Makina me drogë Lazarati godet policinë, 1 në pranga

Oct 31, 2011 | 12:10
SHPËRNDAJE
Makina me drogë e bllokuar dje nga policia e Gjirokastrës

Droga e mbledhur në Lazarat ka detyruar disa elementë të këtij fshati, kryesisht të rinj, të ndërmarrin iniciativa për daljen nga fshati të lëndës narkotike të mbetur stok. Dy të rinj lazaratas kanë tentuar të përcjellin 147 kg marijuanë nga fshati i tyre, në drejtimin jugor, mendohet për në Sarandë. Policia ka arritur të kapë një prej lazaratasve, por dështoi në kapjen e personit të dytë, i cili mendohet se është dhe poseduesi i marijuanës. Gjithçka është dekonspiruar nga një informacion që qarkullonte mes pesë lazaratasve, për lëvizjen e një ngarkese droge nga Lazarati në drejtim të Sarandës e mandej, përtej kufirit me Greqinë. Policia e Gjirokastrës, duke pasur të sigurt ekzistencën e lëvizjes së një makine nga Lazarati drejt një territori jashtë zonës së tij, u vu në lëvizje duke implementuar operacionin antidrogë të pagëzuar “Vesa e mëngjesit”. Ka qenë ora 03:00 e mëngjesit të së dielës, kur specialistët e sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të lartpërmendura, ranë në ndjekje të mjetit që ishte nisur nga Lazarati. Brenda automjetit pa targa, të tipit “Fiat Punto”, ndodheshin 147 kg marijuanë të presuara gati për trafik në Greqi përmes rrugës detare në Sarandë. Në makinë ndodheshin një 17-vjeçar dhe një i ri 27-vjeçar, të dy bashkëpunëtorë në “biznesin” e drogës, banorë të Lazaratit. Për t’i kapur në flagrancë, Policia e Gjirokastrës ngriti disa pika kontrolli të dukshme dhe grackë përgjatë aksit rrugor Gjirokastër-Sofratikë, përfshirë edhe një pikë kontrolli poshtë fshatit Lazarat, në afërsi të Gropës së Gëlqeres. Rrugëtimi i mjetit me marijuanë nuk ka zgjatur më shumë se 5 km, pasi u ndesh me një postbllok policor. Policët i patën bërë shenjë makinës të ndalonte, por të shqetësuar nga ajo që vështruan, dy të rinjtë që ndodheshin në mjet, vijuan rrugën duke çarë bllokimin dhe kësisoj duke goditur makinën e policisë, aq sa rrezikuan edhe jetën e policëve që ndodheshin në gatishmëri në postbllok. Pasi kanë vazhduar rrugëtimin disa metra më tutje, dy të rinjtë lazaratas kanë braktisur automjetin së bashku me mallin narkotik. Ky veprim u diktua nga defekti që pësoi mjeti si pasojë e goditjes me makinën e policisë në postbllok. Dy të rinjtë, për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia, kanë hyrë në një territor qorr në periferi të Lazaratit, në pjesën e poshtme të tij për të vazhduar deri në një vendstrehim brenda fshatit. Njëri prej të rinjve u kap nga uniformat blu, ndërsa tjetri që ishte më i madh në moshë, arriti t’i shpëtonte ndjekjes së mëtejshme. Policia ka arrestuar 17-vjeçarin me inicialet H.M., nga Lazarati, ndërkohë që shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij K.S., 27 vjeç po nga fshati Lazarat.

147 kilograme
marijuanë e presuar u bllokua dje në dalje të Lazaratit, në tentativë për t’u trafikuar drejt Sarandës e më pas drejt kufirit me Greqinë. Policia po vazhdon hetimet për të identifikuar personat e tjerë të implikuar

Operacionet e tetorit në Gjirokastër
8 tetor
Kapen 13 kg marijuanë në autobusin e linjës ndërkombëtar Fier-Athinë, në Kakavijë. Arrestohet emigranti 25-vjeçar Erion Trifoni, i cili ishte nisur nga qyteti i Fierit me drogën

9 tetor Bllokohen në afërsi të kufirit me Greqinë 18 kg marijuanë. Policia arreston Armando Azizajn, 24 vjeç, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Nga ndjekja e policisë, automjeti i drogës doli nga rruga dhe ra në një kanal në aksin rrugor Vrisera-Llongo

13 tetor Indrit Muliu, 21 vjeç, student i Universitetit të Gjirokastrës, u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim për trafikun e 75 kg drogë, ngjarje kjo e ndodhur në muajin qershor të këtij viti

17 tetor Dy balerinë nga Tirana, Nertil Xhani dhe Almenda Hoxha, u arrestuan në autobusin Gjirokastër-Tiranë me 30 kg marijuanë. Ata e mohuan ngjarjen, por policia deklaroi se ata kishin blerë drogën në Lazarat për 15 mijë euro

23 tetor Rreth 5 kg marijuanë u gjetën në bagazhin e autobusit të linjës Gjirokastër-Tiranë. Policia identifikoi dhe arrestoi një 18-vjeçar nga Tirana, i cili kishte futur valixhen në autobus e më pas ishte larguar për të mos rënë në sy

GJIROKASTER/ PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura