Mallakastër, “luajnë vendit” natën edhe 3 fshatra të tjera

Feb 28, 2013 | 12:39
SHPËRNDAJE
Një prej shtëpive të dëmtuara në Mallakastër

Fshatrat e Mallakastrës janë përfshirë në rrëshqitjen masive të tokës, duke përhapur panik dhe rrezikuar jetën e banorëve. Veç lagjes kodrinore në Ngracie, e cila pësoi shkarje të tokës, një tjetër lagje e saj, por edhe fshatrat Çorrush, Hekal dhe Kutë, kanë dhënë shenjat e para të rrezikut. Më problematike paraqitet fshati Çorrush, ku deri më tani janë dëmtuar tri shtëpi dhe dy lokale, ndërkohë që dhjetëra banesa të tjera janë të rrezikuara. Banorët bëjnë thirrje për ndihmë dhe ndërhyrje emergjente, pasi sipas tyre po flenë me frikë në banesat e tyre, ndërsa herë pas here ndjejnë tronditje të lehta, si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Shembja masive e tokës ka vijuar edhe gjatë natës në fshatin Ngracie, duke e çuar sipërfaqen e shembur në më shumë se 60 ha. Dy banesa të reja janë dëmtuar pjesërisht, ndërsa dhjetëra të tjera rrezikohen nga kjo dukuri. Kreu i komunës Qendër, Agron Kapllanaj, u shpreh dje se situata është shumë e vështirë. Familjet e prekura nga fenomeni natyror kanë mbetur pa shtëpi e prona, ndërsa janë strehuar përkohësisht në një hotel ndërtuar anës rrugës automobilistike Fier-Ballsh. Por, shumica e banorëve dje ishin larguar, duke u strehuar te të afërmit e tyre. “Specialistët gjeologë që mbërritën ditën e djeshme nga kryeqyteti, pas verifikimeve në terren, kanë arritur në përfundimin se shkarja do të vazhdojë për shkak të paqëndrueshmërisë së strukturës së tokës ku është duke vepruar fenomeni i shkëputjes. Këta banorë po vazhdojnë të mbeten të strehuar përkohësisht në hotele, por ende nuk është vendosur për në vijim. Sot ata janë pa shtëpi dhe pa prona”, tha Kapllanaj. Sipas tij, një tjetër lagje, ngjitur me atë që u shkatërrua brenda një nate, është në rrezik pasi shkarjet e tokës po avancojnë dhe janë shumë afër dhjetëra shtëpive të tjera.
Qindra banorë të lagjeve të tjera të brendshme në Ngracie janë të izoluar. Rruga e vetme që i lidhte ata me rrugën kombëtare është shembur tërësisht. Në zonë kanë nisur verifikimet prej grupit të specialistëve të ngritur nën kujdesin e komunës dhe Këshillit të Qarkut. Sipas të dhënave paraprake, dëmet janë në miliona lekë, ndërsa pritet që pas plotësimit të dosjes brenda afatit prej pesë ditësh, ajo të miratohet në Këshillin e Komunës dhe më vonë të kalojë për miratim në Drejtorinë e Emergjencave Civile për të përfituar familjet dëmshpërblim. Ndërkohë që në fshatin Çorrush, veç ndërtesave të dëmtuara, janë evidentuar edhe tre dynymë  tokë që kanë rrëshqitur gjatë natës.

MALLAKASTER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura