Lojërat e fatit, monitorimi me koncesion te privati

Feb 28, 2013 | 11:54
SHPËRNDAJE
Nga mbledhjet e Qeverise

Dy vendime që lidhen me fiskalizimin e bizneseve janë marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë. I pari lidhet me uljen e kostove për bizneset që i kanë instaluar pajisjet fiskale dhe që periodikisht duhet të paguajnë për të bërë kontrollin, dhe tjetri lidhet me kalimin te privati i monitorimit të lojërave të fatit. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij i ka vlerësuar të dyja vendimet, duke e vënë theksin në dobinë që sjellin për biznesin dhe ekonominë.
Koncesioni
Aktualisht lojërat e fatit monitorohen nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila është në varësinë e Ministrisë së Financave. Por vendimi i djeshëm i qeverisë synon që t’i kalojë këto atribute te një kompani private, duke dhënë me koncesion monitorimin dhe fiskalizimin e lojërave të fatit. Në vendim thuhet se “Këshilli i Ministrave vendosi që autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore për dhënien me koncesion të shërbimit të monitorimit dhe fiskalizimit të lojërave të fatit është Ministria e Financave”. Kjo është një nga disa shërbimet që qeveria ia heq vetes dhe ia kalon sektorit privat, me synimin e rritjes së eficiencës.
Kasat
Bizneset tashmë nuk do të duhet që ta kryejnë kontrollin e pajisjeve fiskale një herë në vit, por një herë në dy vjet. Kjo, nga ana e kreut të qeverisë, Berisha, u komentua si një lëvizje që ul koston për biznesin, i cili nga dy kontrolle që do të duhet të kryente, do të bëjë vetëm një dhe do të paguajë vetëm për një. Por nuk ka ndryshuar vetëm afati. Po kështu, shërbimi i kontrollit të pajisjeve fiskale do të pësojë ulje. “Tarifa e paguar për kontrollin periodik do të zbresë në 4 mijë lekë, nga mbi 9 mijë lekë që ishte  e mëparshmja, duke përfshirë në këtë çmim edhe koston e transmetimit, e cila deri më sot ishte shpenzim suplementar mbi këtë shifër”, tha Berisha. Sipas tij, të gjitha këto vendime vijnë në vazhdën e uljes së burokracive dhe kostove shtesë për bizneset për t’i ndihmuar ato. Më parë kontrolli për kasat fiskale ka qenë një herë në 6 muaj dhe më pas u bë një herë në vit, për t’u finalizuar me vendimin e fundit për kontrollin një herë në dy vjet.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura