MB: Rama është takuar me Frrokun dy javë më parë. I premtoi se do ta bënte deputet

Feb 28, 2013 | 18:49
SHPËRNDAJE

Ministria e Brendshme akuzoi sot kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama se është takuar vetëm dy javë më parë me të dyshuarin për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj, duke i premtuar atij se do ta bënte deputet.

Zëdhënësi i MB-së, Leonard Olli tha se  Rama ka pirë kafe me Arben Frrokun tek “Dy Kullat”, dy jave me pare, ndersa deputeti, Sajmir Tahiri ka darkuar menjëherë pas takimit me Ramën deri në 02:30 të mëngjesit.

“Z. Rama, sqaro opinionin publik, përse vetëm dy javë më parë ju takuat të dyshuarin Frroku, dhe a i premtuat se do ta bëni deputet?  Përse e fshihni faktin se të nesërmen e takimit tuaj, i dyshuari shkoi në Shkodër filloi hapjen e zyrave elektorale? Z. Rama, sqaro qytetarët shqiptarë, pse pas takimit tuaj me të dyshuarin,  zoti Tahiri ka darkuar dhe biseduar me të në një lokal, te dy kullat, në qendër të Tiranës, nga ora 20:30 deri në orën 02:30 të mëngjesit, dhe çfarë është biseduar në atë darkë?”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Sipas MB-së, Rama përgojon kot foto të bërë para dy vitesh, tani në mes të procesit hetimor, porse qëllimi i tij i vërtetë është prishja e hetimit dhe mbrojtja e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisarit.

Olli ftoi Ramën që të pranonte, se kryetari i njësisë nr. 6, në Kombinat ka ortakëri në biznes me të dyshuarin, ashtu siç sipas tij bën Tahiri, qe pranon se  lokalin e të akuzuarit e kishte bazën e tij në Kombinat dhe nga aty organizonte fushatën politike.

“Edhe ky rast, me gjithë përpjekjet e tua të pafund, dëshmon qartazi lidhjet e tua dhe kupolës tënde me krimin, një fakt të cilin nuk mund ta fshehësh dot. Përpjekjet e tua, megjithëse ogurzeza, do të dështojnë. Inkurajimi që ti vazhdimisht i jep krimit është sa i turpshëm, por edhe po aq i pashpresë.”- thekson MB.

Olli tha se ministri, Flamur Noka ka urdhëruar hetimin e të gjitha lidhjeve të autorit të dyshuar për vrasjen Kryekomisarit dhe se të gjitha agjencitë ligjzbatuese janë në shërbim të zbardhjes së ngjarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura