Mauzoleumi dhe Presidenti Bamir Topi

Jul 31, 2011 | 10:28
SHPËRNDAJE

AGIM NEZA

Refreni baltëfolës “për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë” do të riniste pasi Kuvendi e miratoi me 72 vota në seancë plenare projektligjin. Për fat të keq, argumentet dhe debati nuk u zhvilluan në foltoren e Kuvendit, për faktin e njohur se opozita ka kohë që ka filluar “pushimet e verës”, nënkupto bojkotin e Parlamentit. Nuk është faji i maxhorancës pse deputetët e opozitës vazhdojnë bojkotin dhe nuk janë të pranishëm në tempullin e demokracisë për të debatuar për ndërtimin e një vepre madhore dhe kombëtare, siç do të jetë kompleksi i ri parlamentar. Të gjithë e dëgjuan të argumentohej në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetë të maxhorancës se ky projektligj përcaktonte bazën ligjore të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar si një procedurë në vijim të konkursit të organizuar ndërkombëtar, mbi bazën e të cilit u përzgjodh nga një juri ndërkombëtare prestigjioze. Duke menduar se ishin dhënë argumente të plota në Kuvendin e Shqipërisë, mendova të mos shkruaja rreth kësaj teme, aq më tepër që sa herë që bëj shkrim për Presidentin Bamir Topi, them se ky do të jetë shkrimi i fundit. Por, zoti Topi me “heshtjen” e tij për problematikat që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, të frymëzon të vazhdosh të shkruash me shpresën se një ditë do të shkruaj se “Bamir Topi më në fund u bë burrë shteti!” Pra, heshtja e tij gjatë gjithë kësaj kohe për të mos dekretuar Ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, u bë indicie për këtë shkrim. Refrenit “baltëfolës” me sa duket këto ditë i është bashkuar me heshtjen e tij Presidenti i Republikës, prof.dr. Bamir Topi, pasi takoi dy arkitektë (që kanë shprehur hapur qëndrimet e tyre pro të majtës) dhe një studio “baltëshkruese” të historisë së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Duke qenë se Kryetari i Shtetit, Bamir Topi, i cili është edhe “maja” e piramidës së drejtësisë (kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë) e ka katandisur sistemin e drejtësisë në “ditën me të zezë”, nuk i ka mbetur me sa duket asgjë tjetër, veçse të vërtetojë se nëpërmjet mosdekretimit të Ligjit për lustracionin dhe së fundi Ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, i cili është miratuar më 14.07.2011, të rikonfirmojë votën e tij të 8 majit?! Pse prof.dr. President Bamir Topi heziton të dekretojë Ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar? Projekti i kompleksit të ri është një projekt madhor që pritet të konkretizohet me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, jurisprudencën e zhvilluar në Gjykata Kushtetuese, si dhe me legjislacionin tjetër në fuqi. Ky kompleks parlamentar nuk ka asgjë të përbashkët me ndërtimet e pallateve “katrahurë” të zbukuruara me shigjeta si shenja treguese se “këtu mund të banohet, por nuk mund të jetohet”. Me kaq shumë ndërtime pa asnjë lloj arkitekture, ku është e pamundur të gjesh një shtëpi karakteristike tironse (për të cilën edhe tiranasi Bamir Topi duhet të ndiej nostalgji), ku të duket utopi të gjesh një lagje tiranase, një lulishte, një ambient sportiv apo një rrugë ku një ambulancë apo një zjarrfikëse të kaloj lirshëm për të shpëtuar një jetë njeriu!. E, për çudinë e të gjithëve, gjatë gjithë këtyre viteve as Bamir Topi dhe as tre apo katër arkitektët e nderuar që u takuan me Presidentin e Republikës, të cilët i shqetëson ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar, nuk e ngritën zërin dhe nuk thanë asnjë fjalë kundër “arkitektit” të kësaj rrumpallhanje! Sot, Piramida nuk ka asnjë funksion. U ngrit si simbol i ngjashëm me piramidat e vjetra për të përjetuar dhe për të bërë të paharruar faraonin! Por të majtë e të djathtë gjatë vijon nga faqja 1 ushtrimit të pushtetit të tyre ranë dakord që të mos linin asnjë gjurmë nga mauzoleumi, as bustin dhe as revolen e Enver Hoxhës, as foto, as pushkët, pra asgjë për be! Madje, gjer sot, gjatë këtyre 20 viteve, nuk kam dëgjuar qoftë një lider të majtë (përjashto Hysni Milloshin) të ketë lançuar qoftë njëherë të vetme se Piramida duhet të kthehet në museum, siç ishte. Pra, ajo që mund të shërbente si relike e së kaluarës, për të treguar “fuqinë” e diktaturës komuniste” si pjesë e izolimit, persekutimit dhe shkatërrimit shpirtëror apo nostalgji për ndonjërin, për atë sistem është e shlyer tërësisht, duke mos i shërbyer as turistëve të huaj që mund ta vizitonin dhe as brezit të ri për të njohur të kaluarën e hidhur. I vetmi funksion është televizioni “Top Channel”, për të cilin çdonjëri ndien keqardhje që do të jetë i detyruar të zhvendoset diku tjetër për të kryer misionin e një medie me integritet. Edhe për këtë më duket se më i shqetësuari është Presidenti Topi, se sa vetë pronarët e kësaj medie, të cilët i kanë mundësitë financiare dhe profesionale për të qenë një televizion i suksesshëm edhe në të ardhmen!. Është normale që secili qytetar, arkitekt, pronar të “Top Channel”, gazetar, analist, politikan, organizata joqeveritare mund të japin argumentet pro apo kundër ndërtimit të këtij kompleksi madhështor, por të habit fakti që Presidenti i Republikës, i cili ka dekretuar 4 ligje të datës 14.07.2011, si dhe 8 ligje të datës 21.07.2011, vazhdon të “heshtë” këtë radhë me firmën e tij për të dekretuar Ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Në ndihmë të Presidentit aktual, prof.dr. Bamir Topi, kur kanë mbetur dhe tre ditë për të lexuar 9 nene dhe për të kuptuar se sa i rëndësishëm është dekretimi i Ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar! Argumentet e mija, pse duhet një parlament madhështor siç e kanë të gjitha vendet në perëndim: – Jemi i vetmi shtet në Europë që nuk ka një ndërtesë unike të Kuvendit, madje e kemi të ndarë “Kuvendin e Shqipërisë’, në dy “selindërtesa”, njëra për seance plenare dhe tjetra për Kryesinë e Kuvendit. – Aspekti ekonomik ka të bëjë me dinjitetin e përfaqësuesve të popullit në ushtrimin e detyrës. Shpenzimet e bëra në ndërtesën aktuale (ndërtesën e seancave parlamentare) mbetet me vlerë jo vetëm për faktin se gjatë kësaj periudhe kjo ndërtesë e rikonstruktuar krijon më shumë seriozitet për deputetët, priti dhe përcolli personalitete të larta të politikës europiane, por do të këtë të gjithë komoditetin për një teatër kombëtar në të ardhmen. – Një argument tjetër, nëse flasim për “shpenzime të maxhorancës”, e vërteta është se vendimi Nr.66 i këtij Parlamenti, i vitit 2010, nuk është gjë tjetër veçse një ripërsëritje e vendimit të marrë nga ky Parlament në vitin 2005, i miratuar nga të gjithë me 138 vota, kur Kryetar i Kuvendit ishte prof. Servet Pëllumbi. Pra, e majta e atëhershme në pushtet ka qenë dakord për ndërtimin e një parlamenti të ri! – Nga ana tjetër, vendimi për ndërtimin e parlamentit të ri është bërë në transparencë e respekt të plotë të vendimit Nr.66, datë 21.10.2010 të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe vendimit unanim Nr.1 datë, 2.11.2010 të të gjithë anëtarëve të Komitetit Shtetëror, duke përfshirë edhe kryetarin e PS-së, zotin Edi Rama! Pra, edhe e majta e sotme ka qenë dakord për ndërtimin e parlamentit të ri! (Ndoshta këtë fakt nuk e dini zoti President!). – Ndërtesa ku aktualisht ndodhet Kryesia e Kuvendit, në brendësinë e së cilës ndodhet edhe Gjykata Kushtetuese, mund të bëhet një “Pallat Drejtësie” i standardeve bashkëkohore. – Ky Kuvend nuk do të jetë as i Jozefina Topallit, as i Sali Berishes dhe as i Edi Ramës(kur të bëhet deputet) apo i Vangjel Tavos, por do të jetë Kuvendi i shqiptarëve, tempulli i demokracisë jo vetëm për këtë brez politikanësh, por edhe për politikanët e ardhshëm. Dhe, natyrshëm, brezi i ardhshëm i deputetëve do të vlerësojnë vizionin për ndërtimin e këtij kompleksi parlamentar, pavarësisht nga kundërshtitë e ndonjë individi për momentin. – Një argument tjetër është se pas shpalljes së studios fituese për kompleksin e ri parlamentar, nuk kemi dëgjuar asnjë arkitekt të shprehë qoftë edhe rezervën më të vogël për kompaninë fituese, kësisoj as për projektin, madje as arkitektët të cilët janë shprehur kundër prishjes së mauzoleumit. I vetmi zë ishte i një arkitekti të njohur, i cili ishte i shqetësuar dhe kishte merak të veçantë dhe të vetëm se si do të pastroheshin xhamat e kompleksit të ri parlamentar?! Mbi të gjitha, mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se kjo nuk është një ambicie personale e Jozefina Topallit, por një vizion që Shqipëria të ketë në të ardhmen një monument kombëtar unik, një vepër arti që do të zbukurojë kryeqytetin. Tempujt e demokracisë në shekuj kanë qenë ndërtesat më të bukura. Shqipëria duhet të ketë një kompleks të ri parlamentar madhështor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura