Lufta e II Botërore, dokumentimi që i bëri CIA dhe MI6 britanike Mid’hat Frashërit: Ideoi krijimin e një organizate patriotike me mision… Letrat e shkrimtarit me disa prej personaliteteve kyçe të aleatëve

Apr 6, 2024 | 9:01
SHPËRNDAJE

ERALD KAPRI/ Vëllimi i 9-të i veprave të përzgjedhura të Mid’hat Frashërit botuar nga Uran Butka, përmban një përmbledhje dokumentare, e cila plotëson një dimension të munguar të Historiografisë Shqiptare që ngërthen pjesën më të rëndësishme të shekullit të kaluar.

Mid'hat Frashëri 1

Zhvillimet shqiptare përgjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vitet pas saj me instalimin e diktaturës më të egër të Europës, vijnë përmes dorëshkrimeve, letrave, dokumenteve të ndryshme të disa arkivave të huaja dhe shqiptare, si dhe vetë shpjegimit të ngjarjeve të njërit prej protagonistëve të pashmangshëm të historisë së shqiptarëve.

Kështu, ky botim, thuajse shteron aktivitetin e Mid’hat Frashërit në periudhën më të nxehtë të luftës, vitet 1943-1944, si dhe emigracionin e tij politik në Evropë dhe SHBA.

Ndikimi i Mid’hat Frashërit gjatë luftës ndihet që në ditët e para të pushtimit Italian të Shqipërisë. Dokumentet nuk lënë më vend për dyshim, se ai ideoi krijimin e një organizate patriotike, e cila duhet të kishte si mision ruajtjen e ndërgjegjës kombëtare tek shqiptarët dhe luftën patriotike kundër pushtuesve. Balli Kombëtar u idea dhe u krijua në vitin 1939, bashkë me një program parimor prej 8 pikash, dhe nisi të shpërndahej tek elita intelektuale e kohës e cila kuptonte dhe ndjente rrezikun që i kanosej afatgjatë Shqipërisë me pushtimin Italian.

Siç thotë vetë Mid’hat Frashëri, në një shkrim të botuar pas lufte, “Letër nga Shqipëria”: “Nacionalizma Shqiptare” u themelua në ditët e para të pushtimit Italian si një mundësi për të krijuar të gjitha kushtet për të realizuar reistencë ndaj pushtimit. Kështu, Mid’hat Frashëri është intelektuali i parë që vihet në lëvizje, që krijon organizatën e parë të rezistencës nisur nga vizioni dhe botëkuptimi i tij se e ardhmja e shqiptarëve do të bazohej fillimisht në ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar. Krijimi i Ballit Kombëtar që në vitin 1939 është tashmë i dokumentuar në disa dokumentacione të arkivaveshqiptare e të huaja, e madje edhe nga vetë dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Në ato vite të para të pushtimit, një pjesë e madhe e nacionalistëve dhe ndjekësve të Mid’hatit ishin internuar apo burgosur. Një pjesë ishin larguar në emigrim. Madje, edhe vetë komunistët kishin nisur një bashkëpunim të hapur me italianët, duke besuar se pushtimi Italian do krijonte premisat e krijimit të një klase punëtore shqiptare që do të mbartëte komunizmin si ideologji. Pra, nëse shumë ishin lëkundur, vetëm Mid’hati qendroi në bindjen e tij të palëkundur të ruajtjen së nacionalizmës shqiptare të paprekur. Koha i dha të drejtë, teksa në fundin e 1942 dhe fillimin e 1943, Balli Kombëtar do të kthehej në organizatën më të besueshme tek shqiptarët vetëm për shkak të figurës së pacenushme të liderit të saj dhe ideve tij.

Viti 1943 do të ishte sprova më e madhe e Mid’hat Frashërit tek ndryshojnë brenda një kohe të shkurt shumë balanca. Italia po paralajmëronte kapitullimin, aleatët britanikë futen në territor dhe nisin të armatosin grupimet politike, Gjermania planifikon një pushtim të ri, ndërsa aleatët perëndimore ende nuk kishin një qendrim të qartë mbi Shqipërinë e paslufte. Në këto kushte, ai ideon krijimin e kushteve për një organizim mbi palët në mënyrë që Shqipëria, jo vetëm të garantonte ekzistencën pas lufte, por të dilte prej saj me trojet e saj entikë, bashkë me Kosovën. Marrëveshja e Mukjes mbetet ende sot si marrëveshja më e gjerë ndër shqiptarë dhe me një ndikim të pakrahasueshëm. Roli i Mid’hat Frashërit është ai i një lideri të pakontestueshëm për të gjitha palët.

Dokumentacioni në veprën 9-të zbulon se marrëveshja e Mukjes ishte nën koordinim nga aleatët britanikë. Siç pohon vetë Mid’hati, “Në pajtim me rekomandimet e bëra nga Misioni Ushtarak Aleat, u organizua një mbledhje me përfaqësuesit e organizatës sonë dhe asaj komuniste, në Mukje afër Tiranës. Të dy palët arritën mirëkuptimin, i cili u prit me entuziazëm nga opinion publik shqiptar”.

Suksesi i marrëveshjes i atribohet Mid’hatit siç dëshmon një prej protagonistëve, Ymer Dishnica: “Ai fliste pak, nuk lejonte ‘i nderuari filani’ sikundër në një mbledhje ambasadorësh. Me këtë thjeshtësi fliste, kjo ishte natyra e tij. Ai ishte një intelektual, ndoshta më i formuari në atë mbledhje. Ai e shtroi në mbledhje çështjen e Kosovës dhe e argumentoi sipas parimit të vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetvendosjes, me mbështetjen e Aleatëve të Mëdhenj”.

Dokumentacioni zbulon punën serioze të Mid’hatit në drejtimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë. Ai organizoi në fund të muajit gusht një takim të gjerë më krerët e veriut në Lurë për ti bashkuar rreth vendimeve të Mukjes. Një element i rëndësishëm që del në proklamatën e parë të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, të datës 3 gusht 1943, është imponimi i aleatëve me një program, në kuadër të luftës së organizuar kundër pushtuesit. Pra, Mid’hati e shihte zgjidhjen e çështje kombëtare përmes një garancie ndërkombëtare bazuar në dokumentet e njohura dhe përmes një procesi paqësor. Proklamata përmban 3 pika të cilat për shqiptarët duhet të ishin të panegociueshme, që niste me zbatimin e Kartës së Atlantikut për vetëvendosje të pupujve në kufinjtë e tyre entike, e në këtë rast bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një plebishiti dhe së dyti, pushteti politik duhet të vendosej vetëm përmes votës së lirë pas lufte.

Likujdimi i kësaj marrëveshje historike nga komunistët do të sillte pasoja të mëdha. Nisur nga ideja se lufta do përfundonte shpejt, komunistët nisën llogaritjet e pushtetit dhe shpallën hapur nisjen e Luftës Civile, kur ende vendi nuk ishte pushtuar nga forcat gjermane. Kur marrëveshja u prish, Mid’hati dha këtë qendrim në një nga deklaratat e para të Komitetiti Qendror të Ballit Kombëtar pasi komunistët shpallën hapur luftën civile në shtator 1945: “Kujtohuni se jemi të gjithë shqiptarë dhe kemi të gjithë një hall. Duam të gjithë një Shqipëri të vërtetë, të lirë e demokratike, ku bujku dhe beu të kenë një lloj të drejte, ku padroni dhe shërbyesi të jenë baras përpara ligjit. Pse të grindemi? Pse të dehemi nga ideologjitë e paasimiluara? Këto hesape i bëjmë më vonë”. Maturia e Mid’hat Frashërit në këtë moment delikat mbetet ajo e një burrështetasi të vërtetë. Krejt ndryshe nga sa mund të mendohej, Mid’hat bëri thirrje që të mos i përgjigjej kërkesës për Luftë Civile dhe urdhëroi ulje armësh. Interesi politik i atij momenti ishte ideal që në shumicë forcash dhe kombinuar me pushtimin gjerman, forcat e Ballit Kombëtar mund të likujdonin lëvizjen komuniste, por me një kosto të madhe njerëzore.

Një prej qendrimeve të tij, në këtë moment delikat, zbulon se Mid’hati nuk tërhiqej nga ideja e tij mbipartiake “Sot, është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Ballisti Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë”.

Kjo llogari për shmangie e një konflikti civil i jep merita të pazëvendësueshme Mid’hat Frashërit. Ai nuk mendoi për pozicionin politik, por për situatë që mund të çonte shqiptarët drejt një gjakderdhje që nuk dihej se kur mund të ndalej më pas.

Ky pozicion i tij i balancuar është keqpërdorur nga historiografia komuniste. Në asnjë dokument, qoftë i aleatëve apo pushtuesve gjermanë, nuk thuhet se Mid’hat Frashëri bashkëpunoi me pushtuesin e huaj. Akuzat për bashkëpunim bien lehtësisht edhe përmes disa dokumenteve të tjera. Bie fjala, Mid’hati e dënon bashkëpunimin e atyre shqiptareve, qe përqafuan pushtimin fashist më 1939. “E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëvet, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër ATDHEUT dhe vepruan si pararojë e fuqivet okupuese, e më von, kundër fuqivet nacionaliste të gjithë kombit mbarë, q`ishin hedhur në luftë për rifitimin e lirisë dhe të vetqeverimit”.

Disa prej kryeministrave të qeverivë nën pushtimin italian apo gjerman e kanë ftuar publikisht Mid’hat Frashërin të bashkëpunojë me ta. Në letrën drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja në prill 1942, Mid’hati përgjigjej ironikisht se ishte i lodhur nga puna “në librarinë e vogël”.

Por, Mid’hat Frashëri nuk e humbi orientimin e tij properëndimor në asnjë moment gjatë lufte. Në nëntor të vitit 1943, ai u takua me ushtarakun më të lartë britanik që mbërriti në Shqipëri, Gjeneral Edmund Davies, i cili konfirmoi se Mid’hat Frashëri i firmosi një deklaratë për përfshirjen në luftë të forcave nacionaliste kundër forcave gjermane, për sa kohë aleatët britanikë duhet të garantonin që forcat komuniste të ndalin Luftën Civile dhe të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte. Kjo nuk ndodhi. Pra, mundësia për luftë të përbashkët nën garanci aleate, u hodh poshtë nga komunistët. Këto zhvillime, të cilat ndonëse nuk vareshin prej tij, nuk përdoreshin si justifikim nga Mid’hati. Përkundrazi, ai vijon të mbetet lideri i vetëm gjatë luftës që mbante përgjegjësi. Në kulmin e Luftës Civile, në Konkresin e Ballit Kombëtar në janar të 1944, Mid’hat Frashëri u kritikua fort për qendrimin e tij pacifist. Nacionalistë të shumtë kërkonin të përgjigjeshin me të njëjtën monedhë komunistëve. Përballë kësaj qasjeje, Frashëri dha dorëheqjen. “Ne kemi mbajtur një qëndrim të butë (me komunistët-shënimi im), duke dashur të bashkohemi. Ata, duke përfituar prej butësisë sonë, na kanë sulmuar gjithmonë. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër veç jemi mbrojtur (difensivë), mirëpo kjo taktikë nuk doli me sukses, prandaj ne japim dorëheqjen dhe lëmë të zgjidhet KQ i ri, për të punuar më mirë”.

Ashtu siç gjenerali britanik Davies kishte parashikuar, që në kushtet e një Lufte Civile, ajo do fitohej nga komunistët për shkakun se ata “ishin me ngjyrim terrorist”, ndodhi realisht. Të armatosur me një armatim prej mijëra tonelatash nga aleatët britanikë për luftë kundër gjermanëve, pas qershorit 1944, komunistët nisën një revansht të plotë kundër kundërshtarëve politikë, për të pastruar rrugën drejt pushtetit. Dokumentacioni në vëllimin 9-të zbulon se Mid’hat Frashëri paralajmëroi aleatët gjatë luftës se armët dhe ndihma e tyre po përdorej për eleminime politike brenda Shqipërisë. Tanimë, nuk mund të bëhej fjalë për rezistencë, por duhej një mbështetje ndërkombëtare që të rikthente Shqipërinë në një shtet normal dhe demokratik.

Ky do të ishte misioni i radhës i Mid’hat Frashërit, që me mes mijërave shqiptarëve në emigracion politik, do të ishte i vetmi që gëzonte mbështetjen dhe simpatinë e anglo-amerikanëve për të udhëhequr një qeveri në mërgim për të bërë presionin e duhur për të rrëzuar diktaturën në Shqipëri. Pas largimit në nëntor të vitit 1944, një moment meriton një vëmendje të veçantë. Ndryshe nga shumë liderë të tjerë shqiptarë, ai kurrë nuk kërkoi trajtim të privilegjuar. Qendroi me muaj të tërë në kampet e pasluftës në Itali, si në Regio Emilio, por nuk u ankua për këtë gjë. Madje, nuk u lëkund edhe kur u desh të linte pas gjithë pasurinë e tij shpirtërore, dhjetëra mijëra libra, që sot janë burimi kryesor i pasurisë kombëtare që zotëron Biblioteka Kombëtare. Me qetësinë politike që e karakterizonte, ai shpalli të mbyllur Ballin Kombëtar, dhe rinis një lëvizje tjetër politike, me qëllim dhe vision të ri, çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste.

Në këtë botim, gjendet letrat e Mid’hatit me disa prej personaliteteve kyçe të aleatëve si ministrin e jashtëm britanik Eden, këshilltarin politik të Sekretarit të Shtetit për Mesdheun, z Klark, kryeministrin britanik Churchill, Konferencën e Paqes pas luftës, në të cilën ai zbulon mundësinë e organizimit të shqiptarëve kundër regjimit komunist të Tiranës. Aleatët perëndimorë nisën të diskutojnë se cili shqiptar antikomunist, i papërlyer, i pakontensuar, i ndershëm, properëndimor, mund të kishte mundësinë të krijonte një qeveri në mërgim dhe të gëzonte mbështetjen e të gjithë faktorit shqiptar.

Mijëra faqe dokumente të CIA-s apo MI6-s britanike sugjerojnë se Mid’hat Frashëri ishte i vetmi, pavarësisht se një rol të tillë e synonte Mbreti Zog apo figura të tjera politike. Mid’hati e qartëson misionin e një organizmi me mbështetjen e aleatëve përmes një letre të dërguar Abaz Kupit në vitin 1948, ku ai thekson se përfaqësimi i saj do të mund të bëhej vetëm nga shqiptarë të cilët nuk kishin asnjë histori bashkëpunimi me pushtuesin e huaj. Mid’hati do i drejtohej kështu Abaz Kupit, në Dhjetorin e 1948-s “Një komitet i përbashkët do t`ishte një vegël e çueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni edhe ju se kondita e parë e një organi, që do të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë i formuar prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër Atdheut?”.

Rezultati flet se në Komitetin “Shqipëria e Lirë” ishin të përfaqësuar të gjitha grupimet antikomuniste dhe demokratike, nga Shqipëria dhe Kosova, në mënyrën më ideale, dhe asnjë që përfaqësohej nga grupe të tjera siç ishte “Blloku independent”.

Mid’hati kishte edhe veti prej gentëlmeni politik, të cilat ruhen në memorjen e atyre që e njohën. Në një rast, autori i librit “Tradhëtia e Madhe”, Lordi Nikolas Bethel do të tregonte se Mid’hati u kishte kërkuar britanikëve të mbanin shënim çdo paund të harxhuar për çështjen shqiptare, në mënyrë që më pas, Shqipëria e lirë të kishte mundësi të shlyente borxhin e saj. Gjithashtu, Mid’hati nuk pranoi asnjë qindarkë nga aleatët, me argumentin se “ne nuk jemi mercenarë” Kjo lloj sjelljeje nuk gjendet më në rracën e udhëheqësve politikë shqiptarë.

Madje, Mid’hat u kërkoi zyrtarisht aleatëve pas lufte të njihnin shtetin shqiptar dhe ti garantonin atij një vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe këtë e bënte duke besuar se Shqipëria meritonte njohjen pavarësisht se kush e qeveriste atë.

Në këtë vëllim, do të mund të gjeni edhe dokumente nga Arkivi i Departamentit të Shtetit, veçanërisht dokumenti konfidencial i takimit të Mid’hatit me shefin Divizionit të Çështjeve të Europës Juglindore, Campbell, ku përshkruhet me mjaft interes investimi amerikan në Komitetin Shqipëria e lirë dhe lidershipin e Mid’hatit.

Pak kush mund ta dijë që operacionet me desantim që nisën të parat në Shqipëri nga anglo-amerikanët nisën pikërisht për shkak të legjitimitetit të madh që ofroi Komiteti Shqipëria e Lirë. Në vetëm pak muaj, drejtimi i Komitetit Shqipëria e Lirë vendosi alarm në Tiranë e në Moskë, siç sugjeron edhe dokumentacioni i fundit, pasi regjimi i druhej një lëvizje të kombinuar për ta rrëzuar atë.

Mid’hati luati një rol mjaft thelbësor në mënyrën e denoncimit të regjimit komunist, duke i vënë në dukje atij krimet. Komiteti shqiptar u kthye në një model për shumë vende të tjera në Europë që kishin rënë nën komunizëm pa dëshirën e tyre.

Vdekja e papritur e Mid’hat Frashërit mbetet ende sot një ngjarje që meriton hetim dhe përgjigje. Dokumentacioni i përzgjedhur në këtë vepër nga arkivi i ish-Sigurimit të Shtetit zbulon se regjimi komunist i Tiranës ka shpenzuar shumë në ndjekjen e çdo hapi të Mid’hatit, deri në likujdimin e tij fizik ne bashkëpunin me Sigurimin sovjetik dhe agjentin Kim Filbi. Në mbështetje të këtij varianti është edhe një dokument i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për asgjësimin e tij; “Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin. Midhat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto duhen bërë sa më parë”.

Por e gjithë trashëgimia e tij politike dhe kombëtare mbeti frymëzim për të gjithë brezat në vijim kjo edhe për shkak të ideve të tij që tejkalonin kohën që ai jetoi. Një edukim mbi shqiptarizmën, “të bëjmë shqiptarin, shqiptar”, siç thoshte ai, orientimi i palëkundur properëndimor, zgjidhja e çështjes së shqiptarëve në Ballkan përmes një garancie perëndimore, krijimi i kushteve për një demokraci reale në shoqëri, janë ende çështjet për të cilat kombi shqiptar nuk i ka dhënë drejtim.

Faktet dhe koha zbuluan se Mid’fat Frashëri ishte mendimtari i vetëm shqiptar që mundi të imponojë një doktrinë të vërtetë kombëtariste shqiptare, e cila sot ka edhe më shumë vlerë. Qendrimet dhe veprimtaria e tij politike vijojnë të mbeten një busull që tregon udhën e vetme që mund të ndjekin shqiptarët dhe jo vetëm ata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura