Ligji i ri, shtohen 9 milionë USD për të përndjekurit

Feb 17, 2017 | 17:03
SHPËRNDAJE

Qeveria do të shtojë edhe 9 milionë USD në fondin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Gazeta zbardh sot relacionin me kostot financiare dhe përfituesit e rinj nga zgjatja e afatit për paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim të ish-të përndjekurve.

Bëhet fjalë për ligjin e ri, i dorëzuar në Kuvend, i cili parashikon që të gjithë të përndjekurit që nuk kanë arritur të dorë- zojnë dosjet e tyre në Ministrinë e Drejtësisë brenda 1 korrikut 2009, mund të riaplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin. Qeveria socialiste në ligjin e vet të vitit 2014, vendosi t’i kategorizojë në të përndjekur parësorë dhe trashëgimtarë. Në ligjin e ri, zgjatja e afatit bëhet vetëm për kategorinë parësore.

45455445

“Objektiv i këtij projektligji është shtyrja e afatit ligjor për paraqitjen e kërkesave për dëmshpërblim për subjektet e kategorisë parësore deri në datën 31.12.2017, duke krijuar mundësinë për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist dhe janë ende në jetë, por që deri tani nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblim për shkak se nuk kanë aplikuar brenda afatit ligjor të parashikuar, i cili ka qenë 1.7.2009.

Projektligji parashikon rivendosjen në afat vetëm për subjektet përfituese parësore, duke i dhënë përparësi dëmshpërblimit të ish-të dënuarve që janë gjallë në momentin e kryerjes së pagesës në raport me trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, bazuar në kritere objektive të vendosuara më parë, të tilla si: të jenë ata vetë që kanë vuajtur dënimin, gjinia, mosha, gjendja shëndetësore dhe nevojat e fëmijëve të tyre të mitur”. Kështu thuhet në relacionin e qeverisë për ligjin e ri. Pra, kushdo i përndjekur i kategorisë parësore, që ka dorë- zuar dosjen në Ministrinë e Drejtësisë, pas datës 1 korrik 2009, apo që nuk e ka dorë- zuar ende dosjen e tij, mund të aplikojë për dëmshpërblim financiar.

DOKUMENTET DHE PËRFITUESIT

Por qeveria ka vendosur një lehtësi tjetër për dokumentet. “Kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit, të paraqitura nga subjektet e kategorisë parësore jashtë afatit ligjor, i cili ka qenë 1.7.2009, konsiderohen të vlefshme. Ky parashikim është bërë me qëllim shmangien e burokracive dhe për të lehtësuar ish-të dënuarit nga detyrimi për të mbledhur dhe paraqitur edhe një herë pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e kërkuar dhe kërkesën për të përfituar dëmshpërblim. Kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, të paraqitura nga subjektet e kategorisë parësore, jashtë afatit ligjor të parashikuar, konsiderohen të vlefshme”. Në relacion parashikohen që do të jenë të paktën 320 përfitues të rinj. “Efektet financiare të projektligjit në buxhetin e shtetit lidhen me dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të kategorisë parësore, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim si rezultat i rivendosjes në afat, përafërsisht 320 persona, në vlerën rreth 919.296.000 lekë. Efektet financiare të projektligjit, vetëm për 1 këst, përllogariten në vlerën rreth 114.912.000 lekë”, theksohet në relacion.

4784548464565456

Pse u përjashtuan trashëgimtarët nga shtyrja e afatit

“Mosparashikimi nga projektligji i rivendosjes në afat dhe për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë lidhet me efektin financiar të projektligjit në raport me fondin vjetor në buxhetin e shtetit për dëmshpërblimin e kësaj shtrese, mbështetur edhe në vlerësimin e bërë nga Ministria e Financave për efektin financiar të projektligjit”, thuhet në relacionin e qeverisë. Pra, duket se qeveria nuk ka pasur para për dëmshpërblimin e trashëgimtarëve. Por në relacion theksohet se edhe kjo shtresë do të përfitojë në të ardhmen. “Nga ana tjetër, projektligji nuk përmban asnjë dispozitë që ndalon rivendosjen në afat të trashëgimtarëve të ish-të dënuarve politikë, në çdo kohë kur një gjë e tillë do të vlerësohet e mundshme për t’u realizuar”, thekson qeveria.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura