Lokali i fshatit në Lushnjë, bazë prostitucioni

Mar 31, 2014 | 12:36
SHPËRNDAJE

LUSHNJE- Zbulohet një bazë e ushtrimit të prostitucionit në një lokal në Kolonjë të Lushnjës. Policia arrestoi dy persona, pronarin e lokalit e shpalli në kërkim, ndërsa katër femra po procedohen në gjendje të lirë. Operacioni i koduar “Ardenica” u krye dje nga Sektori për Trafiqet në Drejtorinë e Policisë së Fierit. “Dyshohet se ushtrohej veprimtari e paligjshme në një bar restorant me vendndodhje në Kolonjë, Lushnjë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lokali bar–restorant, në posedim të shtetasit D. Shkrela, i cili është në kërkim, 4 telefona celularë, 4000 lekë”, bëri të ditur Policia. Mësohet se gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasja me inicialet M.T., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, për ushtrim prostitucioni. Gjithashtu u arrestua Adriano Guarino, 24 vjeç, lindur dhe banues në Ragusa Itali, për përfitim prostitucioni, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit D. Shkrela, 46 vjeç, banues në Libofshë Fier, për veprat penale “shfrytëzim i prostitucionit” dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”. “Filloi procedimi në gjendje të lirë për 4 shtetaset: O.S., 33 vjeçe, dhe V.B., 52 vjeçe, që të dyja banuese në Lushnjë për veprat penale ‘shfrytëzimi i prostitucionit’ dhe ‘mbajtja e lokaleve për prostitucion’, si dhe A. I., 29 vjeçe, banuese në Patos dhe E. N., 22 vjeçe, banuese në Lushnjë. Procedimi penal për këto shtetase filloi për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit, parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal”, thuhej në komunikatën e Policisë. Sipas burimeve, blutë kishin marrë informacion në rrugë operative për veprimtarinë e dyshimtë në një nga lokalet në Kolonjë të Lushnjës. Pas kësaj, objekti është mbajtur në survejim dhe policia ndërhyri, pasi arriti të përforconte dyshimin se aty shfrytëzoheshin femra për qëllime përfitimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura