Lufta në Gaza, predhat bien në shkollën e OKB

Jul 31, 2014 | 12:18
SHPËRNDAJE

Nga bombardimet izraelite mbi Gaza
Lufta në Gaza ka hyrë në ditën e saj të 24-t me ushtrinë izraelite që thotë se nuk do ta ndalë ofensivën deri kur të shkatërrojë të gjitha tunelet e kontrabandës së armëve të Hamasit dhe militantëve të Hamas, që refuzojnë çdo armëpushim deri kur ndërkombëtarët t’i heqin embargot.
 Pasojë e luftës që Izraeli zyrtar e ka quajtur “vetëmbrojtje” ndaj raketave të Hamasit, janë humbjet e jetëve të qindra civilëve palestinezë. Edhe pse bilanci është tragjik, me më shumë se 1200 viktima palestineze, ku më tepër se 70 për qind e tyre janë civilë, dhe rreth 53 viktima izraelite, ku 50 janë ushtarë, qeveritarët në Izrael kanë mohuar një pjesë të sulmeve që u janë “etiketuar” atyre duke dhënë versionin e rënies së gabuar të raketave dhe predhave të vetë Hamas në territorin e Gazës. Bombardimet izraelite vazhdojnë çdo ditë e çdo natë nga ajri, toka e deti. Ofensiva tokësore ka 17 ditë që ka nisur. Të mërkurën, ishte ora 05:00 e mëngjesit kur një shkollë e Kombeve të Bashkuara në kampin e refugjatëve në Jabaliya, ku janë strehuar 3300 palestinezë për shkak të luftimeve të ashpra në lagjet e Gazës, u godit nga katër predha, që u tha se ishin të artilerisë izraelite. Njëra goditi hyrjen ballore, sipas disa dëshmitarëve. Dy të tjera goditën klasat ku njerëzit flinin. Zyrtarë palestinezë të shëndetësisë thanë se të paktën 20 njerëz janë vrarë, nga sa janë shprehur dëshmitarë dhe zyrtarë të OKB-së, në serinë e fundit të bombardimeve mbi ndërtesat e OKB, që supozohet se duhej të konsideroheshin zona të sigurta edhe në mes të betejës 23-ditëshe mes Hamasit e militantëve të tjerë dhe forcave izraelite. Zyrtarë të OKB kanë fajësuar drejtpërdrejt Izraelin për sulmin në strehën ku flinin gra dhe fëmijë, duke e quajtur “turp ndërkombëtar”. Por Lt. Col. Peter Lerner i ushtrisë izraelite tha se asnjë ndërtesë e Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë në shënjestrën e tyre gjatë operacionit. Një zëdhënëse e Ushtrisë tha se militantë palestinezë kishin “hapur zjarr kundër ushtarëve izraelitë nga rrethinat” e shkollës në kampin e refugjatëve në Jabaliya të mërkurën herët në mëngjes  dhe se trupat izraelitë i ishin përgjigjur zjarrit. Ushtria izraelite ka mohuar edhe përgjegjësinë për 16 të vdekurit javën e kaluar në një tjetër shkollë të OKB, e cila shërbente si strehë në Beit Hanoun, duke thënë se e vetmja pjesë e artilerisë izraelite që ka goditur në oborrin e shkollës së OKB-së, një mortar i qëlluar gabim, ra aty kur oborri ishte bosh. Robert Turner, drejtor i Agjencisë së OKB-së për lehtësimin dhe Punën në Gaza, i cili po strehon më shumë se 200 000 palestinezë në 85 nga shkollat e tyre, tha të mërkurën për “New York Times” se ka pasur të paktën pesë raste dhe mbase shtatë në ndërtesat e OKB që kur Izraeli nisi operacionin tokësor në Gaza më 17 korrik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura