Taksat e makinave, PS: Janë trefishuar

Sep 30, 2011 | 10:24
SHPËRNDAJE

Parlamenti miraton me 71 vota pro dhe 60 kundër aktin normativ të qeverisë për pastrimin e akseve kombëtare nga varrezat e makinave. Për rreth katër 3 orë e gjysmë, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës debatuan mes tyre për qëllimet e këtij akti, që përcakton një afat 40-ditor për largimin deri në një kilometër nga rrugët kryesore të vendit të këtyre vendgrumbullimeve të makinave të prishura.
Debati
Përfaqësuesit e opozitës akuzuan qeverinë se me këtë akt synohet një tjetër veprimtari korruptive, pasi makinat që do të konfiskohen do të jepen për skrap. Deputeti i qarkut të Durrësit, Gazmir Bizhga, hodhi hije dyshimi, duke thënë se në afërsi të aksit Tiranë-Durrës, është ngritur një impiant që është bërë gati të përpunojë këto makina, duke shtuar se pas saj janë disa sekserë serbë. “Thuhet se këtu pranë nesh, midis Tiranës e Durrësit, saktësisht në Fllakë, është ndërtuar nga sipërmarrës një impiant i grumbullimit e përpunimit të makinave të dala jashtë përdorimit, i cili ka nevojë urgjente për lëndë të parë. Sekserët e kësaj afere, që janë serbë, janë bërë gati. Dihet dobësia e Kryeministrit tonë për sekserët serbë që kanë aktivitet në Shqipëri. Presin vetëm miratimin e këtij akti”, u shpreh Bizhga. Ndërsa deputeti Blendi Klosi u shpreh se edhe në këtë rast po veprohet njësoj si me Gërdecin dhe rrugën Durrës- Kukës, ku po përfshihet edhe Parlamenti që më pas ministrat të mos mbajnë përgjegjësi për çfarë mund të ndodhë. “Po përgatitet një aferë korruptive. Ashtu siç bëtë me Gërdecin dhe Durrës-Kukës, po e sillni në Parlament që nesër ministrat të thonë: ‘Qe baba gishtat, unë jam anëtar qeverie, por Parlamenti e ka votuar’”, tha Klosi. Në përgjigje të akuzave të opozitës, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh se ky akt nuk ka asnjë impakt social, pasi ato janë biznese të regjistruara. Sipas tij, konfiskimi i makinave të prishura është lënë si veprim i fundit pasi pronarëve u është dhënë një afat i mjaftueshëm për t’i larguar këto vendgrumbullime nga akset kombëtare. “Qëllimi kryesor është shmangia e varrezave të makinave nga akset nacionale. Konfiskimi është mjeti i fundit. Akti u jep kohën e duhur pronarëve të këtyre makinave t’i zhvendosin larg akseve nacionale. Impakti social është zero sepse nuk janë biznese të regjistruara dhe nuk kanë njerëz të punësuar”, u shpreh Olldashi. Ndërsa Jemin Gjana, në emër të Grupit të PD-së, u shpreh se “me aktin normativ zgjidhim dy gjëra: së pari këto aktivitete mund t’i vëmë në kontroll bazuar në ligjet për mbrojtjen e mjedisit, madje edhe për licencimin e tyre si veprimtari ekonomike; së dyti, edhe nga vetë nenet e aktit duket se sipërmarrja është për të eliminuar në një kohë të shpejtë të mundshme nga akset rrugore këto aktivitete që janë një ndotje vizive, pa përjashtuar edhe ndotjet e tjera shumë të mëdha”.

Debati në Parlament
Sokol Olldashi:
Qëllimi kryesor është shmangia e varrezave të makinave nga akset nacionale. Konfiskimi është mjeti i fundit. Akti u jep kohën e duhur pronarëve të këtyre makinave t’i zhvendosin larg akseve nacionale. Impakti social është zero sepse nuk janë biznese të regjistruara dhe nuk kanë njerëz të punësuar.
Taulant Balla: A bën pjesë në manualin e NATO-s përdorimi i Forcave të Armatosura në këtë praktikë të re që synoni? Me informacionin që kam përpara nuk i lejohet Ministrisë së Mbrojtjes të bëjë këtë gjë. A e ka mbaruar Ministria e Mbrojtjes procesin e demontimit të armëve?
Jozefina Topalli: Pyetja nuk ka lidhje me aktin normativ.
Arben Imami: Ajo që ne kemi detyrim ndaj NATO-s lidhen me kontekstin e sigurisë. Çdo Forcë përcakton misionin e saj. Sa i përket demontimit, ai po ecën shkëlqyeshëm, shpresoj se do të bëjmë më të mirën edhe për këtë proces.
Sokol Olldashi: Në inventarin total prej rreth 460 mijë automjetesh, nuk paguajnë detyrimet rreth 160 mijë mjete. Pra, mjetet motorike që figurojnë ende të regjistruara, por që praktikisht nuk ekzistojnë sepse kanë përfunduar në varreza janë jo pak, por 160 mijë.
Armando Subashi: Kjo është një situatë e menduar mirë, ndryshe nuk mund të shpjegohet lajmi që ka transmetuar para disa ditësh një televizion pranë qeverisë ku “Kurum” ka sjellë një presë të fuqishme që ndan plastikën nga metali. Është e turpshme kur shikon që ministrat e sotëm, pasi kanë mbaruar punë me pasuritë e tjera të vendit, janë vënë në garë edhe për skrapin. Skrap e plehra është trendi i sotëm i kësaj qeverie. Skrap të mbarë, të dashur qeveritarë!
Tritan Shehu: Të mbledhësh hekurishte, të pastrosh ambientin, të përmirësosh jetën e qytetarëve, është një nga detyrat kryesore të çdo qeverie që punon për qytetarët. Është shumë urgjente marrja e masave për të pastruar ambientin.
Gazmir Bizhga: Arsyeja e vërtetë, të nderuar kolegë, për miratimin e këtij akti, duket se është gjetkë dhe përkon me interesat e një grupi të caktuar biznesi pranë klanit politik e familjar të Kryeministrit tonë. Thuhet se këtu pranë nesh, midis Tiranës e Durrësit, saktësisht në Fllakë, është ndërtuar nga sipërmarrës një impiant i grumbullimit e përpunimit të makinave të dala jashtë përdorimit, i cili ka nevojë urgjente për lëndë të parë. Sekserët e kësaj afere, që janë serbë, janë bërë gati. Dihet dobësia e Kryeministrit tonë për sekserët serbë që kanë aktivitet në Shqipëri. Presin vetëm miratimin e këtij akti.
Selami Xhepa: Ky ligj kërkon të zgjidhë një situatë emergjence dhe nuk kërkon të rregullojë një treg të parregulluar deri më sot. Rregullimi i një tregu që deri më sot ka qenë i parregulluar, është objekt i një ligji tjetër, do të diskutohet në të ardhmen. Objektivi i këtij akti është që qeveria t’i përgjigjet një shqetësimi të madh publik për të zgjidhur një katastrofë kombëtare.
Blendi Klosi: E gjithë kjo histori vjen vetëm si një dëshirë e Sali Berishës për të mbyllur një akt korruptiv, për të bërë një veprim që ka një farë efekti te njerëzit që realisht janë të dëmtuar nga kjo pjesë e ndotjes së mjedisit dhe sa i përket zbatimit të saj, është zero. Po përgatitet një aferë korruptive. Ashtu siç bëtë me Gërdecin dhe Durrës-Kukës, po e sillni në Parlament që nesër ministrat të thonë: “Qe baba gishtat, unë jam anëtar qeverie, por Parlamenti e ka votuar”.
Jemin Gjana: Me aktin normativ zgjidhim dy gjëra: së pari këto aktivitete mund t’i vëmë në kontroll bazuar në ligjet për mbrojtjen e mjedisit, madje edhe për licencimin e tyre si veprimtari ekonomike; së dyti, edhe nga vetë nenet e aktit duket se sipërmarrja është për të eliminuar në një kohë të shpejtë të mundshme nga akset rrugore këto aktivitete që janë një ndotje vizive, pa përjashtuar edhe ndotjet e tjera shumë të mëdha.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura