Lotaria e kuponit tatimor, ja si do ndahen 120 mijë dollarë

Nov 25, 2015 | 8:14
SHPËRNDAJE

Qeveria i ka dhënë Ministrisë së Financave 12 milionë lekë për organizimin e “Lojës promocionale të kuponit tatimor”. Bëhet fjalë për lotarinë që do të zhvillohet, duke mbledhur kuponët tatimorë sa herë që bëjmë një blerje.

qeveriaAjo që habit në shumën e qeverisë është se nga 12 milionë lekë, rreth 120 mijë USD, vetëm 8 milionë do të ndahen si çmime, ndërsa 4 milionë lekë do të shërbejnë për procedurat e lojës.

Një ndarje e habitshme kjo, ku 33 për qind e shumës shkon për administrim dhe 66 për qind për qytetarët. Kuptohet që këto para, që dalin sipas vendimit të qeverisë nga “fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, janë marrë nga taksat e qytetarëve.

Këta të fundit paguajnë edhe administratën tatimore për mbledhjen e taksave, por edhe administrimin e lojës, ku mund të shpallen fitues.

KUSH LUAN

Lotaria e kuponit tatimor i ka të qarta rregullat. Pjesë e saj mund të bëhet çdo qytetar që grumbullon mbi 50 fatura tatimore, vlera totale e të cilave është mbi 5000 lekë. Pra, duhet të kesh të paktën 50 fatura tatimore, me një vlerë mesatare prej 100 lekësh për faturë. Lotaria do të organizohet për kuponët tatimorë të lëshuar gjatë periudhës 15 nëntor deri më 31 dhjetor 2015.

Për të marrë pjesë në lojë, duhet që çdo qytetar kuponët e mbledhur t’i postojë nëpërmjet shërbimit rekomande të Postës Shqiptare në adresën: “Për lojën promocionale të kuponit tatimor; Shtypshkronja e Letrave me Vlerë (ish-topografia ushtarake), Tiranë”. Brenda zarfit duhet që qytetari të vendosë një etiketë, ku të ketë shkruar: Emrin, mbiemrin, numrin e kartës së identitetit dhe nr. e telefonit.

Krahas këtyre të dhënave, qytetari duhet të bëjë një vetëdeklarim për numrin të kuponëve të vënë brenda në zarf dhe vlerën nominale në lekë të të gjithë kuponëve. Pra të shkruaj që në zarf janë p.sh. 60 kuponë, me një vlerë prej 10 mijë lekësh. Në momentin e postimit të zarfit, qytetari do të pajiset nga sportelistët e postës me një dokument ku është i pasqyruar numri i barkodit të zarfit të dërguar.

Ky numër do të shërbejë si numër për identifikimin e secilit pjesëmarrës gjatë hedhjes së shortit dhe tërheqjes së çmimeve fituese. Mbledhja e zarfeve me kuponët tatimorë do të bëhet nga data 1 deri më 11 janar 2016.

ÇFARË FITON

Në total janë 511 çmime, por vetëm 11 janë çmime milionere. Ndarja e fituesve do të bëhet në katër kategori. Do të ketë vetëm një fitues që mund të marrë 1 milion lekë, ose rreth 10 mijë USD. Ndërsa 10 fitues të tjerë do të fitojnë nga 100 mijë lekë, ose rreth 1 mijë USD. Këta janë fituesit e mëdhenj.

Fituesit e këtyre dy kategorive nuk do përzgjidhen mbi bazën e hedhjes së një shorti, por në bazë të klasifikimit sipas vlerës totale dhe numrit të kuponëve të dërguar. Fituesit do të shpallen duke llogaritur pikët që do të merren nga ponderimi 70% me vlerën nominale të kuponëve dhe 30% me numrin total të kuponëve të postuar.

Pra, sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponëve të dërguar, aq më e lartë dhe mundësia e fitimit të çmimeve të mëdha. Ndërsa 500 çmime të tjera do të jepen për kategorinë III dhe IV.

Këtu çmimet janë 15 mijë lekë për 200 fituesit e kategorisë së tretë dhe 10 mijë lekë për 300 fituesit e kategorisë së katërt. Për të qenë pjesë e këtyre kategorive, mjafton të kesh postuar minimalisht 50 kuponë me vlerë totale 5 mijë lekë. Hedhja e shortit do të bëhet më datë 15 janar 2016.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura