është vendi të trajtohen. Sa për të adresuar interesin e atyre që do të donin të thelloheshin në këtë temë, do t’u kujtoja se shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare ka shkruar një ese të plotë me titullin “Mosmarrëveshja” pikërisht për vështirësitë që kemi si racë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin.

Unë dua të përmend këtu shkurtimisht vetëm një arsye që duket më shumë aktuale, se ato të rrafshit historik që ka marrë në shqyrtim Kadareja. Kjo arsye është ngjashmëria e politikanëve të kampeve kundërshtare me njëri-tjetrin. Janë të vetëdijshëm se nuk kanë dallime të vërteta ideore, botëkuptimore, doktrinore apo programore. Kjo vetëdije i largon nga dialogu me kundërshtarin, që është shfaqja më e lartë e identitetit dhe vetëbesimit politik. Dialogu i dekonspiron si të njëjtë, konflikti për pushtetin i maskon si të ndryshëm.

Ata e simulojnë pluralizmin, nuk e kanë të brendshëm. Në këtë simulim lëshon rrënjë dhe ushqehet konfliktualiteti i kërkuar shkatërrues. Kurse politikanët që i kanë të vërteta dallimet, ulen pa frikë, me bindjen se këto dallime nuk zhduken, përkundrazi dalin më mirë në pah duke komunikuar me palën kundërshtare. Të fortët dhe të aftët bisedojnë, thoshte Kisinger. Ky është me pak fjalë konteksti i përgjithshëm i nxitjes së një kulture të re të dialogut në Shqipëri.

Me dëshirën që të bëhet një konstante e bashkëjetesës politike në vend e jo siç na e kanë bërë gjithë këto vite, sikur po takohen palë ndërluftuese që kanë humbur mijëra trupa në luftë me njëra-tjetrën. Por ç’shije e keqe dhe çfarë zhgënjimi për ithtarët e dialogut, kur shohin Edi Ramën si e shpërdoron edhe kur kërkon ta përqafojë.

Në ftesën e tij për shefin e opozitës, Lulzim Basha manifeston në çdo detaj -nuk ka rëndësi me dashje apo pa dashje- merakun e provokimit të një përgjigjeje negative me qëllim që ftesa të regjistrohet si akt, por dialogu të mos bëhet. Të lemë mënjanë mungesën e mirësjelljes apo kompleksin sikur po bën një gabim ideologjik kur i drejtohet shefit të opozitës me “zoti Basha”. Jo sikur po i drejton një ftesë për dialog, por një qortim të sertë prej sektaristi.

Të lëmë mënjanë edhe hollësinë tjetër që më parë e publikon ftesën se sa e poston për marrësin. Zoti Rama na ka mësuar t’ia faturojmë ekstravagancës së tij këto shkelje etike dhe protokollare. Por çudia është në thelbin e ftesës. Kryeministri e fton shefin e opozitës të takohen dhe t’i japin së bashku një përmasë të re civile mosdakordësisë. Pra të japin së bashku një shfaqje të mosdakordësisë, duke shtrënguar duart para kamerave dhe bliceve.

Ekstravaganca e politikanit atipik nuk na ndihmon kësaj radhe për të justifikuar çoroditjen e ftuesit. Jo se palët nuk duhet të takohen, kur gjasat për t’u marrë vesh janë minimale apo edhe zero. Por në rastin konkret, dialogu politik për Reformën në Drejtësi ka nisur të nesërmen e përfundimit të vizitës së Bashës në Uashington.

Palët kanë evaduar në tryezën e parë, pa mosmarrëveshje, një të tretën e çështjeve në diskutim. Me këtë ritëm tryeza politike do ta kishte përfunduar me sukses misionin e saj. Ajo është ndërprerë nga opozita për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dy deputetë të shumicës, që dyshohen të jenë në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit. Presupozohet se Kryeministri e di më mirë se kërkush tjetër këtë histori.

Nuk dimë të këtë mosdakordësi parimore për Reformën në Drejtësi pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Për çështjet e hapura, ku mund të aplikohen dy apo tri variante, ka nisur një dialog i suksesshëm. Për çfarë mosdakordë- sish e ka fjalën pra Kryeministri, kur propozon t’u taksë atyre një takim të nivelit të lartë me shefin e opozitës?

E vetmja pengesë, për rrjedhim e vetmja mosdakordësi në momentin kur ai nisi ftesën ishte çështja e mandateve të deputetëve Leskaj e Suli. Ai e di shumë mirë se kjo nuk ishte dhe nuk është një çështje e negociueshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet. Pikë. Mirëpo po të heqësh këtë çështje, ftesa, për sa i përket Reformës në Drejtësi, rezulton e tejkaluar për një takim të nivelit të lartë, pra mbetet bosh, lehtësisht e cilësueshme si blof.

Të gjitha këto tregojnë qartë se mjerisht, në vend të gatishmërisë për të zgjidhur ngërçin dhe për t’i hapur rrugën një takimi me një axhendë të përcaktuar qartë, ftesa e Ramës për Bashën investohet në thelb dhe në detaje për të kundërtën. Unë nuk mund ta di e ka bërë më qëllim, për t’i lënë tjetrit dopiogjashtën në dorë, siç thotë një shprehje e njohur, apo të tëra këto shkujdesje i kanë dalë nga megalomania.

Por ç’rëndësi ka! Shpërdorimi më i dhimbshëm është ai i gjësë së mirë që ka munguar më shumë. Në rastin konkret, i dialogut politik të nivelit të lartë, i kulturës së dialogut në përgjithësi. Basha, megjithatë, e la derën hapur në përgjigjen e tij dhe mirë ka bërë. Kjo jo vetëm për vizionin e ri të mbajtjes së dallimeve duke komunikuar, por edhe për katër arsye më konkrete.

E para, PD, pasi ia ka dalë ta korrigjojë e fusë Reformën në Drejtësi në hullinë e standardeve perëndimore, ka detyrimin të bëhet protagoniste e miratimit të saj, siç ka bërë me Ligjin e Dekriminalizimit dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit. Nga kjo pikëpamje, opozitës dhe vendit i intereson mbajtja hapur e dialogut në të gjitha nivelet, pasi Reforma në Drejtësi dhe reforma shumë e rëndësishme zgjedhore kërkojnë dy palë. Së dyti, në ftesën e Ramës ka një propozim shumë interesant që përkon me vizionin e Bashës për nevojën e rithemelimit të Republikës përmes ndërhyrjeve në Kushtetutë.

Forumi bipartizan që propozon Rama është instanca e përshtatshme për të identifikuar fushat e ndërhyrjes dhe pikat e kontaktit mes shumicës dhe opozitës në këtë rrafsh. Së treti, opozita e ka për detyrë ta nxjerrë sa më shpejt të jetë e mundur debatin dhe korridën politike nga temat me blofe me të cilat shumica synon të mbështjellë dështimet e saj, duke e zhvendosur në temat për punën, punësimin, taksat, rrogat, pensionet, çmimet, e tjerë e tjerë.

Kjo bëhet duke tentuar me aq sa ka në dorë opozita mbylljen sa më shpejt të jetë e mundur, në sintoni me partnerët amerikanë e europianë, të BKH-së dhe reformave të tjera.

Së katërti, nga brezi i politikanëve me formim demokratik pritet një shkëputje cilësore nga kultura e llogoreve, cicmiceve apo radikalizmit të kërkuar, pra nga modeli i politikanëve që përfaqësojnë fundin e kazanit të tranzicionit, siç e ka zakon të thotë Basha. Pritet më shumë hapje dhe largpamësi për dialogun e vërtetë. E vjetra mundet duke e tejkaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura