Majko: Dokumenti i gjermanëve, Shqipëria u çlirua më 29 nëntor

Nov 30, 2013 | 10:08
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Pandeli Majko shkruante dje në faqen e tij në Facebook se gjermani i fundit iku nga Shqipëria më 29 nëntor 1944. Këtë deklaratë Majko e bazon në një dokument që një ish-ushtarak gjerman i kishte dhuruar atij në Tiranë. “Vite më parë këshilltari ushtarak gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes më kërkoi takimin e fundit zyrtar. Gjatë atij takimi, me një lloj ‘ndjese’ më kërkoi që të linte një dhuratë të veçantë me rastin e largimit. Ai ishte një dokument i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. ‘Duke ndjekur debatet që kam parë në publikun shqiptar për ditën e çlirimit të vendit tuaj, shpresoj që ky dokument të jetë i dobishëm….’. Këto ishin fjalët e këshilltarit gjerman. Dokumenti në fjalë shkruante se trupat gjermane janë larguar nga Shqipëria më 29 nëntor 1944. Atë dokument e gjeni sot edhe në arkivat e Forcave të Armatosura Shqiptare”, shkruan Majko. Duke uruar 29 Nëntorin, deputeti socialist shprehet se “partizanët dhe gjermanët që luftuan me njëri-tjetrin… thonë që dita e çlirimit është 29 Nëntori. Ne të tjerët duhet ta respektojmë historinë dhe gjakun e atyre që çliruan vendin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura