Ligji dhe opinioni publik

Nov 30, 2013 | 10:35
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

  Opinioni publik për një drejtësi plot me probleme, të korruptuar hallkë pas hallke, duket se ka marrë fytyrë nga xhirimet e shfaqura për disa ditë radhazi në emisionin “Fiks Fare” mbi një rast se si një qytetar vilet nga të gjitha hallkat e Gjyqësorit, si dhe ata që janë ura mes qytetarëve dhe drejtësisë, avokatët.

Në një investigim tashmë të shfaqur qartë me protagonistët, emrat që u përmendën nuk i përkasin më vetëm provincës, por edhe deri krerët e piramidës gjyqësore, siç ishte përmendja e emrit të kreut të Gjykatës së Lartë, Zaganjorit. E në një situatë ku prej vitesh flitet për një Gjyqësor të korruptuar, duket sikur “Fiks Fare” tashmë ka arritur t’i japë të drejtë zemërimit të shqiptarëve me këtë Gjyqësor.

Pas këtyre pamjeve, maxhoranca duket se mori gjithë kartën morale për të deklaruar hapat kundër Gjyqësorit aktual, me idenë e një ndryshimi rrënjësor. Mjafton të lexosh reagimet e Xhafës, Braçes, Naços, për të kuptuar se maxhoranca tashmë do t’i hyjë një ndryshimi rrënjësor në këtë pushtet. Madje, nën këtë frymë, iu bë thirrje edhe publikut që të mos ngurrojë të bëjë denoncime për rastet që kanë pasur personalisht. Por, me gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për t’u dhënë akuzave të korrupsionit në Gjyqësor një fytyrë konkrete, modeli i ardhur nga “Fiks Fare”, ku mund të përmenden emra të ndryshëm, mund të sjellë një kaos në gjetjen e një rrugëzgjidhjeje, pasi kështu rrezikojmë të përfundojmë në gjyqe publike, masovike, të cilat mes shumë emrave që janë vërtet pjesë e korrupsionit, mund të përmenden edhe emra që kanë qenë profesionistë, por që vendimi nuk u ka interesuar personave që mund të bëjnë denoncimin.

Se ja, ta zëmë që me një urdhër sado të çuditshëm, maxhoranca mund t’i shkarkojë të gjithë gjyqtarët, atëherë çfarë do të bëjmë me sistemin e sotëm gjyqësor? Kështu, nuk mundemi assesi të shkojmë në një rrëzim të këtij sistemi pa menduar zgjidhje, e për më tepër pa e menduar se nuk mundet të gjithë t’i kalojmë në një gjykim popullor, kur ekzistojnë mekanizma të tjerë ligjorë. Duhet pranuar se, nëse jemi sot këtu, në këtë pikë të errët të Gjyqësorit, është fakti se institucionet që kanë pasur në dorë vlerësimin dhe ndëshkimin e të korruptuarve nuk kanë vepruar.

Dhe një pjesë të fajit e ka, pa dyshim, politika. Por ne nuk kemi një sistem të gjykimit nga qytetarët me zgjedhje të drejtpërdrejta, të cilat fare mirë mund të dërgonin në zgjedhje të parakohshme vendin e kujtdo gjyqtari që shfaqej si i korruptuar. Kështu që, për të mos futur në një thes ata gjyqtarë që jetojnë ndershëm me ata që kanë vjelë qytetarët si bastardë, duhet të kthejmë sytë nga një konsensus sa më i madh mes të zgjedhurve, për të shkuar drejt një reformimi të mekanizmave që do të nxirrnin jashtë radhëve të Gjyqësorit këdo që do të njolloste togat e zeza. Pasi për shumë shkelje qytetari mund të ankohet në një institucion tjetër, por kur dhunohet nga Gjyqësori, atëherë ai nuk ka ku të shkojë më tej, por vetëm të dorëzohet, siç ka bërë rëndom, edhe në rastin e videos që kemi parë këto ditë. Por ne duhet të kemi mekanizma që medoemos të bëjmë të ditur se nuk ka njerëz të paprekshëm, sado i ngritur në shkallë të jetë ai, kur shkel ligjet apo kur dhunon të drejtat themelore të çdo qytetari. Ama, jo me masovizëm, as me bolshevizma.

Qytetarët kanë votuar përfaqësuesit e tyre, të cilët nuk kanë më pse të kërkojnë nga qytetarët të japin mendimet sa herë u intereson të justifikojnë fushata ndryshimesh, kur atyre iu është deleguar pushteti përmes votës. Nëse do të vijojmë t’i kërkojmë publikut të denoncojë, nëse do të besojmë gjithçka që mund të thotë një person thjesht se njeh dikë tjetër apo se i di numrin e telefonit, atëherë ne mund të rrezikojmë edhe të kthehemi në gjyqet masovike, të ndëshkimit publik, duke rrezikuar kështu që në emër të opinionit të dhunojmë demokracinë, e cila në thelbin e vet funksionon duke ruajtur çdo person që është i drejtë në punën e tij, pa e futur në një thes, se kështu meritojnë disa të tjerë që kanë të njëjtën “bluze pune” me të. Dhe ne duhet të ndihemi më pas të gjithë fajtorë sikur me këtë model të ndëshkojmë qoftë edhe një të vetëm që nuk e meriton.

Kjo vlen edhe në rastet e mjekëve e pedagogëve, të cilët nuk mund të futen kurrë në një thes, edhe pse mes tyre ka të korruptuar. Por demokracia i zgjidh përmes ligjit e jo gjyqeve publike, sepse kështu mund të shembim shumë mure të shtrembra, por nuk kemi garanci se mund të ndërtojmë asnjë të besueshëm. Për më tepër, se nuk mund të pretendojmë kurrë se mund të arrijmë në një përfundim të mirë kur përdorim mjete të gabuara.

Historia e njerëzimit ka treguar se, në raste të ngjashme, edhe pse duket se i kemi dhënë të drejtë një kauze, e kemi kthyer në gjueti absurde, duke e dëmtuar edhe më shumë thelbin e një të vërtete. Ajo që nevojitet është të forcojmë një model të besueshëm hetimi, që gjithkush të ndëshkohet me mjete ligjore e jo me gjyqe publike, e sidomos me model të gabuar të qasjes ndaj problemit. Pasi pastaj do të rrezikojmë të jemi përballë shumëzimit me zero, të cilit i dihet fundi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura