Maxhoranca, dy skenarët për bordet e AMA dhe KD të RTSH

Sep 30, 2014 | 9:08
SHPËRNDAJE

Komisioni i Medias

Maxhoranca ka përgatitur dy skenarë për plotësimin e vendeve vakante në institucionin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (KDRTSH). Mundësia e parë për të arritur zgjidhjen e ngërçit që ka kapur institucionin e AMA-s është ajo e përzgjedhjes së kandidaturave pa praninë e opozitës.

Burime pranë maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Medias bënë me dije për gazetën “Panorama” se pas letrës së dërguar në adresë të opozitës për t’iu rikthyer bashkëpunimit në Kuvend, shumica e majtë do të presë deri të mërkurën për një reagim zyrtar të Partisë Demokratike. Më pas deputetët e majtë do të vazhdojnë të vetëm procesin e përzgjedhjes dhe selektimit të kandidaturave për postin vakant të kryetarit të AMA-s, po ashtu për anëtarë të AMA-s, edhe të kandidaturave që kanë aplikuar për Këshillin Drejtues të RTSH-së. Për këtë proces ligji parashikon që përjashtimi i kandidaturave do të bëhet një nga një, ku disa duhet të eliminohen nga maxhoranca dhe disa nga opozita.

Pikërisht shumica, në rast se nuk do të mundësohet kthimi i opozitës për të plotësuar këto vende vakante, do të vijojë me eliminimin e kandidaturave duke dalë në një listë të shkurtër. “Ndërkohë që do t’i lihet një ditë kohë pas çdo përjashtimi opozitës për reflektim dhe në rast se të djathtët do të vazhdojnë të bojkotojnë procesin, atëherë heshtja e tyre do të merret si e mirëqenë dhe do të dërgohet në Kuvend lista e kandidatëve për votim”, bënë me dije burime të “Panoramës”. Shumica në Komision po shikon si mundësi të fundit dhe propozimin e një amendamenti për ndryshimin e ligjit për Autoritetin e Mediave Audovizive (AMA), i miratuar në vitin 2013 vetëm me votat e ish-maxhorancës së djathtë. Burimet bënë me dije se mundësia për të amenduar ligjin është “skenari më ekstrem”, por që nuk përjashtohet si mundësi nëse nuk do të arrihet zhbllokimi i ngërçit në dy institucionet kontrollore të medias. “Nuk përjashtohet dhe mundësia e amendimit të ligjit, një gjë që nuk funksionon duhet ndryshuar”, theksuan burime pranë Komisionit.
LIGJI I AMA-S
Ligji i AMA-s me të cilin zgjidhen dhe anëtarët e KDRTSH-së, parashikon që i gjithë procesi duhet të realizohet me konsensus. Përzgjedhja e kandidatëve, në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s, realizohet duke përjashtuar kandidaturat një nga një.Procedura e përjashtimit zbatohet sipas radhës: një nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe një nga përfaqësuesit e opozitës. Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës, tre kandidatë të mbështetur nga shumica parlamentare, tre të mbështetur nga opozita. Kandidatët për anëtarë të AMA-s i propozohen për miratim seancës plenare. Ndërsa në rastin e zgjedhjes së kryetarit, opozitës i lind e drejta që nga katër kandidatë finalë, të përjashtojë dy prej tyre, për të çuar në seancë vetëm dy emra për votim. Fation Binjaku
 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura