Lirohet 17-vjeçari, vrau babain se i rrihte nënën

May 31, 2012 | 13:34
SHPËRNDAJE
Gjykata e Tiranes

Një 17-vjeçar i akuzuar për vrasjen e babait të tij gjatë një krimi në familje në periferi të Tiranës është lënë i lirë dje nga Gjykata. Ndonëse u shpall fajtor dhe u dënua, Gjykata shfrytëzoi hapësirat ligjore për lehtësimin e pozitës së adoleshentit. Sipas vendimit të shpallur, Gjykata e Tiranës e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg 17-vjeçarin që vrau nga pakujdesia babain e tij të dehur në shtëpinë e tyre në Shëngjergj të kryeqytetit. Vrasja aksidentale ndodhi më 8 tetor 2011, kur i mituri Lorenc M. tentoi t’i hiqte nga duart të atit një armë gjahu më të cilin ai po kërcënonte bashkëshorten me vdekje. I mituri u deklarua fajtor nga Gjykata për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”. Por, sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Regleta Panajoti, i pandehuri Lorenc M. nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Gjykata e pezulloi dënimin e tij me burg dhe vendosi vënien e tij në provë për një periudhë prej 5 vjetësh, me kusht që të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Në dosjen e Prokurorisë, ngjarja për të cilën u dënua Lorenc M. ndodhi si më poshtë. “Viktima Kujtim M. në përgjithësi sillej keq me bashkëshorten dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes, duke i dhunuar, sharë, kanosur se do t’i vriste etj. Gjendja e tij shpesh ishte e alkoolizuar dhe e tillë paraqitej situata edhe më datë 08.10.2011, kur Kujtim M. kthehet në shtëpi i alkoolizuar dhe pas një mungese prej disa ditësh. Në këtë datë, i dyshuari Lorenc M. është kthyer në shtëpi rreth orës 17:00, pasi ka punuar dhe ka gjetur dhe të atin e tij, për të cilin e ëma i ka thënë se është në gjendje të dehur. Ai (i ati) ka filluar të grindet me të shoqen dhe sipas deklarimeve të bëra nga Fatbardha M., viktima ka mbushur armën e gjahut, të cilën e kishte pa leje të organeve kompetente, dhe ka kërcënuar se do të vriste atë (bashkëshorten) dhe veten e tij. Në zënie e sipër të prindërve, Lorenci ka ndërhyrë dhe atë e bir kanë filluar që të përleshen. Pas një intervali kohor rreth 15 minutash përleshje mes tyre është dëgjuar një e shtënë dhe Kujtim M. është rrëzuar i gjakosur përdhe. Pas së shtënës, Kujtim M. ka jetuar dhe pak dhe në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë”, thuhej në materialet e Prokurorisë. I pandehuri Lorenc M. u gjykua në gjendje të lirë. Pas ngjarjes, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Që pas ndalimit nga policia ai pranoi akuzën dhe rrëfeu rrethanat e ngjarjes duke shfaqur pendesë për çfarë kishte ndodhur. ar.ba
Dëshmia
Autori i krimit të ndodhur në tetor 2011, Lorenc M., gjatë hetimeve për vrasjen e babait të tij ka dhënë shpjegime në lidhje me krimin e ndodhur në banesën e familjes Muça, në lagjen “Panec”, në fshatin Fag të Shëngjergjit. Sipas dëshmisë së adoleshentit, babai i tij 43-vjeçar ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve. Në një moment ai ka marrë armën duke ia drejtuar së shoqes, Fatbardha Muça. I riu, duke dashur të mbrojë nënën dhe motrat e mitura, është përleshur me të atin duke i hequr armën me forcë nga dora dhe, sipas Policisë, arma është shkrepur aksidentalisht. Ngjarja u raportua nga një efektiv policie, banues në fshatin Shëngjergj. “Babai vinte gati çdo natë i dehur dhe rrihte mamin, motrat edhe mua ndonjëherë, kam shenja dhune në trup. Të njëjtën gjë bëri edhe mbrëmë (të dielën). Madje, mori çifte dhe ia drejtoi mamasë, duke i thënë se do ta vriste. Unë shkova t’ia hiqja nga duart dhe nuk e di se si ndodhi, por arma u shkrep dhe e pashë që u rrëzua në tokë i përgjakur. Nuk doja ta vrisja…”, ka dëshmuar autori i ngjarjes.

Dënimi me kusht
Në zbatim të vendimit që e shpëtoi nga qelia 17-vjeçarin Lorenc M., ai do të vihet në provë për një periudhë 5-vjeçare. Gjatë kësaj kohe ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale, si dhe duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Po sipas Gjykatës, ai duhet të ushtrojë një veprimtari profesionale edhe nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura