Ludmilla Shestani, austriakja që u përndoq nga regjimi komunist dhe përpjekjet për ta bërë agjente

May 27, 2018 | 15:23
SHPËRNDAJE

Loreta Prela ka treguar historinë e gjyshes së saj. Ndryshe nga shumë mbesa të tjera që as kanë pasur mundësi t’i njohin gjyshet e tyre, Loreta ka jetuar për shumë vite me të dhe ruan aq shumë kujtime… Një pjesë të tyre i ndan me lexuesit, për të treguar absurdin e një kohe që ndau gjyshërit e saj dhe i bëri të jetojnë në skamje… Si u përpoq regjimi komunist ta rekrutonte austriaken si agjente?! Çfarë shkruhej në letrat e gjata, që bashkëshorti i Ludmillës i dërgonte njerëzve më të rëndësishëm të qeverisë së asaj kohe? Loreta e ka shkruar vetë historinë që është botuar në librin “Çadra e kuqe”.

Ludmilla Shestani lindi në Leutschan, në Austri në krahinën e Shitirisë, më 15 shtator të 1905. Ishte e bija e Josef Jovanit dhe Flora Tschertche-s. ajo ishte fëmija i dytë i familjes, ndër nëntë gjithsej. Gjashtë fëmijët e parë ishin me nënën Flora, e cila, fatkeqësisht, pas lindjes së më të voglit Heinrich, vdiq nga gripi spanjoll duke i lënë fëmijët jetimë. Ludmilla ishte vetëm 11 vjeç. “Me vdekjen e nënës – tregonte ajo – më filluan vështirësitë e jetës”. Fëmijërinë e kaloi në vendin e lindjes ku kreu edhe shkollën.

1417

Këndonte në korin e kishës, punonte shumë në punë dore dhe ndihmonte të atin që ishte furrtar. “Natën përgatitnim brumin e bukës që në mëngjes të ishte gati” – tregonte. Tashmë i duhej të përkujdesej edhe për motrat e vëllezërit më të vegjël. Është pikërisht periudha e Luftës së Parë Botërore që e vështirëson jetën së tepërmi. Shpeshherë – tregonte- shkoja në pyllin, që ishte 2 orë larg shtëpisë shoqëruar nga qeni besnik për të mbledhur ushqim. Pylli ishte tamam në kufirin me Slloveninë.

Në periudhën e luftës shpërndamë miell dhe bukë falas. Pastaj babai u martua përsëri dhe bëri tre fëmijë të tjerë”. Rreth vitit 1927, Ludmilla largohet nga shtëpia për në Dubrovnik të Kroacisë për të punuar në një dyqan fotografësh, punë të cilën ia siguroi burri i motrës, në këtë dyqan banoi te një grua e vetme e cila përkujdesej dhe e kishte shumë për zemër. Perfeksionoi dhe gjuhën sllave, që do ta përdorte më vonë edhe në shtëpi. Shumë shpejt u njoh me Nikola Shestanin nga Cetinja, që studionte në shkollën e mesme tregtare të Dubrovnikut, me të cilin u martua në vitin 1932.

Së bashku me bashkëshortin jetoi në shtëpinë e vet në Cetinjë ku lindën dy vajzat, Dorotea dhe Maria. Maria ishte një nga binjaket që arriti të mbijetonte, falë Zotit dhe kujdesit të mrekullueshëm të nënës së saj. Nuk kishte shkollë të lartë por kishte një intuitë dhe formim të mahnitshëm në mjekësi. Më tregonte: Ishte janar, në Cetinjë ishte -21 gradë. Merin e mbështolla me pupla. Edhe unë nuk isha mirë. U ftoha dhe mora një kolit. Më duhej të ushqeja vajzën e vogël me shumë kujdes”.

Kur u rritën vajzat, dëshironte aq shumë t’u mësonte gjuhën mëmë, por nuk guxonte të flisnin gjermanisht në shtëpi, pasi edhe në ish-Jugosllavinë nga partizanët mund të rrezikonte edhe tregtinë që kishte i shoqi. Në vitin 1942, si pasojë e bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore që pritej edhe në Cetinjë nga gjermanët, familja erdhi të strehohej në një shtëpi në Shkodër. Gjyshja Ludmilla tregonte: “rrugës për në Shqipëri na shoqëroi një shi i jashtëzakonshëm.

Atë natë u detyruam të ndaleshim në Koplik. Së bashku me mua ishte edhe një familje tjetër, e Ndoc Hardallit, nëna e të cilit qante pa pushim gjatë gjithë rrugës. Me të vërtetë një shenjë e keqe, ogur i keq. U vendosën fillimisht te Kel Abati dhe pas disa muajve te Zef koka. Gjyshi Kolë vazhdoi të punonte në një bar, në pjacë, me ortakëri. Gjyshja Ludmilla, specialiste për kuzhinë, përgatiste të gjitha mezet e sanduiçët e lyer me pastë, që vetëm ajo dinte ta bënte. Bile, ajo përgatiste edhe akulloret me një recetë të veçantë, të cilën unë nuk arrita ta mësoj Në këtë kohë bie një epidemi e difterisë dhe sëmuret vajza e vogël, Meri, që ishte edhe shëndetligë sepse nuk ushqehej.

U konsultua me mjekët më të mirë që ishin në Shkodër, përmendte shpesh dr. Bekteshin. Me një përkujdesje të veçantë të nënës Milla, si një doktor i mirë, me mjaltë dhe me sende të nxehta arriti të kapërcejë rrezikun e jetës dhe të zhbllokojë fytin e fëmijës së vet. Ishte e vetmja ndër 5 fëmijë të sëmurë, në të njëjtën kohë, që shpëtoi. Në vitin 1944, kur hynë partizanët në Shkodër, u vendosën në shtëpitë e tregtarëve. Familjet i nxorën jashtë, prandaj detyrohen të lëvizin përsëri te Ndrek Prela (aktor). Fillojnë trazimet dhe nis një periudhë tjetër e vështirë.

Gjyshit i morën gjithë mallin që kishte në një magazinë dhe e futën në burg për gjashtë muaj. Doli nga burgu me ndërhyrjen e Tuk Jakovës që e kishte njohur gjyshin në të njëjtën shtëpi. Në vitin 1948, shteti shqiptar i jep pasaportë për t’u kthyer në shtëpinë e vet, në Cetinjë. Ishte maj dhe vajzat Dori dhe Meri ishin në shkollë, përkatësisht në klasën e katërt dhe të shtatë. Pritej të përfundonte edhe viti shkollor. Gjyshi niset më parë për të sistemuar shtëpinë në Cetinjë, të lënë për 6 vite të mbyllur. Do të rikthehej për të marrë familjen pas tre ditësh. Fatkeqësisht, tamam pas tre ditësh, papritmas, pa asnjë lloj njoftimi, ndërpriten marrëdhëniet diplomatike mes shtetit tonë dhe ish-Jugosllavisë. Përfundimi ishte fatal e tragjik për familjen, për të gjithë jetën.

Mbyllen kufijtë, për të mos u hapur më kurrë në jetën e dy bashkëshortëve që e donin, ndihmonin e respektonin njëri-tjetrin. Gjyshi Kola nuk mundi të kthehej më. Ludmilla me dy vajzat, akoma në shkollë, mbetet e huaj, pa asnjë lloj përkrahje. Me pasaportën në dorë, me mobiliet e paketuara, nuk arrinte të kuptonte e besonte atë që kishte ndodhur. Fillojnë kërcënimet nga shteti për të huajt dhe ajo e ndien menjëherë frikën e një internimi të mundshëm. Transferohet te një nga të afërmit e gjyshit, që merr përsipër ta ushqejë, sepse nuk kishin më asnjë të ardhur.

Pasi kaluan disa muaj, kjo familje kërkonte që të paguhej shërbimi i bërë. E mbetur vetëm, pa mundësi ekonomike, gjyshe Ludmilla detyrohet të dorëzojë mobiliet e të largohet në një shtëpi tjetër, duke marrë me vete vetëm shtratin dhe një makinë qepëse, e cila u bë ndihma e vetme për të jetuar. Një avokat e ndihmoi në momentet e para. Ai kishte gruan e sëmurë që po kurohej në Zagreb. As ai nuk mund të dërgonte para, por mundësuan një shkëmbim. Gjyshi Kolë i jepte gruas së avokatit para për kurim dhe kështu në Shqipëri avokati i jepte po atë shumë parash gjyshes.

Por kjo nuk zgjati shumë. Vajzat ishin të vogla, kishin nevojë për gjithçka. Ludmilla shiti edhe unazën e martesës, derisa me duart e arta bëri të mundur të fillonte të qepte në makinë qepëse dhe të fitonte nga pak për t’u rimëkëmbur. Mos të harrojmë se ajo nuk dinte shqip dhe komunikimi me njerëzit ishte i vështirë. Filloi pak nga pak të mësonte shqipen dhe në atë hall që ishte, lexonte vazhdimisht për gjendjen e Shqipërisë. Ky interes e ndoqi gjatë gjithë jetës, sepse priste e shpresonte se do të merrte fund një ditë regjimi që ia mbylli kufijtë e i nxiu jetën.

Vajzat filluan të rriteshin dhe ajo ishte edhe nënë edhe babë në një ambient të vështirë për të, me një mentalitet shumë të ndryshëm, shumë herë të pakuptueshëm për të. Por edhe ankthi i një regjimi të egër që po instalohej. Jeta do ta përplaste vazhdimisht me dallgë të fuqishme, sidomos kur bëhej fjalë për të ardhmen e vajzave. Nuk kishte asnjë ndihmë! Meri (nëna ime) filloi të punonte në moshën 15-vjeçare në Arkë të Kursimit si sporteliste. E ndërpreu shkollën e mesme në vitin e dytë, sepse familja kishte nevojë për të. Vazhdoi pastaj natën shkollën e mesme ekonomike. Ishin vitet ’50-të kur edhe Dori përfundon shkollën e mesme dhe fillon edhe ajo punë.

Çdo natë, mami Ludmilla priste vajzën e vet Merin sa të mbaronte punë dhe shkonin së bashku në shtëpi. Vuante kur shteti e nëpërkëmbte duke e detyruar që vajzat t’i dërgonte të punonin larg shtëpisë. Por gjithmonë gjendej një njeri, si dora e Zotit, që do ta ndihmonte sadopak. Në këto vite përsëri detyrohet të zhvendoset në një shtëpi tjetër me qira, tek Angjelina Prendushi, e ndjera e profesor Fundos. Jetonte në një dhomë dhe gjithçka e kryente atu pa u ndjerë dhe me një rregull të jashtëzakonshëm. “Aty- tregonte- u sëmurën të tre me fruth.

Të tre ne shtrat (ishte edhe Joani i vogël që kishte lindur nga martesa e parë fatkeqe e tezes, Dori). Kushtet ishin të vështira. Brenda dhomës çonte ujin e pusit sipër. Nga mundi dhe peshat e rënda, u bë me hernie, të cilën nuk e operoi gjatë gjithë jetës. Vuajti sepse nuk kishte mundë- si. Sakrifikonte për të gjithë, por për veten nuk kishte kohë të mendonte. Për një periudhë kur punonte, edhe teze Dori i sillte Nikon dhe Marjetën. Kam fjetur në një dhomë me Omamin, siç e thërrisnim ne gjithmonë. Mësova shumë prej saj. Ajo ishte gjithmonë në shtëpi me ne.

Asnjëherë nuk e kujtoj të dilte të shëtiste, përveçse kur shkonte rrallë për ndonjë vizitë për “emër”, siç ishte zakon në Shkodër. Përkujdesja e saj fillonte nga ushqimi që e përgatiste aq mirë, pavarësisht skamjes. Shtëpia ku vazhdonim të jetonim së bashku me gjyshen, gjithmonë me qira, ishte e madhe dhe shumë e ftohtë. Ajo zgjohej me mendimin se çfarë do të bënte për familjen. Fillonte me përgatitjen e drekës dhe shtronte tavolinën çdo ditë, që vetëm duart e saj mund ta përgatisnin. I kam qëndruar afër dhe kam mësuar shumë prej saj në gatim, të cilin ajo e kishte me të vërtetë art. Kur isha në shkollën fillore, kisha dëshirë që të gjitha vjershat të mi mësonte Oma. Kishte durim të admirueshëm! Rrinte ulur me ne kur ishim pushim dhe na tregonte shumë për fenë. Tregonte për historinë e Jezu Krishtit, na mësonte lutjet në gjermanisht, fliste për Marien si mbrojtësen tonë! Në vitet e fundit, para vdekjes së burrit në Jugosllavi kur ai ishte shumë sëmurë, mbaj mend se Omana ka dërguar me nënën time, fshehtas, te Dom Mikel Koliqi për të dhënë meshë. Çdo festë fetare e festonte me përkushtim e lutje, duke përdorur edhe traditën e vendit të vet. Festa e Kshndellave dhe e Pashkëve ishin më të bukurat. Për Kshndella përgatiste një tortë të mirë dhe dëgjonim radio-stacione austriake dhe gjermane. Për Pashkë përgatiste vezët për të gjithë ne fëmijët. Në mbrëmje vonë i ngjyroste me lëvore qepe ose me letër, sipas kushteve, duke i fshehur, sikur i kishte sjellë lepurushi i Pashkës. E donte shumë muzikën, prandaj edhe i çoi nipërit në piano. Dëgjonte me shumë ëndje Koncertin e Filarmonisë së Vjenës, më 1 janar. Duart e saj qepnin nga palltoja e deri te fundet e pantallonat.

Në fotot e kujtimeve të fëmijërisë së vajzave, gjithçka mund ta shohësh të qepur në mënyrë shumë moderne për kohën. Pa shumë njohuri teorike, vetëm me bazat. Ajo i kishte siguruar këto nëpërmjet revistave të modës që ishte abonuar dikur në Dubrovnik e Cetinjë. I mori me vete kudo që shkoi sepse kishte syrin e një artisteje. Vështirësitë e jetës nuk ia zhdukën asnjëherë pasionin për të bukurën.

Ajo e qepi vetë fustanin e saj të martesës dhe më vonë atë të nënës sime, me copën që ia solli e motra nga Austria. Ajo qepte çdo fustan, bluzë timen e gjithmonë dilja e veshur mirë nga duart e saj. Pas 25 vitesh qepi edhe fustanin tim të martesës, 3 vite përpara se të mbyllte sytë. Edhe pse shumë e lodhur, me copën e bardhë që i dërgoi i vëllai nga Gjermania, arriti të krijonte një fustan të mrekullueshëm. Ishte e lumtur kur e mbaroi dhe donte të më shihte sa më mirë. Sa herë na thoshte të mësonim gjermanisht. Gjatë viteve që isha në gjimnaz, në ditët e pushimit, fillova të mësoj gjermanisht me librat që ajo kishte ruajtur me kujdes. Oma priste çdo ditë që vendi të çlirohej nga zgjedhja e së keqes dhe të bashkohej me burrin e saj. Edhe bashkëshorti Kola shpresonte.

Ai bëri shumë përpjekje për bashkim, duke i shkruar qeverisë së Enverit, Mehmet Shehut, Haxhi Lleshit, Ambasadës së Beogradit, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe në fund kryetarit të Kuvendit Popullor në vitin 1985. Jo vetëm që nuk mori asnjë përgjigje, por në vitin 1970 i vendosën edhe statusin e të arratisurit, duke ndërprerë në këtë mënyrë edhe të gjitha ndihmat që mund të dërgoheshin jo vetëm nga gjyshi, por edhe nga motrat e vëllai i saj nga Austria. Omamit i thoshin njerëzit e Sigurimit: Thuaji Kolës të kthehet! Por ajo e dinte se çfarë e priste burrin e saj nëse vinte në Shqipëri; burgu! Më mirë siç ishte se sa ta shihte në burg. Po shkëpus disa radhë nga letra e fundit e gjyshit Kolë, që i ka dërguar Kuvendit Popullor: “Në të gjitha kërkesat e mia kam shprehur mendimin dhe dëshirën time që me mundësitë dhe kompetencat tuaja të ma bëni të mundshëm kthimin e gruas time…

Nga ato kërkesa nuk pata kurrfarë përgjigje, andaj mora guximin që t’ju drejtohem direkt juve me lutje e shpresë se kërkesën time do ta trajtoni dhe do të ndërmerrni diç për zgjidhjen e këtij problemi jetësor të pleqërisë sonë, që, së paku, për këto pak vite të jetës sonë që na kanë mbetur, të jemi të bashkuar legjitim dhe të vdesim së bashku!” Por katër vite më vonë gjyshi mbylli sytë përgjithmonë, larg familjes së vet. Askush nuk e lejua ta përcillte. As kur paraqitëm telegramin e vdekjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk na lanë.

Për 43 vite, Ludmilla e takoi vetëm një herë, në 1966, në Austri, te motra e saj. Gjyshi Kolë udhë- toi nga Cetinja dhe kur ishin takuar, i kishte rënë të fikët nga malli. Qeveria komuniste e asaj kohe i dha leje tremujore Omës, por edhe ajo kishte domethënie të keqe për të cilën ajo tregoi më vonë.

Atë e kishin thirrur në ambasadën tonë dhe kërkonin që ta bënin agjente. Kërkonin të kthente të shoqin në Shqipëri, duke e vënë në shërbim të regjimit. Me lot e me dhimbje, Ludmilla u kthye sërish te vajzat e saj duke i fikur shpresat përgjithmonë… Oma vdiq në 3 mars të vitit 1994 në Shkodër. 15 vite më pas u realizua edhe amaneti i saj, ajo prehet pranë bashkëshortit të saj!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura