Margarita Xhepa merr kupën e Festivalit të Pejës

Jul 4, 2011 | 11:24
SHPËRNDAJE

“SHQIP FILM FEST 2”, ky ishte titulli i Festivalit ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër që u zhvillua në qytetin e bukur të Pejës nga data 25-30 qershor 2011. Nga një seleksionim i gjatë e mbi 2000 filmave nga e gjithë bota, fituan vend për konkurrim vetëm 23 filma të ardhur nga Gjermania, Turqia, Franca, Polonia, Anglia, Italia, USA, Holanda, Kuba, Suedia etj. Gjithashtu morën pjesë në konkurrim 5 filma nga Kosova: “Gjini”, “Kulla e sahatit”, “Përshëndetje nga Prishtina”, “Ashensori”, “Kuleta”. Nga Shqipëria mori pjesë vetëm një film i producent -regjisorit Ilir Harxhi, me titullin “Shkallët”, i vlerësuar deri tani edhe në 3 konkurrime të tjera në Francë, Shqipëri e Maqedoni. Vëmendjen e publikut dhe të kritikës e tërhoqën disa filma të veçantë, që sillnin mesazhe të fuqishme për botën e sotme të trazuar. Personazhet kryesore në këta filma ishin veçanërisht gratë, të rinjtë e mosha e tretë. Disa nga këta filma kishin gjetje të bukura kinematografike, duke paraprirë diku mesazhi, diku regjisura, diku loja e aktorit apo kamera, muzika etj. Juria e pati të vështirë të përcaktonte fituesit, siç e theksoi në fjalën e tij të mbylljes kryetari i jurisë, Martin Strange Hansen, sepse kishte një konkurrence të fortë. Megjithatë, në sallën e kinemasë qendrore të Pejës u organizua bukur dhënia e çmimeve të këtij festivali. Çmimin e madh e mori filmi nga Polonia me titullin “http:/” e autorit Bartosz Kruhlik. Kupën e festivalit për skenarin më të mirë e mori po i njëjti film, me autore Paulina Skibinska. Për regjinë më të mirë dhe aktorin më të mirë të këtij festivali dy kupat u morën nga filmi turk “Rrugë pa kthim”, me regjisor Guclu Yaman dhe aktori Aljoscha Zinflou. Një botë pa kufij dhe mure, ky ishte mesazhi kryesor filozofik i filmit. Nga filmat kosovarë mori çmimin “Faruk Begolli”, filmi me titull “Gjini” i regjisorit Korab Blecaj. Atmosferën më elektrizuese gjatë ndarjes së çmimeve, e cila u transmetua direkt nga kanali “21” i Kosovës, e krijoi dhënia e kupës së festivalit për aktoren më të mirë, Artistes së Popullit, Margarita Xhepa, e cila interpretoi plot dhimbje e realizoi   figurën e nënës së biznesmenit në këtë film. Në fjalën e saj ajo tha tepër e emocionuar: “Ju përshëndes të gjithëve nga zemra. Më erdhi mirë që isha pjesë e këtij festivali të bukur. Në jetën time të gjatë artistike ka qenë i madh gëzimi i punës. Kam krijuar shumë role në teatër e kinematografi dhe kurdoherë kam kërkuar të veçantën e çdo roli. E falënderoj jurinë që ndali vëmendjen te personazhi im, duke më dhënë këtë trofe nga festivali. Falënderoj nga zemra regjisorin Ilir Harxhi për besimin dhe bashkëpunimin, duke i uruar suksese të tjera. Më vjen mirë që këtë çmim e marr në Pejën tonë të bukur, djepin e kulturës, traditës dhe të artit. Më vjen mirë që këtë çmim e marr në kinemanë me emrin e madh të të paharruarit Jusuf Gërvalla.” Duke qenë e pranishme si kritike filmi në këtë festival dhe pikërisht duke qenë dëshmitare edhe e këtij çasti, unë u emocionova kur pashë që ndërsa në skenë ngjitej aktorja jonë e madhe, salla u ngrit në këmbë, duke duartrokitur vazhdimisht. Duartrokitjet vazhduam edhe kur aktorja falënderoi regjisorin e filmit. Filmi “Shkallët” stigmatizon tahmanë e biznesmenëve të rinj që, të verbuar nga fitimi, kursejnë edhe atje ku nuk duhet, duke u bërë vetë viktima të makutërisë së tyre.
“Vërtetë filmi është i metrazhit të shkurtër, por ai mbante brenda lojën e një artisteje të madhe”, u shpreh kryetari i jurisë. Regjisori Ilir Harxhi ndërkohë pranonte përgëzimet e kolegëve dhe ndiente ngazëllim që mundi i tij krijues u shpërblye edhe kësaj radhe.
Organizatorët e festivalit, që ishin një grup të rinjsh të talentuar me në krye Naser Rafunën e Reshat Alijan, kishin bërë maksimumin që mysafirët kineastë nga e gjithë bota të shijonin nga afër vendet më të bukura turistike të Pejës të rrethuar me male madhështore, pyje të shumtë e ujëra pa mbarim.
Kjo bukuri natyrore e mahnitshme ishte si një ftesë për pritje të ardhshme në organizimin e festivaleve të tjera.

ANGJELINA XHARA
(*Kritike filmi)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura