Mbi formimin e logjikës juridike te studentët e Drejtësisë

Sep 30, 2011 | 11:10
SHPËRNDAJE

ÇLIRIM GJATA

Kur pata filluar studimet universitare për Drejtësi në vitin 1987, në Fakultetin Juridik tregohej një histori. Diku, rreth 50 vjet më parë nga sot, një nga profesorët më të shquar të Drejtësisë së kohës, por që edhe sot mund të them se mbetet i tillë, Andrea Nathanaili, i qe drejtuar një studenti në provim: “Përse vazhdon kot për Drejtësi? Ty të mungon logjika juridike, ose së paku, mos e ushtro këtë profesion”. Dhe studenti i atëhershëm, pavarësisht se i përfundoi studimet, nuk e ushtroi…profesionin duke ndjekur këshillën e profesorit të mençur, por punoi diku tjetër, derisa doli në pension. E solla këtë detaj nga kujtesa e historive të fakultetit pasi flet shumë dhe qartë që në studimet për Drejtësi, ajo që është kryesorja dhe primarja është ekzistenca e logjikës juridike. Pa këtë logjikë nuk mund të mendohet një jurist, ose do të kemi një letër-jurist (diplomë), por jo një person jurist. Kjo vjen nëpërmjet rrënjosjes së botëkuptimit profesional juridik dhe ky botëkuptim vjen e arrihet nga puna e pedagogëve me studentët dhe e vetë studentëve gjatë gjithë periudhës së studimeve. Sot kemi gjyqtarë, prokurorë apo dhe avokatë që nuk e dinë se janë të tillë për shkak se nuk e dinë se çfarë është një gjyqtar, prokuror apo avokat, pikërisht për shkak të mungesës së botëkuptimit profesional dhe e shohin jurisprudencën jo si profesion, por si biznes. Kjo ka ardhur sepse nuk ka pasur një pedagog t’u thotë se u mungonte logjika juridike dhe duhej ta linin atë zanat. Ndaj kjo kërkon ndërtimin e një fakulteti drejtësie në disa komponentë bazë, të cilat do të mundohem t’i analizoj më poshtë.
Në ndërtimin e një universiteti, një punë kjo jo e thjeshtë, sipas përvojës sime në këtë fushë, duhen pasur parasysh tri standarde: e para, ndërtimi i programit të fakultetit sipas fushës përkatëse i detajuar në çdo element; e dyta, sigurimi i një staf-profesorati cilësor (kuptohet, ku përfshihet edhe një administratë ndihmëse e aftë), kur them profesorat cilësor kam parasysh gërshetimin e kulturës së lartë teoriko-profesionale me përvojën e gjerë praktike dhe të dyja këto të përfshira në programe dhe të shfaqura në syllabuse, ku një vend të gjerë zë edhe literatura alternative; e treta, një infrastrukturë moderne në të gjithë komponentët, universitete në kioska, vila apo kate pallatesh nuk duhet të ekzistojnë më as si koncept. Kur erdha në UET i gjeta këto standarde në nivel tepër të lartë dhe sidomos përsa i takon programit të Fakultetit Juridik si komponent më vete, duke u rritur si i tillë, pasi u reformua akoma më shumë në drejtim të përmirësimit dhe ngritjes së nivelit profesional.
Një nga problemet kryesore që hasen në një universitet është ndërtimi i programeve nëpër fakultetet përkatëse, cilësore dhe të themelta, që t’i shërbejnë plotësisht studentit që kërkon të marrë njohuritë më të larta bazike të fushës përkatëse, pikërisht në nivel të tillë për formimin e atij që thamë më lart, botëkuptimit profesional, në rastin tonë juridik.
Në programet mësimore për fakultetet e drejtësisë, sidomos në vitet e dekadës së fundit, ka pasur jo pak luhatje. Kur programi 4-vjeçar u zëvendësua me atë 3-vjeçar, fillimisht u përfshinë 33 lëndë mësimore, mesatarisht 11 lëndë në vit. Më pas, për shkak të ngarkesës tepër të madhe, kjo u korrigjua në mënyrë thelbësore, duke u reduktuar në një numër më të vogël. Por, ky reduktim shkaktoi një “konkurrencë” për lëndët që do të përfshiheshin në të. Debatet kanë qenë të forta për shkak të botëkuptimeve të ndryshme për lëndët më kryesore e të rëndësishme, debate këto që edhe sot nuk janë mbyllur dhe, në fakt, sa kohë të ekzistojnë teoricinët, debatet nuk do të mbyllen ndonjëherë. Në thelb, debati është për mbizotërim të lëndëve me karakter më profesional, disa lëndëve të reja apo edhe të atyre që janë quajtur me karakter ndihmës.
Nuk jam aspak për mohimin apo nënçmimin e rëndësisë së disa prej tyre dhe mbivlerësimin e të tjerave, por kurrsesi nuk do të pranoja si një produkt të arsyes formuese reduktimin e lëndëve të tilla që përbëjnë bazën e njohurive juridike: civile, penale, kushtetuese, administrative. Më konkretisht, le të marrim një shembull: Lëndë të tilla ndër më kryesoret, si E Drejtë Civile (Pj. Përgjithshme), E Drejta e Pronësisë dhe E Drejta e Trashëgimisë), si mund të zhvilloheshin vetëm në një semestër? A mund të pranojë një jurist që në një semestër mësimor, teorikisht i barabartë me 15 javë mësimore, me gjithsej 45-60 orë mësimore (leksione, seminare dhe veprimtari tjetër praktike), të mund të zhvillohet normalisht procesi mësimor i tri lëndëve, njëra pas tjetrës: E Drejtë Civile (Pj. Përgjithshme), E Drejta e Pronësisë dhe E Drejta e Trashëgimisë)? Po të ndahen orët në 2/3 leksione e 1/3 seminare, del maksimum 40 orë leksione e 20 orë seminare, me kusht që sasia e plotë e orëve të jetë 60 orë. Sikur të jetë 45 orë numri i përgjithshëm, del 30 orë leksione e 15 orë seminare. Pra, secila lëndë duhet të zhvillohet brenda 10-13 orëve gjithsej. Nuk do ta quaja normale një kufizim të tillë, pasi nuk do të mund të bëhet fjalë më për fitimin e njohurive solide nga ana e studentëve. P.sh., vetëm tema për veprimet juridike kërkon të paktën 6 orë leksione dhe 3 orë seminare. Formimi i botëkuptimit kërkon kohën e tij, këtu nuk jemi në shkollën e Harry Poterit, me shkop magjik. U zgjata pak në këtë pikë për faktin se në UET është bërë një reformë e rëndësishme në këtë drejtim, duke u shtrirë këto programe në zgjatje kohore njëvjeçare akademike, duke u ndarë në lëndë të veçanta. Pra, kur ka dëshirë dhe vullnet për të bërë një punë të mirë, zgjidhjet gjenden, kuptohet, pa shkelur ligjin. Kjo solli një punë jo të vogël për pedagogët tanë, por ia vlejti sepse është në të mirë të studentit. Dhe them se kjo reformë do të vazhdojë vit pas viti shkollor, derisa të kthehet në një tradicion të fortë dhe të shërbejë si themel për hartimin e programeve në fakultetet e drejtësisë.
Si përfundim, mendoj se në tri vitet e para të studimit duhet të prevalojnë lëndët tipike profesionale, duke siguruar një ekuilibër të baraspeshuar ndërmjet tyre, në përpjesëtim me gamën e çështjeve që përmban secila lëndë. Për këtë, do ta quaja të nevojshme organizimin e një diskutimi ndërmjet pedagogëve më me përvojë dhe juristëve të shquar të të gjtha degëve të së Drejtës, pasi kështu mund të arrihet në një konkluzion më të drejtë e të saktë.
Një drejtim tjetër që ka vend të diskutohet është raporti midis lëndëve teoriko-formuese dhe atyre të ashtuquajtura aplikative, si dhe raporti midis mësimit teorik dhe praktikës mësimore.
Në vitin e parë të studimeve, mendoj që vendin kryesor ta zënë lëndët teorike e krahas tyre ato njohëse. Si lëndë teorike të pazëvendësueshme e quaj Teorinë e Shtetit dhe së Drejtës, kuptohet në përshtatje me kushtet e kohës. Pa përvetësimin e kësaj lënde, studenti hyn në vitin e dytë me njohuri të çala, sado i përgatitur e me rezultate të shquara të ketë qenë në lëndët e tjera. E them këtë, pasi jurisprudenca ka lidhjen më direkte me shtetin se çdo shkencë tjetër, kështu që pa studimin e kësaj lënde, studenti nuk arrin të formojë një botëkuptim të plotë e të saktë për shtetin e sidomos për të drejtën, që janë si dy anët e medaljes. Shkencat konkrete të së Drejtës nuk mund të japin njohuri shkencore të mjaftueshme për cilësitë dhe lidhjet që përbëjnë shtetin dhe të drejtën. Teoria e shtetit dhe e së drejtës, si shkencë juridike abstrakte, studion ato cilësi e lidhje të shtetit dhe së drejtës që janë të përgjithshme dhe themelore. Ajo nuk ka për qëllim, si rregull, të studiojë shtetin dhe të drejtën e një vendi konkret, por ato cilësi që ekzistojnë në të gjitha shtetet dhe të drejtat. Në këtë mënyrë ajo bën të mundur që në një shtet e të drejtë, konkrete të veçohen ato cilësi e lidhje që janë të përgjithshme e, rrjedhimisht thelbësore nga ato që janë të veçanta dhe rrjedhimisht jo thelbësore, megjithëqë disa prej këtyre të fundit, për një shtet e të drejtë mund të jenë specifike dhe nga ky aspekt edhe thelbësore. Shkurt, kanalizon te studenti botëkuptimin se çfarë është shteti dhe e drejta në kuptimin abstrakt dhe e përgatit atë për konkretizimet e veçanta.
Një nga trajtimet bazë në fakultet do të mbetet edhe shtjellimi se çfarë është shteti i së drejtës. Kjo ka për objekt studimin e cilësive e lidhjeve të përgjithshme të shtetit të së drejtës, duke i shprehur këto me anë të nocioneve të përgjithshme, duke dhënë njohuritë e duhura për to. Si çdo shkencë abstrakte ajo depërton pak a shumë edhe në shkencat konkrete, duke studiuar ato cilësi që janë të përgjithshme për një grup të drejtash. Kështu p.sh., cilësia e subjektit të së drejtës në përgjithësi përmban në vetvete shumë subjekte konkrete. Kjo cilësi ekziston tekprindi, fëmija, i dënuari penalisht etj. Ose nocioni i përgjithshëm “marrëdhëniet juridike” si nocion abstrakt shpreh tiparet më themelore që ekzistojnë në marrëdhëniet juridike konkrete, si civile, penale, administrative etj. Pa kuptimin e veçimin e kësaj cilësie të përgjithshme si diçka më e lartë, që ka të bëjë me cilësitë konkrete të një lloji të caktuar të marrëdhënieve juridike, nuk do të mund të zbulohej lidhja, afërsia në rastet e ndryshme konkrete. Këtu do të përfshiheshin edhe e Drejta Publike e ndarë nga Teoria e Shtetit, Filozofia e së Drejtës, Të Drejtat e Njeriut etj.
Prandaj janë pikërisht këto shkenca, për shkak të rëndësisë dhe karakterit të ndërlikuar e abstrakt të tyre, konsiderohen si shkenca hyrëse e themelore. Prandaj dhe janë zhvilluar më vonë nga degët e tjera, madje jo mjaft të shtjelluara.
Si lëndë kryesisht njohëse me rëndësi të veçantë është E Drejta Romake, pa nënvleftësuar degët e tjera të këtij lloji. Për këtë lëndë, në të kaluarën ka ekzistuar një mendim antishkencor, duke vënë në pikëpyetje nevojën dhe oportunitetin e studimit të saj, për shkak se kjo e drejtë kishte gjetur zbatim në të ashtuquajturat kodet borgjeze. Unë personalisht i përkas një brezi që nuk e kemi trajtuar këtë lëndë, mëgjithëse shumë prej nesh e kemi studiuar më vonë në mënyrë autodidakte. Rëndësia e së Drejtës Romake, në radhë të parë qëndron në faktin se, shumë e shumë parime e nocione juridike të saj janë pranuar tërësisht ose pjesërisht nga e gjithë bota e zhvilluar edhe sot, kuptohet edhe me ndryshimet dhe përshtatjet përkatëse në përmbajtje të tyre. Me studimin e saj lehtësohet shumë përvetësimi i një numri shkencash pozitive, sidomos në fushën juridiko-civile. Prandaj, mendoj se kjo lëndë duhet zhvilluar gjatë një viti akademik.
Përsa u takon lëndëve aplikative ose ato që quhen thellësisht profesionale, do të veçoja rëndësinë tyre në një format të veçantë. Pedagogu duhet të ketë si synim rrënjosjen te studentët të metodës së përdorimit të tyre me anë të klasifikimit. Nga studimi i tyre në fakultet nuk duhet pretenduar se do të nxjerrim profesionistë të vërtetë e, aq më pak, shkencëtarë. Kjo do të ishte utopi. Është pikërisht përvetësimi i metodës së klasifikimit se si duhet të orientohet studenti midis tyre. Sapo dëgjon kazusin një jurist profesionist e di se me çfarë marrëdhënie ka të bëjë, ku klasifikohet ajo, pastaj nënndarjet e saj, deri te dispozita që duhet mbështetur. Pikërisht kjo metodë i duhet dhënë studentit dhe kjo nuk mund të jepet e shkëputur, por pas studimeve të thella dhe me një program të qartë shkencor në të gjitha vitet e studimit.
Lidhur me praktikën mësimore, kam mendimin se seminaret dhe veprimtaritë e tjera praktike janë po aq të rëndësishme sa dhe leksionet. Një seminar i organizuar mirë ose një ushtrim tjetër praktik (improvizim procesi gjyqësor, pjesëmarrjen në procese gjyqësore, diskutim i Vendimeve Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, madje edhe të Gjykatës së Strasburgut, pjesëmarrje vëzhguese në procese administrative, sidomos të pushtetit vendor, lidhja me sektorët juridikë të bashkive, qarqeve etj.), përbën një ndihmë të madhe që studentët t’i asimilojnë më mirë nocionet e ndryshme teorike. Shpreh keqardhjen se në jo pak fakultete, në këtë drejtim është bërë një hap prapa. Duke filluar nga raporti leksion-seminar vërtetohet ky përfundim: gjatë një semestri parashikohen 7-8 orë seminare dhe 30-45 orë leksione. Nuk mund të arsyetohet ky shpërpjesëtim, ku një seminar zhvillohet mesatarisht për 5-6 orë leksione. Ne UET raporti është 2 me 1 e në disa lëndë edhe 1 me 1. Mendoj se ky raport është më i drejti.
Kuptimi i nocionit shtet i së drejtës është i gjerë dhe, si i tillë, nuk mund të përmblidhet në një shkrim, diskutim apo pjesë të tyre. Rëndësia e madhe e kuptimit të këtij parimi qëndron në faktin se, për të pasur botëkuptim të formuar drejt për të është i nevojshëm një formim solid teorik i juristit. Ky nocion nuk mund të njehsohet me ligjin, pasi e drejta është më e gjerë dhe më e thellë. Kur themi shtet i së drejtës nënkuptojmë se ai në radhë të parë mbron të drejtat e njeriut, është në pajtim me to, mbron interesin e përgjithshëm, ndërsa ligji dhe aktet e tjera juridike jo gjithmonë janë në pajtim me këto të drejta dhe interesa. Prandaj, juristi i formuar asnjëherë nuk është indiferent ndaj ligjeve e akteve të tjera juridike që miratohen. Ai gëzohet kur një ligj është në pajtim me të drejtën dhe shqetësohet kur ligji nuk u përgjigjet kërkesave të shtetit të së drejtës. Shembull për këtë janë përpjekjet që janë bërë e bëhen për të ndrequr ato ligje të gabuara të nxjerra në të kaluarën me ligje të reja, sidomos në fushën e pronësisë. E, pra, kjo kërkon pikërisht atë që thamë, juristë të përgatitur.
Një anë e rëndësishme për ngritjen e shtetit në shkallën e lartë të shtetit të së drejtës është liria e kritikës profesionale të ligjeve e dispozitave të veçanta që konsiderohen të gabuara, angazhimi për shfuqizimin ose ndryshimin e tyre; kritika e vendimeve gjyqësore, vendimeve të Gjykatës së Lartë, madje edhe të Gjykatës Kushtetuese, pa folur këtu për ndërmarrjen e studimeve më të plota analitike. Mendoj se një kontribut të madh në këtë aspekt duhet të japin edhe universitetet në përgjithësi dhe fakultetet e drejtësisë në veçanti, nëpërmjet punës së tyre kërkimore e shkencore. Dhe është normale, sepse formimi i shtetit të së drejtës fillon që me dhënien e konsolidimin e nocioneve të tij në bankat e shkollave e të universiteteve.
Me gjithë dëshirën time, ky mbetet një artikull në nivel sipërfaqësor sepse është e pamundur të flasësh për këtë temë vetëm në një artikull gazete, edhe sikur të të vënë gjithë gazetën në dispozicion, madje në disa numra. Do të ishte mirë që për këtë temë të hapej një debat shumë më i gjerë midis specialistëve të fushës dhe sidomos midis të interesuarve të fushës së arsimit të lartë juridik. I ftoj këta ta trajtojnë këtë problem në të gjithë komponentët që janë dhe shumë në debate të tilla që vetëm do t’i shërbenin për mirë problemit. Në fund të fundit, misioni i shkollës është të përgatisë qytetarë.
*Dekan i Fakultetit Juridik,
Universiteti Europian i Tiranës (UET)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura