Majko: Deklarata e Berishës? Historia duhet folur siç është

Nov 30, 2012 | 10:51
SHPËRNDAJE
Pandeli Majko

Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, tha dje nga Korça, i pyetur rreth deklaratave të Kryeministrit Berisha, se historia duhet të shkruhet bazuar në protokolle, ndërsa hodhi poshtë reagimet që vijnë nga Greqia se po flitet për një Shqipëri të Madhe. “Nuk besoj se në Shqipëri ka politikanë të cilët të kërkojnë ndryshime kufijsh dhe ndryshime territori”, tha Majko. Përsa i përket deklaratës së Kryeministrit Berisha, Majko tha se “këto deklarime i mirëkuptoj totalisht në sensin që diskutohet historia dhe historia duhet folur ashtu siç është”. “Është historia dhe duhet folur me gjuhën e historisë e të protokolleve të saj. Veç këto detaje të rëndësishme të respektohen ashtu siç kemi kërkuar të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen ndërkufitare, një histori për të cilën shpresoj që të gjendet një zgjidhje, por nuk besoj se mund të ndodhë me këtë qeveri”, tha Majko. Duke komentuar anulimet e vizitave të Presidentit maqedonas dhe ministrit të Jashtëm grek Avramopulos, Majko tha se shqiptarët nuk janë duke shprehur negativizëm karshi fqinjëve. Rajoni ynë, Ballkani, nuk është mësuar me një festë kaq të madhe të shqiptarëve. “Askush nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kjo, pasi nacionalizmi i shqiptarëve është patriotik. Askush nuk kërkon të ndryshojë kufijtë apo të çojë mesazhe të ndonjë historie konfliktuale. Ne duam të hyjmë në familjen e madhe europiane dhe jemi pjesë e një strukture të tillë sigurie si NATO-ja, që nuk mund të diskutohen elementë të natyrave të tilla, a thua se jemi në shekullin e 19-të apo në ndonjë shekull tjetër. Mendoj se konteksti i asaj çfarë shqiptarët nga Vlora dhe në të gjithë vendin festuan, nuk ka të bëjë aspak me ndonjë logjikë negativiste karshi fqinjëve tanë. Historia është ajo që është, pavarësisht se me shqiptarët është sjellë më keq se me çdo komb tjetër”, tha Majko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura