Lola Luma, modelja shqiptare, një diamant për një “Po”

Feb 27, 2011 | 10:27
SHPËRNDAJE

Shumë vajza shqiptare pretendojnë se janë kthyer në imazh për kompani të mëdha ndërkombëtare, por vetëm shumë pak prej tyre arrijnë ta vërtetojnë këtë. Sigurisht, për të na bindur, minimalisht duhet një logo pas… Dhe këtë e ka prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lola Luma, shkodrania që ka gjetur famën atje si modele, aktore, por edhe si show girl. E vendosur në New York që prej 11 vitesh së bashku me familjen, duket se fati i ka prirë Lolës, pasi mbi fotot e saj tashmë gjendet logoja e shtëpive gjigande të dizajnit “Jovani”, “High and Cachentta”, ndërsa një tjetër firmë e famshme si “Gaspar Gloves” e ka zgjedhur për të reklamuar dorashkat. Sa i përket aktrimit, ndodhet në gjurmët e duhura. Në ato të Al Paçinos, Merlin Monroe, Scarlet Johansson etj., pasi ka përfunduar të njëjtën shkollë si ata “Lee Strasberg” dhe madje me të njëjtën mësuese, aktoren e madhe të Hollivudit, Jennifer Esposito. Megjithatë Lola vijon ende të marrë leksione aktrimi, edhe pse ka luajtur në disa role dytësore në SHBA, apo atë kryesor te filmi shqiptar “Nora e Kelmendit”. Sipas saj, aktrimi kërkon vazhdimisht perfeksion dhe gjetje të reja. Fundja, tashmë ka gjithë kohën të merret me karrierën, pasi një unazë me diamant të madh në gishtin e fejesës, shumë shpejt mund ta kufizojë disi…

Lola, me cilën firmë mode po bashkëpunon së fundmi?
Kohët e fundit po bashkëpunoj me firmën “High and Cachentta”. Linja “Cachentta” është një ndërthurje e femrës italiane të sofistikuar dhe elegante me atë të mistershmen orientale.
Mbi fotot tuaja gjendet edhe logoja e shtëpisë së dizajnit “Jovani”. Të jesh modele e kësaj firme është as më pak e as më shumë, por një…
Arritje e madhe si modele dhe individ. Veshjet e “Jovani-t” janë shumë të bukura dhe të kërkuara, sidomos në SHBA, ndaj në një farë mënyre ndihem e privilegjuar, por nga ana tjetër jo edhe aq, pasi kam punuar shumë që të jem imazh i kësaj firme.
Paralelisht, a keni patur oferta nga kompani të tjera?
Po, kam pasur dhe kam ende nga “Gaspar Gloves”. Është firma që njihet për prodhimin e dorezave, e shquara prej dekadash.
Duke qenë se realizoni edhe sesione fotografike, keni pozuar ndonjëherë nudo?
Në mënyrë sensuale më duhet të pozoj, për shkak të elementit femëror që përfaqësoj si imazh, por nudo, jo. Nuk kam pozuar dhe nuk mendoj se do të pozoj.
Keni hallin e familjes, janë fanatikë?
Jo, jo, nuk ka të bëjë aspak. Prindërit e mi më njohin më mirë se askush tjetër. Një foto është vetëm një foto, asgjë tjetër. Lola që fshihet pas saj, është një tjetër person.
Çfarë personi?
Jam shumë e dashur dhe gazmore. Nuk më pëlqejnë njerëzit mendjemëdhenj dhe ata që shtiren. Jap shumë dashuri dhe pres që ta marr mbrapsht.
Po e jep dhe e merr mbrapsht këtë dashuri te ndonjë mashkull?
Po, te një djalë shqiptar që quhet Dejon dhe tashmë është i fejuari im.
Kur dhe si u bë i fejuari yt?
Jemi njohur krejt rastësisht, në një kafe, në New York. Takimi ynë i parë ka zgjatur plot 12 orë dhe si rrjedhojë aty është dhënë edhe puthja jonë e parë. Më pas kemi vijuar lidhjen dhe u kthyem për pushime në Shqipëri. Ishim në Dhërmi, kur Dejoni më ka propozuar për fejesë, me një unazë diamanti përpara.
Ia keni kthyer me ndonjë dhuratë gjithë atë diamant?
Duke i thënë “PO”, në momentin që më propozoi. Ndërsa prej asaj kohe, dashuria që i falim çdo ditë njëri-tjetrit është dhurata më e madhe që mund të bëjmë.
Keni në mend ndonjë martesë të afërt?
Jo, nuk kemi ndonjë datë të caktuar. Nuk para kemi dëshirë të bëjmë plane afatgjata. Ndihemi të lumtur bashkë dhe kjo ka më tepër rëndësi. Dasma është më tepër një arsye për t’u mbledhur me njerëzit e fisit dhe festuar të gjithë së bashku. Një mëngjes do të zgjohemi dhe do të marrim biletat për Shqipëri…
Edhe pse tashmë ke diamant në gisht, a bëhet xheloz Dejoni për shkak të punës tënde ekspozuese?
Jo, nuk është xheloz për punën time. Shpesh herë mendoj sa me fat jam, që kam një njeri, i cili më do për atë që jam… sepse në vetvete unë jam tip i komplikuar. Xhelozia e tepërt në çift është gjëja e parë që e njollos një lidhje, por pakëz xhelozi, kuptohet që e ndez më shumë çiftin.
Edhe kur të ngacmojnë meshkuj të tjerë, ndizet Dejoni?
(qesh) Jooooo, jo në atë sens. Të biesh në sy nuk është keq, por të biesh në sy për mirë, është edhe më mirë.
Po femrat, ka ndodhur ndonjëherë që t’ju ngacmojnë?
Këtu ekzistojnë vende të veçanta, që frekuentohen nga homoseksualët. Në fushën e modës, pjesa më e mirë, janë homoseksualë. Janë shumë të talentuar dhe gjithmonë shohin punën e tyre. Nuk përzihen…
Planet e tua janë në USA apo në Shqipëri?
Për momentin kam një karrierë, për të cilën kam punuar shumë për ta arritur. Para disa muajsh kisha një audicion për një serial televiziv shqiptar, që pretendohet se do të realizohet në Shqipëri. Zemra ma bëri një herë “bam” … sepse deri atëherë nuk e kisha menduar se sa e afërt ishte Shqipëria!

 

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura