Maxhoranca feston Pavarësinë e Çlirimin

Nov 29, 2011 | 12:59
SHPËRNDAJE

Kryeministri Berisha gjatë festimeve të djeshme në Tiranë shpalli çeljen e vitit të 100-vjetorit të Pavarësisë. “Shqipëria hyn në 100-vjetorin e saj më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqiptarët kudo që janë, janë të lirë, po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri, ndaj dhe le të urojmë së bashku një vit të madh të mbarë”, u shpreh Kryeministri. Kreu i maxhorancës mori pjesë dje në festimet e 28 Nëntorit, që për maxhorancën është festa e Shpalljes së Pavarësisë, ajo e Çlirimit të atdheut njëkohësisht. Kryeministri Berisha bashkë me znj. Liri Berisha, shoqërohej dje dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministrat e tjerë të qeverisë. Ndërkohë sot e majta, e ndarë do të nderojë dëshmorët e atdheut në Varrezat e Dëshmorëve, në Ditën e Çlirimit. Për të majtët, 29 Nëntori mbetet Dita e Çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Por për shkak të përfshirjes së LSI-së në koalicion me PD, PS dhe LSI do të zhvillojnë të ndara homazhet e tyre në nderim të dëshmorëve të atdheut. Dje paradite, Kryeministri zhvilloi homazhe, vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 28 Nëntorit, në nderim të kujtimit dhe veprës së dëshmorëve e martirëve të kombit e gjithë patriotëve shqiptarë. Të pranishëm në këto homazhe përkujtimore ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, si dhe personalitete të tjera, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe të të rënëve. Pas homazheve të zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha, duke folur për mediat, tha se 28 Nëntori është dita e nderimit më të madh, respektit më të thellë, mirënjohjes më të pakufishme ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave shqiptare që me jetën e tyre, me gjakun e tyre, me rininë e tyre, vaditën rrënjët e lirisë që ne gëzojmë sot. “Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare, akt që bëri të mundur që shqiptarët sot, kudo që ndodhen, të jenë të lirë”, vijoi Kryeministri. Duke vlerësuar kontributin e të rënëve në luftën për çlirimin e vendit, Kryeministri Berisha nënvizoi: “Lufta Nacional-Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit”.

VIZITAT

Kryeministri Berisha, në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 Nëntorit, i shoqëruar nga prefekti i Tiranës, zhvilloi vizita në familjen e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari dhe në familjen e Heroit të Popullit, Musa Kame (Fratari). Kryeministri Berisha u përcolli pjesëtarëve të familjes Hajdari nderimet më të thella të tij për Azemin, por dhe për të gjithë ata që, siç u shpreh Kryeministri, vendosën sakrificën në themel të lirisë së kombit.

KONCERTI

Kryeministri Berisha përshëndeti në mbrëmje koncertin festiv, të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të festimeve për ditën e 28 Nëntorit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, si dhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, Berisha u bë pjesë e këtij koncerti festiv ku shprehu edhe një herë “nderimin më të thellë për ata qindra e mijëra shqiptarë djem e vajza shqiptare që vendosën rininë e tyre, ëndrrën e tyre më të bukur në themel të Shqipërisë së lirë e të pavarur”.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura