Ligjet me 3/5, zbardhen replikat Ruçi-Topalli

Oct 31, 2011 | 10:45
SHPËRNDAJE

Nga mbledhjet e konferencës së kryetarëve

Topalli: Të isha unë si Berisha, nuk ju thoja sillni emrin.

Votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe qëndrimi i opozitës ka përplasur ashpër në një nga mbledhjet me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, maxhorancën dhe pakicën. Gazeta publikon sot me shkurtime debatin e zhvilluar më 22 shtator mes kryeparlamentares Topalli, kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe nënkryetarit socialist të Kuvendit, Namik Dokle. Në një moment të debatit, duke folur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, kryetarja e Kuvendit u është drejtuar socialistëve: “Unë nuk di një qeveri tjetër në botë që i thotë opozitës: unë të jap pushtetin tim. Se, në fakt, po të jep pushtetin, po të thotë: ti sill emrin, unë po të jap votën, po të thotë t’i sill amendimet, unë po të jap votat. Kjo quhet opozita të veprojë si maxhorancë. Po të isha si Sali Berisha, unë kurrë nuk ju kisha thënë më sillni emrin se unë e votoj, sepse unë jam maxhorancë dhe sepse negocioj”. Ndërsa Ruçi është përgjigjur duke thënë se: “për sa i përket çështjes që më përmendët mua dhe Namikun që kemi kohë në këtë Kuvend, po ju kujtoj që pushtet nuk është Avokati i Popullit, dhe nuk ka përse ta marrë unë pushtetin. Nuk e duam as Avokatin e Popullit, as KLD-në, as njërën e as tjetrën. Ne duam të kemi institucione të pavarura kushtetuese funksionale e të tjera”.

Debati me shkurtime
Astrit Patozi – Unë kam një koment fare të shkurtër lidhur me çështjen e fundit që trajtoi zoti Dokle, i cili tha se duhen hequr nga rendi i ditës së kalendarit të ardhshëm ligjet me shumicë të cilësuar, për shkak se Partia Socialiste e paska dhënë vendimin e saj, që qenka për një reformë të thellë në Drejtësi dhe për në ligje të tjera. Ne nuk e dimë, është hera e parë që dëgjojmë se Partia Socialiste apo Grupi i saj Parlamentar paska marrë një vendim të tillë. Ne nuk mund të flasim për kalendarin që kemi miratuar bashkërisht përpara tri javësh, sepse një pjesë e këtyre ligjeve me shumicë të cilësuar janë edhe në seancën e sotme dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe asnjë nga deputetët e opozitës nuk ka pasur asnjë rezervë për kalendarin, të paktën nuk e kanë shprehur atë publikisht.
Jozefina Topalli – Faleminderit, zoti Patozi! Urdhëroni, zoti Dokle!
Namik Dokle– Nuk është hera e parë që dëgjohet, por ndoshta zoti Patozi nuk ka qenë i vëmendshëm në mbledhjet e tjera të Konferencës së Kryetarëve. Ne që në Konferencën e parë të Kryetarëve e kemi thënë se kërkojmë një diskutim të thellë të këtyre projektligjeve dhe që ato të përfshihen në kalendar në momentin që janë të diskutuara. Po marr rendin e ditës së sotme. Sikur edhe të ishte bërë një punë e mrekullueshme, e jashtëzakonshme etj., vënia e 6 kodeve në një seancë është krejt një formalizëm.
Jozefina Topalli – Pse?
Namik Dokle – Sepse nuk mund të diskutosh gjashtë kode në një seancë.
Jozefina Topalli – Gjashtë nene nuk diskutohen. Ne diskutojmë 160 nene në një seancë.
Namik Dokle – Jo, jo të lutem shumë, se nuk ka të bëjë me sasinë e neneve. Ju e kuptoni me sasinë e neneve, ju e keni konceptin me një ndryshim teknik. Ne nuk e kuptojmë ashtu, e kuptojmë ndryshe. E kuptojmë për një reformë të thellë në të gjitha aspektet që përfshijnë ligjet me tri të pestat, qoftë duke filluar nga Kodi Detar dhe me radhë, duke përfunduar te më të rëndësishmit që kanë të bëjnë me sistemin e Drejtësisë, sepse është absolutisht e domosdoshme të reformohet totalisht ky sistem, sepse është një nga pikat më të dobëta të funksionimit të shtetit.
Jozefina Topalli – Dakord, por çfarë lidhje ka me detin, ajrin dhe rrugën?
Namik Dokle – Sepse në ajër, në det, në tokë dhe nëntokë vidhet.
Jozefina Topalli – Me Kodin Rrugor? Me Kodin Detar? Zoti Dokle, ne këtu jemi tre deputetët më të vjetër. Të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. T’i themi gjërat siç janë dhe të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Të kallëzojmë se si do të jetë e thellë edhe ajo reformë.
Jemin Gjana – Me siguri Namiku kur ka shkuar në bjeshkë kur ka qenë i vogël, ka luajtur ndroçkën. Puna është të mos luajmë ndroçkën me njëri-tjetrin.
(Debat pa mikrofon)
Problemi është se ne nuk mund të tallemi me njëri-tjetrin. Po na fyen, koleg i nderuar, a ka mundësi të më dëgjosh? Ju thatë që ne duhet t’i diskutojmë thellësisht projektligjet dhe pastaj të jemi të gatshëm t’i votojmë. Çfarë do të thotë kjo? Pse nuk e votoni? Pse luani me ne? Kjo është të fyejmë njëri-tjetrin. Dakord, këto të tjerat nuk keni pranuar t’i gjykoni në thellësi, por këtë projektligj (Për shërbimin veterinar), që e keni gjykuar në thellësi, këtë për të cilin keni përgatitur dhe keni sjellë amendamente për të paktën 20 për qind të neneve të ligjit, pse nuk e votoni?
Namik Dokle – Nuk duam.
Jemin Gjana – Nuk doni. Kjo është e qartë.
Namik Dokle – Nuk mund të imponosh votën e kurrkujt. Deputetët kanë integritetin e tyre dhe nuk i komandoni ju në komision.
Genc Pollo– Nuk mund të detyrohet njëra palë apo tjetra, sepse gjithkush ka vendimmarrjen, po e quaj sovrane të vetën, por edhe përgjegjësinë e ka të vetën. Opozita në qoftë se do të luajë vazhdimisht me kartën e bllokimit, meqë ka kontrollin e tri të pestave, është mirë që ta thotë këtë hapur, ose të vendosë kushte të tjera politike, si ndryshime kushtetuese apo gjëra të tjera, por të themi që nuk janë gati tekstet, nuk janë të përpunuara, nuk kanë nevojë për rishikim, lidhen me problemet vjedhjet në rrugë apo në Gjyqësor, këto janë debate që më mirë t’i evitojmë, sepse humbasim kohë me njëri-tjetrin. Unë mendoj se tekstet janë në rregull. Siç u tha, janë përpunuar e amenduar edhe nga opozita gjatë diskutimeve të gjata në komisionet përkatëse. Është çështje vendimmarrjeje, që secili mund të flasë në emër të asaj që përfaqëson.
Gramoz Ruçi – Duke ndjekur debatin, zoti Dokle i parashtroi disa kërkesa që ne kishim, por po më vjen keq nga mënyra se si zhvillohet debati. Këtu nuk jemi për të gjykuar opozitën, këtu jemi në Konferencën e Kryetarëve për të bërë kalendarin e punimeve të Parlamentit. Por, meqë u diskutua kështu, unë do të thosha që opozita në asnjë vend të botës nuk detyrohet, nuk anatemohet. Opozita nuk detyrohet, opozita dëgjohet, me opozitën negociohet, me opozitën ndryshohet. Këto janë principet bazë. Për ne si opozitë ka rëndësi se si luftohet korrupsioni dhe Bashkimi Europian na ka mbyllur derën për këtë arsye, për korrupsionin. Hajdeni të ulemi të zgjidhim çështjen e korrupsionit, nëse doni votat e opozitës.
Jozefina Topalli – Faleminderit zoti Ruçi! Siç e keni parë, propozimet tuaja janë futur në procedurë, kanë hyrë për votim, më shumë se kaq nuk di se ç’mund të bëjë maxhoranca. Unë nuk di një qeveri tjetër në botë që i thotë opozitës: unë të jap pushtetin tim. Se, në fakt, po të jep pushtetin, po të thotë: ti sill emrin, unë po të jap votën, po të thotë t’i sill amendimet, unë po të jap votat. Kjo quhet opozita të veprojë si maxhorancë. Po të isha si Sali Berisha, unë kurrë nuk u kisha thënë më sillni emrin se unë e votoj, sepse unë jam maxhorancë dhe sepse negocioj. Njëri sjell disa emra, tjetri disa të tjerë dhe kështu zgjidhet konsensusi. Kjo nuk është negociatë, por kjo është të të falin pushtetin dhe në fakt ta kanë falur. Nëse të tjerëve kjo u duket se është antiparlamentarizëm ndoshta, edhe kanë të drejtë! Por, jini të sinqertë që ju keni marrë vendim për të mos votuar sot, sepse sot është dita e fundit ku mund të ketë mbetur një shpresë, qoftë edhe 3 për qind që Shqipëria të marrë statusin, pasi ju keni bojkotuar 2 vjet. Kjo është zgjedhja juaj, ne nuk ju imponojmë absolutisht. Por, unë po flas me dy burra që kanë 20 vjet në Kuvend, edhe më shumë vite se unë keni eksperiencë. Njëri është kryetar grupi dhe tjetri ish-Kryetar Parlamenti, të jemi të sinqertë. Unë ju ftoj si deputetët më të vjetër dhe besoj se ju brenda ndërgjegjes e keni këtë veti, s’po flas për ata që nuk kanë qenë kurrë në Parlament, po flas me ju të dy. Sot është dita e fundit dhe është keq që ky vend të mos marrë statusin e vendit kandidat, se dikush e mendon me një vogëlsi politike. Është për të ardhur keq, kemi humbur 500 vjet një herë, 50 vjet një herë, dhe 20 vjet të tjera me ulje-ngritje, të gjithë ne kemi përgjegjësitë dhe meritat tona. Të gjithë bashkë!
Gramoz Ruçi– Lidhur me atë që ju e quani si gjë të madhe që keni falur Avokatin e Popullit a ku di unë, ua kemi bërë të qartë se këtu është problemi i të gjitha institucioneve kushtetuese. Për sa i përket çështjes që më përmendët mua dhe Namikun që kemi kohë në këtë Kuvend, po ju kujtoj që pushtet nuk është Avokati i Popullit, dhe nuk ka përse ta marr unë pushtetin. Nuk e duam as Avokatin e Popullit, as KLD-në, as njërën e as tjetrën. Ne duam të kemi institucione të pavarura kushtetuese funksionale e të tjera. Për sa i përket këtij modeli, më takon mua të them që kam qenë pjesëtar i negociatave se, kur ju ishit në opozitë dhe ne në pushtet, u kemi lënë Presidentin. Kam bërë negociata ulur në tavolinë, ky është pushtet. Kjo është pjekuri dhe maturi politike, ulur në tavolinë 10 ditë negociata, derisa ramë dakord që vendit i bëhej mirë, që Presidentin ta kishte e djathta. Negociata janë ato që sot kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka 7 vjet edhe para 7 vjetësh e keni pasur një person të djathtë. Ja, këto janë negociatat. Këto janë lëshime të pushtetit, këto janë mjete për të luftuar korrupsionin dhe për të kontrolluar qeverinë.
Ilir Rusmali– Le të përpiqemi të kuptojmë dhe të shpjegojmë motivet që kemi dhe qëndrimet që mbajmë, pastaj t’i krahasojmë ata me pozicionin e BE-së, sepse është shumë interesant ky krahasimi me BE-në. Nëse ne mbajmë kalendarin përpara dhe shohim qëndrimet politike që kemi, nuk ka asnjë lloj analize tjetër dhe asnjë lloj konkluzioni tjetër, përveçse në çdo qëndrim kolegët e opozitës janë kundër BE-së. BE-ja kërkon pa kushte, pa parakushte, pa imponime, që të miratohen të gjitha ligjet dhe projektligjet që rrinë në Kuvend dhe që kërkojnë 3/5 e votave. Kolegët thonë: ashtu kemi një hall ne, ndonjë është më i sinqertë dhe thotë: nuk duam ta votojmë- dhe nuk e lejojnë të kalojë projektligjin. Këtu janë kundër BE-së, nuk janë pro BE-së. BE-ja thotë të ngrihet një orë e më parë Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe të zhvillojë produkt një orë e më parë, sepse Reforma Zgjedhore duhet t’i vijë Shqipërisë shumë kohë përpara zgjedhjeve parlamentare. Kolegët e opozitës thonë kemi Damianin ne, le të ecq Damiani me ritmin e vet damianian dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Është kundër kërkesave, sugjerimeve, propozimeve dhe këshillave që na jep BE-ja. BE kërkon jo vetëm miratimin e ligjeve me 3/5, por kërkon dhe substancën e këtyre ligjeve, ajo kërkon reformë të imuniteteve, të zhvishen zyrtarët nga imunitetet. Sa kohë kemi që i lutemi opozitës? Më shumë se dy-tri legjislatura, tri Parlamente dhe kolegët e opozitës nuk duan. Dhe thonë që ata janë me BE-në dhe ne jemi kundër?!
Jozefina Topalli– Po zoti Dokle, ta mbyllim se u bëmë edhe vonë për në seancë.
Namik Dokle – U bëmë vonë vërtet, por jo për fajin e opozitës, sepse dëgjuam shumë leksione, të cilat na harxhuan kohën kot. Unë dua të them se BE-ja kërkon luftë kundër korrupsionit dhe ndërkohë qeveria juaj është më e korruptuara në Europë, prandaj ju jeni kundër Bashkimit Europian. BE-ja kërkon pavarësi të institucioneve kushtetuese dhe ne kërkojmë miratimin e atyre ligjeve që të garantojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, ju nuk doni bashkëpunim me opozitën për të garantuar këtë pavarësi. Ju jeni kundër Bashkimit Europian. BE-ja kërkon shtyp të lirë, edhe mbrëmë ua kërkoi, dhe ne kërkojmë reformë që shtypi të jetë i lirë, i garantuar…
Jozefina Topalli – Po bëjeni pra, atë ligj.
Namik Dokle –…nga asnjë kërcënim, që kërcënohen përditë, qoftë gazetarë individualë, qoftë media të caktuara. Pra, ju jeni kundër Bashkimit Europian etj., jeni totalisht me veprime kundër Bashkimit Europian. Me korrupsion jeni kundër Bashkimit Europian, me diktat ndaj institucioneve kushtetuese, jeni kundër Bashkimit Europian, me diktat dhe hile kundër mediave jeni kundër Bashkimit Europian, me vjedhjen e votave jeni kundër Bashkimit Europian. Natyrisht, me buzëqeshje jeni pro Bashkimit Europian.
Valentina Leskaj – Atëherë, unë besoj se ngritja e zërit dhe sidomos tregimi me gisht nga ana tjetër ndaj opozitës, nuk besoj që është akt etike, por nuk i kontribuon edhe asaj, të paktën asaj që përpiqemi të themi dhe të bëjmë këtu. Unë besoj se nuk është detyra e maxhorancës që t’i tregojë opozitës se cilat janë detyrat e opozitës dhe se çfarë duhet të bëjë opozita. Vlerësimin e opozitës nuk e bën maxhoranca. Opozita as direktiva nuk merr, pa dyshim që ia bëjnë zgjedhësit e vet. Ne jemi disponibël dhe, për sa i përket Kodit për Veprën e Shpifjes, ne e kemi kaluar në komision sepse e kam dëgjuar edhe te WikiLeaks e kam parë, ku Kryeministri ka thënë e ka bllokuar Valentina Leskaj. Ne e kemi kaluar. E dini pse ka mbetur? Ka mbetur në Komisionin e Ligjeve dhe zoti Beja e di shumë mirë, qëndrimi ynë ka qenë që të ndahet pjesa, sepse përfshinte edhe median, edhe popullin. Kjo ka qenë, për një ndryshim të vogël ka mbetur atje. Le të merret vesh Komisioni i Ligjeve, sepse ne e kemi kaluar.
Jozefina Topalli – Dakord. Je konstruktive, zonja Valentina. Unë mendoj që ta kalojmë sot në Parlament për votim, meqenëse e keni gati. Atëherë, do ta shikojmë në seancë plenare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura