Mbërrijnë në Tiranë edhe 15 muxhahedinë nga kampi i Irakut

Aug 31, 2013 | 13:23
SHPËRNDAJE

TIRANE – Shkon në 124 numri i muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, pas transferimit nga kampi “Ashraf” i Irakut. Mesnatën e së enjtes zbritën në Aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie, edhe 15 të huaj, 9 meshkuj dhe 5 femra. Pas pritjes nga policia e Rinasit, ata u strehuan ashtu si të tjerët në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru të Tiranës. Si edhe 6 grupet e mëparshme, edhe kësaj here muxhahedinët kanë udhëtuar me linjën e Austrisë dhe më pas janë pritur në Aeroportin “Nënë Tereza”. Ky është grupi i shtatë i muxhahedinëve nga kampi “Ashraf” i Irakut, që mbërrijnë në Tiranë në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve, e cila është një përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më parë kishin mbërritur në vendin tonë 6 grupe, fillimisht 11, 30, 16, 16, 17 dhe grupi i fundit më 12 korrik, që përbëhej nga 16 veta. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurt të këtyre personave në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura