Ma bëni varrë në Kaninë…

Mar 31, 2014 | 13:12
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHA

   Kështu rrjedh vargjet një këngë, që këndohet gjithnjë e më shumë jo vetëm në Labëri, por edhe më gjerë.
Ma bëni varrin Kaninë/ Vjen Qemali nga deti/ Vjen ngarkuar me flamurë/  t’i vendos gurë më gurë/
Është fjala për porosinë që pat dhënë Ismail Qemali, një nga Vlorajt e epërm të Arbërisë.
Duke u ngjitur për në Kaninë, sjellin këtu një “amanet” tjetër, një tjetër Kaniniot dhe Arbëror i përndritur, Eqrem Vlora, që fjalën e porosisë, në shqipen e tij të ruajtur aq bukur, ia pat lënë Hana Këlcyrës. “Ma bëni varr në Kaninë!”
Karroca që ngjiste arkëmortin e Ismail Qemalit për në lartësinë e magjishme, ishte i mbuluar me flamurin kuq e zi, e tërhiqej nga gjashtë kuaj dhe shoqërohej nga dy rreshta ushtarësh. Në udhët së poshtmi ngjiteshin me mijëra labë dhe të krahinave të tjera.
Arkëmorti i Eqrem Vlorës bëri një rrugë të gjatë që nga Vjena. Bëri ca ndalesa hulumtuese, gati të shenjtëruara, në Stamboll, pastaj në Tiranë, më tej te “sarajet” e ringritura në Vlorë, sa të mendohej e të mblidhte gjurmët e tij e të lloisej edhe më shumë përpara se të gjente gurin e rrënjës.
Pastaj të ngjitej me dyshimin dhe dilemën që nuk iu shqit gjithë jetës. Ky amanet, ndofta është lëndimi i vetvetes, një ndjesë e pasme, plot me dashuri dhe hidhërim përndarë në gjithë udhët e botës.
Shqipëria fatkeqe nuk e dinte e as e njihte, sepse ishte e mbushur me ideologjinë e urrejtjes. Fëmijët u këpunë, u ndanë dhe u rropatën, në humbje të humbjes, dhe tani mbin atje ku mbiu i jati, vetëm një bijë që s’e njohu kurrë, sepse mallkimi lozte me fatin e Arbrit. Kur erdhën për herë të parë kujtimet e Eqrem Vlorës, gjindja intelektuale dhe studimore u trand. Si askund tjetër, nuk mund të ndërtohej një kala hulumtuese për fatin e Rilindjes Kombëtare të ngritjes së flamurit e mbijetesës së shtetit të kafshuar e shqyer rrotull, vinin këto dëshmi të rralla.
Tani meditojmë, shohim peizazhet nga fortesa e Kaninës në themele të së cilës ka gurë ciklopikë, e prej këtu duken qartë fusha e Vlorës, deti Adriatik, ishulli i Korfuzit, megjithëse ky është 150 milje larg, gjiri i Vlorës, i Dukatit, Progonati, si edhe shume kështjella të tjera aty pranë. Kanina ka një histori, të cilën do t’ia kishte zili një qytet milionësh. Evlia Çelebiu e jep gjithë këtë shkëlqim të madh të Kaninës..\Por dashurinë e përshkrimit ia ka dhënë vet Eqremi, delegati i Kongresit të Manastirit dhe syndrituri i ngritjes së Flamurit.
“ Të rrethuarit mbetën pa ushqime dhe filluan të bërtasin “C’të hamë ne?” Gazi Evrenozi iu përgjigj në turqisht “Kan-jejen”, dmth “Hani gjak”. Thotë ai për origjinën e emërit Kaninë’
Sheshi dëgjon përmidis kodrave në rrëzë të maleve që ngjiten. Përmidis dallon qetësinë e Hana Këlcyrës, ndërkaq hëna do të vijë nga mesnata mbi Kaninë dhe Këlcyrë. Ajo bën fotografi me qytetarë e të ardhur. Supet e mendjes dhe kujtesës së saj janë lehtësuar disi, por seç ka një stepje, një sforcim që nuk i shkon pranverës, që doemos në zemrën e saj sjell jo pak dhimbje. E ka një trishtim që ia përcjellin “amanetet” që lanë djemtë e shprishur të Arbërisë.
“Dera e Fshatit nga jugu ; Dera e Mbretit nga veriu; dhe Dera e Beut nga lindja.” Sikur flet nga rrëza e gurit Eqremi për të tria dyert e kështjellës. Të tria janë shqyer, janë rrënuar, dhe s’di ku të hysh. Ja ky është fati ynë, me dyer të shqyera, sa as bijtë që lindën këtu s’i mbledhim dot, dhe do të duheshin gjysmë shekulli që eshtrat e Eqrem Beut të vinin në Kaninë.
A nuk duket e tëra kjo si një përrallë, si një Doruntinë (Hana), një Kostandin (Eqremi), që ecin për gjysmë shekulli udhë më udhë, kala më kala, gjersa mbërrijnë në Kaninë?
Dhe prapë nuk del dot nga përralla, edhe pse shikon të dërguarit e Kryeminsitrit, deputetë, drejtues vendorë.
Në kalim të shpejtë, bardhësia e dollomasë së kryegjyshit Brahimaj, që i afrohet bijës së Eqrem Vlorës, Ajnishës, shkëput vështrimin, ashtu sikundër të tërheq kërshëria të bësh paralele mendimi, me Tyrben e Gazi Sinan Pashës, e ndërtuar jo më shumë se 35 metra më tej varrit të sapongritur që shikon nga Deti, nga Mali dhe nga Dera e Mbretit, që nuk është më. Këtu, Eqrem Vlora, siç thotë vetë se ai e ka mendjen dikund në shekullin VII, te një “faltore e vjetër ku njerëzia i lutej Diellit hyjnor, ku gjendej kisha dhe Manastiri i Shën Marisë…” Pas vjen eposi frëng “La Chanson de Roland” me emrin e çuditshëm “Kështjella e Kananit”.
Eqrem Vlora e gjeti formacionin e Dheut të Mëmës me shumë vonesë. Por ama e gjeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura