Masakrohet një familje pas 7 vitesh sherr për ujin

Jun 30, 2012 | 12:47
SHPËRNDAJE
Autobusi ku udhëtonte viktima e parë e masakrës së Pukës, Paulin Markaj

PUKE/ Plagosen tre familjarë të tyre. Arrestohen dy bashkëfshatarët. Konflikti prej shtatë vitesh.

Dy vëllezër vriten në pritë pasi ktheheshin nga festa fetare.

Përfundon me masakër konflikti i vjetër për një kanal vaditës mes dy fiseve në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë.
Dy vëllezër u vranë në pritë dhe tre familjarë të tyre u plagosën ndërsa po ktheheshin nga një festë fetare. Hil dhe Paulin Markaj, 58 dhe 45 vjeç, u ekzekutuan me breshëri automatikësh nga të paktën 4 persona, të cilët lanë të lënduar dhe nipin e viktimave dy gratë e tyre. Policia arrestoi të plagosur njërin prej autorëve të dyshuar dhe kushëririn e tij, Bardhok dhe Seferin Përmarkajn, ndërsa po kërkon bashkëpunëtorët. Sipas Policisë, një prej viktimave ka shkëmbyer zjarr për pak sekonda me autorët, derisa mbeti pa jetë.

Krimi i dyfishtë

Viktima e dytë e masakrës, Hil Markaj Foto: Balkanweb

Burime të Policisë thanë se masakra e familjes Markaj ndodhi rreth orës 06:30 në fshatin ku jetojnë dy fiset, Mardhnac. Familja që ra viktimë e plumbave po kthehej në fshat nga ceremonia e festimit të ditës së Shën Palit, festë tradicionale fetare e zonës. Tre persona udhëtonin në autobusin në pronësi të Paulin Markajt (me të cilën kryente linjën Pukë-Tiranë). Paulini ishte vetë në timon dhe në mjet ndodhej e shoqja, Tone dhe nipi 24-vjeçar, Alfonsi. Në momentin që autobusi ka ndaluar afër shtëpisë së vëllait të Paulinit, Hilë Markajt, për të zbritur djalin e tij, autorët e ngjarjes që kishin zënë pritë nisën të qëllojnë me breshëri automatiku në drejtim të autobusit. Nga plumbat e parë ka gjetur vdekjen shoferi i mjetit, Paulini, si dhe mbetën të plagosur dy pasagjerët, e shoqja dhe nipi. Në këtë moment, sapo kanë dëgjuar krismat e armëve të zjarrit dolën nga shtëpia në rrugë Hila dhe e shoqja e tij, Angje. Dëshmitarët thanë për policinë se autorët nuk janë ndalur, por kanë qëlluar me breshëri edhe ndaj tyre. Plumbat lanë të vdekur në vend 58-vjeçarin Hilë Markaj dhe plagosur bashkëshorten e tij. Autorët janë shpërndarë me shpejtësi, me qëllim të largoheshin nga vendi i krimit. Të afërm të tjerë të viktimave dhe fqinj të tyre kanë shkuar në vend, duke bërë të mundur transportimin e të plagosurve për në spitalin e Pukës.

Policia

Forcat e Policisë në vendin e ngjarjes

Me të marrë vesh mbi ngjarjen, për në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Shkodër si dhe të FNSH-së së Shkodrës. Me të identifikuar kufomat dhe dyshimet mbi autorët, jo vetëm janë vënë në kërkim të tyre dhjetëra punonjës, por dhe të tjerë kanë marrë situatën nën kontroll duke mbikëqyrur banesat e palëve nga frika e një hakmarrjeje të mundshme. Nga hetimet e para, të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje janë pjesëtarë të fisit Përmarkaj, bashkëfshatarë të Markajve, me të cilët ishin në konflikt prej rreth 7 vitesh për një vijë uji që e shfrytëzonin për vaditjen e tokave të secilit fis. Vetëm pak orë pas ngjarjes, policia ka arritur që të ndalojë dy nga pjesëtarët e fisit Përmarkaj, kushërinjtë Fatbardh (Bardhok) Përmakaj, 40 vjeç dhe Seferin (Fran) Përmarkaj, 33 vjeç. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se në momentin që kanë arritur të ndalojë një nga të dyshuarit e kësaj ngjarjeje, Bardhok Përmarkajn, 40 vjeç, ai ka qenë i plagosur. Dyshohet se ai ka mbetur i plagosur nga breshëritë e plumbave të shkëmbyera mes autorëve dhe shoferit të autobusit. Sipas Policisë, Paulini ka qenë i armatosur dhe në momentin kur është shtënë mbi të ai ka nxjerrë armën, deri në momentin kur mbeti i vdekur në vend.
Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet edhe për pjesëtarë të tjerë të fisit Përmarkaj, pasi policia dyshon se autorët të kenë qenë më shumë se dy që kanë marrë pjesë në pritën e organizuar ndaj pjesëtarëve të familjes Markaj.

Konflikti
Rreth 7 vjet më parë ka nisur konflikti për vijën e ujit mes dy fiseve. Nisur nga fakti se zona është me thatësirë, ata janë përplasur mes tyre për shfrytëzimin e kanalit për vaditjen e tokave. Sipas Policisë, prej asaj kohe dy palët janë rrahur disa herë mes tyre, por pas shoqërimeve ata janë lënë të lirë me pretendimin se nuk do të përsëriteshin më. Në të vërtetëtë përplasjet kanë vazhduar, derisa rasti më i fundit ishte në Kamzë dy javë më parë, kur u rrahën mes tyre kushërinjtë e dy fiseve, Markaj dhe Përmakaj.

Të plagosurit
Ngjarja e rëndë pati veç viktimave edhe katër persona të plagosur. Tre prej tyre i përkasin familjes Markaj, ndërsa tjetri Bardhok Përmarkaj, i cili dyshohet se u plagos nga shoferi i autobusit, Paulin Markaj. Mësohet se pas ndihmës së parë në spitalin e Pukës ata janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak. Forcat e FNSH-së kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës të plagosurit, njëri prej të cilëve ishte personi që kreu krimin e dyfishtë. Edhe në Spitalin Ushtarak kanë qëndruar forca të shumta, për të shmangur përplasjen mes palëve.

PUKE/ RITVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura