Markoulli, Berishës: Bëni progres para tetorit

Jul 31, 2012 | 14:05
SHPËRNDAJE

TIRANË- Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Markoulli, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë, ka kërkuar vazhdimin e reformave në drejtim të 12 kritereve në BE-së. Dekarata është bërë gjatë takimit që ajo zhvilloi sot me kryeministrin Sali Berisha.

“Ne presim, që para tetorit, në frymën e dialogut e bashkëpunimit, të jenë bërë hapa substancialë në drejtim të 12 prioriteteve të Bashkimit Europian dhe e rëndësishme në këtë drejtim është vazhdimi i dialogut dhe konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës”- tha ajo.

Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria po punon fort në këtë drejtim. “Ndonëse kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, pasi ne e nisëm atë si vendi i tretë më i varfër në botë, me 204 dollarë për frymë, sot  jemi vend me të ardhura mesatare të larta dhe kemi arritur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara. Arritje të mëdha janë shënuar gjithashtu në ndërtimin e një rrjeti rrugor tërësisht të ri e modern, në krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për biznes e investime, në ruajtjen e rritjes ekonomike, ndonëse në një periudhë të vështirë të krizës financiare e ekonomike europiane e botërore, në fushën e turizmit dhe veçanërisht në fushën e ICT-së”- tha Berisha.

Ai shprehu gatishmërinë e plotë të mazhorancës qeverisëse për vazhdimin në frymën e dialogut e të bashkëpunimit me opozitën, të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.

“Mbetem me shpresën se opozita do të pranojë miratimin e kufizimit të imunitetit më 6 Gusht, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe për ligjet e tjera me shumicë të cilësuar”- tha kryeministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura