Masakra e Pukës, Gjykata vendos pezullimin e shefit të Policisë

Jul 31, 2012 | 14:12
SHPËRNDAJE
Vendi ku ndodhi masakra në Pukë

PUKE – Gjykata vendos pezullim nga detyra për shefin e Policisë së Pukës dhe dy vartësit e tij, në lidhje me ngjarjen e 29 qershorit, ku u vranë 2 persona dhe u plagosen 3 të tjerë, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje. Vendimi për efektivat e policisë, përkatësisht Ridvan Bushati, Lulzim Latifi dhe Qetësor Gurra u dha rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme nga Gjykata e Pukës. Vendimi i kësaj gjykate ka lënë në fuqi kërkesën e bërë nga Prokuroria e rrethit të Pukës me datë 25 korrik, pas kallëzimit nga Avokati i Popullit, i cili i akuzon drejtuesit e Komisariatit të Pukës  për mosndërhyrje në konflikt, gjë që do të shmangte sipas tij ngjarjen e rëndë. Ndërkohë mësohet se gjatë seancës gjyqësore ka pasur dhe replika të forta mes prokurorit dhe 3 efektivave, sipas të cilëve kërkesa e Prokurorisë është tendencioze dhe e njëanshme. Menjëherë pas këtij vendimi, vetë shefi i Komisariatit të Pukës, Ridvan Bushati, tashmë i pezulluar me vendim gjykate, ka pohuar për “Panoramën” rezervat që ai ka për këtë vendim. “Ne jemi të prirur ta respektojmë këtë vendim të gjykatës, por në zbatim të ligjeve në fuqi ne do të bëjmë ankimimin pranë Gjykatës së Apelit në Shkodër, ku do të kërkojmë rishikimin e këtij vendimi”, u shpreh Bushati. Ndërkohë që nga ana e tyre, drejtuesit e Policisë në Qarkun e Shkodrës janë shprehur se megjithëse e kanë mësuar një lajm të tillë, ata akoma nuk kanë në dorë vendimin zyrtar të Gjykatës së Pukës. Me të mbërritur ai vendim, atëherë do të shikohet mundësia e  zëvendësimit apo komandimit të drejtuesve të rinj në Komisariatin e Pukës deri në përfundimin e plotë të hetimeve në ngarkim të drejtuesve të këtij Komisariati. Ngjarja për të cilën u pezulluan drejtuesit e Policisë së Pukës ndodhi në fund të muajit qershor. Si pasojë e një konflikti mes dy fiseve, situata u rëndua derisa anëtarë të fisit Përmarkaj u zunë pritë vëllezërve Markaj, duke qëlluar për vdekje 2 prej tyre. Pas krimit të dyfishtë, familjarët e viktimave fajësuan Policinë për mosndërhyrje në kohë. Çështja u mor në shqyrtim nga Avokati i Popullit, sipas të cilit punonjësit e Policisë së Pukës nuk morën masa për të parandaluar vrasjen e dyfishtë. Në relacionin e dorëzuar në Prokurorinë e Pukës kërkohej nisja e hetimit për tre drejtuesit e Policisë, të cilët nuk e kishin raportuar fare ngjarjen në organin e akuzës.             r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura