MAMAJA E MARIELIT: “Mirjeta nuk na pëlqen, ajo po luan me sinqeritetin e tij”

Feb 26, 2011 | 14:16
SHPËRNDAJE

Janë të dy 23 vjeçarë, dhe 24 orë në 24 nuk i kanë shpëtuar syrit të familjes Shehi, tre pjesëtarët e tjerë të familjes së Marielit që jetojnë në Itali. Të diplomuar të dy në ekonomi, Marieli dhe Mirjeta para se të hynin në “Big Brother 4” duhet t’i kenë bërë ca llogari me veten, ndërsa janë ndier si të ardhur nga planete të huaj, ai nga Italia dhe ajo nga Anglia. Nuk e njohin mentalitetin e të rinjve këtu, dhe kjo ka qenë arsyeja, pse marrin pjesë në këtë lojë e gjitha në sy të kamerave. Marieli me skedën “nuk dua të jem më lart se të tjerët” dhe Mirjeta që vë në pah autostimën kur thotë se “kam shumë besim tek vetja”, janë takuar në një feeling në këtë “reality show”. Babai i Mirjetës e dha pëlqimin në spektakël. Por si e shohin këtë lidhje babai Petriti, mami Majlinda dhe vëllai Anxhelo i Marielit. Në një intervistë të parë të saj, Linda shpjegon gjithçka:
Tashmë e njohim Marielin nga ekrani ,po cila ka qenë jeta e tij para se të hynte në lojë, është tip i shoqërueshëm apo natyrë e vetmuar?
Jeta e Marielit jashtë shtëpisë është e mbushur plot me aktivitete e turne sportive. Marieli është i sjellshëm, i dashur, i çiltër dhe shumë i sinqertë dhe ka një shoqëri shumë të hapur.
Është komentuar shumë për lotët… Ka qenë gjithmonë një tip kaq i prekshëm?
Po ai është një tip shumë i ndjeshëm dhe përlotet. Por duke e parë aty brenda, e shohim që bëhet akoma më i ndjeshëm dhe kjo i ndodh për shkakun se aty është i mbyllur dhe e ndjen shumë mungesën e familjes.
Atëherë, cila është pjesa e fortë e karakterit që ka Marieli, që ende nuk e ka shfaqur,  edhe pse merret me një sport të fortësh?
Duke pasur parasysh presionin psikologjik që ushtrohet brenda, shikojmë që Marieli nuk po demostron atë pjesë të fortë të karakterit të tij për t’u dhënë një drejtim të duhur gjërave, ashtu siç vepron dhe jashtë.
Kemi parë që babai i Mirjetës e dha pëlqimin për Marielin, po ju si nëna e tij, si e shihni këtë lidhje, ju pëlqen?
Duke ndjekur BB4, 24 orë në 24, ne si familje nuk  jemi dakord me këtë lidhje, pasi u bë e imponuar nga Mirjeta, gjë të cilën ajo e ka pohuar vetë aty brenda me shoqen e saj, Klodi dhe ka treguar se si e ka bërë Marielin për vete.
Pra, nuk është Mirjeta tipi i vajzës që ju dëshironi ta shihni në krah të Marielit?
Për Mirjetën “no coment”. Mund të themi thjesht se janë krejtësisht të kundërt nga njëri-tjetri.
Por kemi parë që Marieli i ka shkruar letër Mirjetës, madje me ndihmën e Shkëlqimit. Siç e njihni ju Marielin, mendoni se ai ka rënë në dashuri me Mirjetën?
“Dashuri” është një fjalë e madhe, por kjo pyetje do ishpër Marielin, vetëm ai mund t’i japë një përgjigje.
Si Marieli, ashtu dhe Mirjeta, janë rritur jashtë dhe nuk e njohin mirë brezin e tyre këtu në Shqipëri. Kjo i bën më interesantë apo i pengon për sukses në lojë?
Për Marielin, kjo është një pengesë në lojë. Ne pjesëmarrjen e Marielit në BB4 e kemi ndjekur gjithmonë si Mariel dhe jo çift sepse ai nuk ka nevojë të luajë në çift.

Linda: Ai nuk ka pasur histori të gjata me femra

Ka pasur shumë lidhje Marieli para se të hynte në BB, a ka pasur ndonje lidhje të gjatë dhe të rëndësishme. Si sillet në raste të tilla?
Marieli lidhjet nuk i ka pasur shumë të gjata, pasi ai një pjesë të madhe të kohës e ka të zënë me sportin e tij. Mund të them se në lidhje, ai është gjithmonë i respektueshëm dhe shumë i lexueshëm në këtë anë. Shkëputja në lidhje ka qenë normale.
Ka preferenca të veçanta për femrat, çfarë tipesh i pëlqejnë dhe cilat nuk i duron dot fare?
Femrat që i pëlqejnë Marielit duhet të jenë të sjellshme, me intelekt, të sinqerta siç është ai vetë. Për lidhje serioze i pëlqen një vajzë për shtëpi dhe besnike. Ai nuk i duron femrat që nuk janë të sinqerta dhe që nuk arrijnë ta kuptojnë atë.
Disa hobe të tjera të tij që nuk i ka rrëfyer ende?
Hobe të tjera mund të themi që ai ka shumë dëshirë të hapë një palestër të tijën  dhe të vazhdojë për fizioterapist. Gjithashtu ka pasion të bëhet aktor.

“S’e kemi besuar kurrë që ajo e dashuron Marielin”

Pas deklarimit të Mirjetës se lidhja me Marjelin mund të mos jetë jetëgjatë, dyshimet për të shtohen edhe më shumë në sytë e Lindës.
Kemi parë që Mirjeta është shkëputur nga Marieli duke pohuar se “Lidhja me Marielin mund të mos funksionojë”. I keni ndjekur situatat dhe si do e komentoje këtë ndryshim të fundit në lidhjen e tyre?
Për ne është një justifikim i Mirjetës, megjithatë them se përgjigjen e kesaj pyetje duhet ta japë ajo me një sinqeritet të plotë.
Ndërkohë që Klodi i thotë që ajo është e pavendosur, mendoni dhe ju kështu?
Sigurisht.
Mirjeta është shprehur shumë e dëshpëruar se Marieli i qëndron larg, gjë që e ka bërë të ndihet keq. Pse mendoni se mund t’i qëndrojë larg ai Mirjetës?
Marieli nuk po i qëndron larg Mirjetës, është ajo që e shtyn dhe e largon Marielin me fjalët dhe veprimet e saj. Dhe është parë shumë mirë se sa e ka respektuar ai atë dhe sa i durueshëm është treguar ai me të, gjë të cilën ajo po e shfrytëzon në maksimum.
Ajo ka përmendur emrin e Almës, me të cilën ai ka qëndruar gjatë, gjë që e ka bërë Mirjetën të ndihet keq. Është kjo lojë e Marielit për ta bërë Mirjetën xheloze?
Marieli nuk ka luajtur asnjëherë me femrat për t’i bërë xheloze, përkundrazi i respekton ato në maksimum. Dhe sa për Almën, ai ua ka bërë të qartë të gjithëve që ditën e parë që e konsideron si mamin e tij, gjë të cilën dhe Alma ia ka pranuar. Por Mirjeta do që ai të shkëputet nga të gjithë, ta mbrojë atë nga të gjithë dhe kështu t’i ngrejë vlerat vetes së saj.
Ajo është në dilemë se pasi të dalin, lidhja e tyre nuk mund të funksionojë për faktin se ata janë larg dhe do vuajnë. Është pretekst i Mirjetës për t’i dhënë fund lidhjes?
Këtë Mirjeta duhet ta kishte menduar para se t’i bënte propozimin Marielit. Nuk mendoj që ky është problemi i saj kryesor, të vërtetën duhet ta tregojë ajo vetë.
Po qëndrimi i Klodit ndërsa i thotë Mirjetës të mos humbë një person të tillë si Marieli, të duket e sinqertë?
Them se është e sinqertë.
Sa të  vërteta ju tingëllojnë fjalët e Mirjetës, kur thotë se e dashuron fort Marielin?
Duke e vëzhguar 24 orë pa pushim s’e kemi besuar kurrë.
Ata janë të dy moshatarë, mendon se do të vazhdojnë gjatë pasi të dalin nga shtëpia?
Siç është shprehur dhe vetë Marieli brenda shtëpisë së BB, mendoj t’ia lëmë kohës.
Nëse do të kishit mundësi t’i jepnit një këshillë Marielit për këtë moment të lidhjes, cila do të ishte?
Do i thoja mos lejo njeri të luajë me zemrën, dinjitetin dhe krenarinë tënde, sepse nuk e meriton një gjë të tillë.

 

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura