Mbyllet tenderi për Unazën e Fierit

Feb 28, 2013 | 11:51
SHPËRNDAJE

Ndërtimi i Unazës së Fierit do të kushtojë 39.87 milionë euro. Ministri i Transporteve, postoi dje në faqen e vet në Facebook lajmin për mbylljen e tenderit dhe shpalljen përfundimtare të fituesit. Firma italiane “Serenissima” dha nja ofertë rreth 20 milionë euro më të vogël sesa vlera prej 60 milionë eurosh, që financonte BERZH dhe BEI. “Po negociohet tashmë kontrata dhe brenda pak javësh fillojmë punimet”, thekson Olldashi në faqen e tij, duke treguar edhe detajet teknike të projektit. Ndërtimi parashikohet të zgjasë rreth 2 vjet. Gjatësia e rrugës që përfundon në Levan është rreth 22 kilometra. Sipas projektit, janë parashikuar ndërtimi i 3 urave me gjatësi nga 80 metra secila mbi lumin Seman, në kanalin e Hoxharës dhe atë të Pojanit. “Janë parashikuar 4 kryqëzime në disnivel, si dhe 2 gjysmëkryqëzime. Kryqëzimet në disnivel janë parashikuar të ndërtohen si mbikalim për lëvizjen e trafikut kryesor, si dhe rrethrrotullim në bazë për lëvizjen e trafikut lokal”, thekson Olldashi. Sipas projektit, rruga e re do të jetë autostradë me katër korsi. Shpejtësia e lejuar është deri në 120 kilometra në orë. Lartësia e rrugës është pozicionuar përgjithësisht nga 2–5 metra nga sipërfaqja e tokës dhe 8 metra nga ky nivel në rastin e kryqëzimeve në disnivel. “Kompania e shpallur fituese nga procesi i prokurimit, me ofertën më të ulët është ‘Serenissima s.p.a’, një nga kompanitë më të mëdha në tregun italian”, thekson Olldashi.
Po në faqen e tij, në një lajm të mëparshëm, Olldashi pranon defektet e mëdha të rrugës aktuale deri në Levan, dhe premton se brenda pranverës do të riasfaltohet. Aktualisht, kjo rrugë është degraduar ndjeshëm dhe konsumon kohën më të madhe për udhëtimin drejt Vlorës.

Të dhënat e rrugës
Tipi                Autostradë
Gjatësia             22 kilometra
Shpejtësia             120km/orë
Gjerësia             22m (2×2 korsi)

Katër nyje me 2 nivele, pa e prekur gjurmën kryesore

Dy gjysmëkryqëzime në: Dermenas Lindje, Dermenas Perëndim

Tri ura me gjatësi 80 m: Seman, Hoxhare, Pojan

21 nënkalime (mjetesh dhe hekurudhore)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura