Lëv: Algjeria si Franca, do parkojë autobusin

Jun 30, 2014 | 13:53
SHPËRNDAJE

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, një ditë para supersfidës ndaj Algjerisë sot, në orën 22:00, u ka bërë edhe një herë skanerin afrikanëve dhe ecurisë së skuadrës së tij. Gjatë një interviste për “Bild am Sonntag”, strategu i “pancerave” flet për aventurën e tij në Brazil. “Nuk e kam përjetuar kurrë që kombëtaret e mëdha të skualifikoheshin kaq herët. Kjo tregon qartë se përfaqësueset e Amerikës së Jugut dhe Qendrore kanë pësuar rritje dhe duan të na tregojnë se luajmë në kontinentin e tyre. Janë shumë të shpejtë dhe të fortë, por kjo ndodh sepse ata janë mësuar të luajnë edhe në mesditë në temperatura që për ne janë të pazakonta. Deri tani kemi përmbushur pritshmëritë dhe vlerësimi duhet të jetë shumë mirë. Ka ende vend për përmirësim. Në këto finale vlen: fitore ose valixhet për në shtëpi. Kritikat dhe vlerësimet tona nuk mbyllen te kalimi i fazës së grupeve. Ndaj Ganës, për shembull, nuk ishim aq agresivë sa duhej dhe ndaj SHBA-së vlerësimi i shanseve për gol nuk ishte optimal. Ndërsa ndaj Algjerisë do jetë akoma më e vështirë, sepse do mbrohen me 10 lojtarë. Ne do përballemi me një mur dhe nuk duhet të neglizhojmë shanset tona. Ata kanë një vendosmëri të lartë dhe janë shumë euforikë. Lojtarët kanë një ‘background’ francez. Shumë prej tyre janë arsimuar dhe e kanë mësuar futbollin në Francë”, thotë Lëv.

Formacionet e mundshme
Gjermania (4-3-3): Nojer, Hëvedez, Humels, Mertezaker, Boateng, Kros, Lahm, Shvajnshtaiger, Gëce, Myler, Ozil. Trajner: Joakim Lëv
Algjeria (4-2-3-1): M’Bohli, Mesbah, Haliçe, Belkalem, Mandi, Bentaleb, Mexhjani, Feguli, Brahimi, Xhabu, Slimani. Trajner: Vahid Haliloviç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura