Majko: Kadare në gjyq me Enver Hoxhën, fituan të dy

Jul 31, 2012 | 12:44
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri i PS komenton padinë për “Dimrin e Madh”

Ish-Kryeministri i socialistëve, Pandeli Majko, ka komentuar në rrjetin social “Facebook” përpla-sjen e fundit midis gruas së ish-diktatorit Enver Hoxha me shkrimtarin Ismail Kadare dhe dorëshkrimin e “Dimri i vetmisë së madhe”. Deputeti i Partisë Socialiste ka vlerësuar gjithashtu dhe tablonë e Viktor Hygosë “Ura me tri harqe”, që u ndërtua nga shkrimtari i shquar Kadare. Për socialistin, përballja në gjyq për dorëshkrimin midis Kadaresë dhe Nexhmije Hoxhës bëri që të dy të fitonin në marrëdhënie me historinë. “Piktura, paraqet një ‘Urë’ dhe është e pazakontë, jo vetëm për këtë. Është bërë nga një shkrimtar. Ai quhet Viktor Hygo. Në Tiranë, më i madhi i letrave shqipe (Ismail Kadare) ‘u përball’ në gjyq me pushtetarin më jetëgjatë të shtetit shqiptar (Enver Hoxhën). Dorëshkrimi ‘Dimri i vetmisë së madhe’, i cili zotërohej nga familjarët e politikanit të vdekur, u dorëzua në Arkivin e Shtetit me vendim gjyqësor. Ishte një betejë ligjore e zakonshme në ‘procedurë’ dhe e pazakontë në sensin e marrëdhënieve me kohën. Në marrëdhënie me historinë fituan të dy! Përballë njëri-tjetrit, fitoi shkrimtari! Tjetri, bëri atë të cilën kishte bërë edhe kur ishte gjallë. Për të fituar përjetësinë, pranoi statusin e ‘personazhit’ të shkrimtarit”, shkruan Majko.
Sulmet ndaj Kadaresë
Më tej në argumentet e tij, Majko dënon sulmet ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, që sipas ish-kryeministrit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm me veprat e tij. “Shpesh, shoh individë që sulmojnë shkrimtarin. E sulmojnë për të kaluarën, për heshtjen, për kokuljen, për postet… në regjimin komunist. Harrojnë se duke mbetur gjallë, ishte mbase i vetmi, që me artin e tij ndërtoi ‘Urën me tri harqe’ (trinitia, lindje-jetë-vdekje), përmbi të cilën shoqëria shqiptare eci nga diktatura në demokraci. Në ‘këmbën’ e Urës keni vetë shkrimtarin dhe ‘fajin’ e tij të murosur në të. Pse mund të fyhet sot, një Urë?! Mbase për faktin se të kujton që vjen nga ‘ana tjetër’ e kohës. Dhe kjo nuk është pak për një shoqëri postkomuniste. Viktor Hygo ishte një gjeni. Ismail Kadareja ynë është më shumë, të paktën si ‘piktor’…. ‘Ura’ e tij, as nuk mund të shihet dhe as të pikturohet! Ajo ka dëshmitarë vetëm ata që e kaluan. Unë jam një nga Ata! Faleminderit shkrimtar!”, thekson Pandeli Majko.

Dorëzimi i fotokopjes, një vit më parë
Pas shumë tentativash të Ismail Kadaresë, përmes ndërmjetësish, për të rimarrë nga Nexhmije Hoxha dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, në qershor të vitit të shkuar, Teuta Hoxha ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit një kopje të romanit. Në emër të Nexhmije Hoxhës, ajo dorëzoi një fotokopje të dorëshkrimit. Sa i përket origjinalit, Nexhmije Hoxha ka pretenduar se është një dhuratë nga ana e shkrimtarit Ismail Kadare dhe ajo nuk ka përse ta dorëzojë.

Kadare fitoi gjyqin, dorëzohet dorëshkrimi
Dorëshkrimi aq i përfolur i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” u dorëzua të premten në Arkivin Qendror Shtetëror. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit për sigurim padie, dorëshkrimi në posedim të familjes Hoxha sekuestrohej dhe merrej në ruajtje të përkohshme nga Arkivi i Shtetit. Përfaqësuesi ligjor i Nexhmije Hoxhës dhe e reja Teuta Hoxha kanë bërë të premten dorëzimin. Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të AQSH, Nevila Nika: “U bë dorëzimi fletë për fletë (gjithsej 1252) sipas dosjeve ku ishin vendosur, gjithsej shtatë, nga përfaqësuesi i Nexhmije Hoxhës”. Më datën 18 korrik, Kadare ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës një kërkesë-padi, për të cilën është bërë shkak dorëshkrimi origjinal i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Sipas padisë, shkrimtari pretendon se dorëshkrimi origjinal i këtij libri mbahet në mënyrë të paligjshme nga e veja e diktatorit. Pasi kanë dështuar të gjitha tentativat e shkrimtarit për ta rimarrë këtë dorëshkrim, ai i është drejtuar Gjykatës së Tiranës përmes një kërkesë-padie. Çështja gjyqësore mban numrin 14897. Në Gjykatën e Tiranës, padia u shqyrtua nga gjyqtari Bledar Abdullai.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura