Letra e 15 deputetëve për kolegët e PD

Sep 30, 2014 | 12:35
SHPËRNDAJE

Deputetët e maxhorancës në Komisionin e Medias i kanë dërguar dje një letër kolegëve të opozitës ku i rendisin arsyet për të cilat deputetët e shumicës duhet të marrin pjesë në procesin e plotësimit të vendeve vakante në AMA dhe KDRTSH. Nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza, theksoi se opozitës do t’i lihet dy ditë kohë për t’u njohur me shkresën dhe më pas do të vijohet me procedurat e plotësimit të vendeve vakante. “Nga ky moment i japim edhe dy ditë kohë opozitës që të njihet me letrën, si dhe opinionit publik e medias, për të vijuar më pas mbledhjet e komisionit në përvijimin e procedurave për plotësimin e katër vendeve vakante në AMA”, tha Peza. Ndërkohë që në letrën e dërguar deputetëve të pakicës theksohet se mosplotësimi i AMA-s po vë në rrezik procesin e dixhitalizimit që duhet përmbyllur në vitin 2015. “I bëjmë thirrje koshiencës suaj politike dhe qytetare për të zgjidhur sa më parë situatën e krijuar në AMA. Pavarësisht vendimit politik të opozitës për të bojkotuar Kuvendin, për shkak të interesit madhor publik të kësaj çështjeje dhe pritshmërive të partnerëve tanë ndërkombëtarë që asistojnë dhe monitorojnë punën e institucioneve në Shqipëri për realizimin e standardeve të integrimit në BE, ju bëjmë thirrje që të riktheheni në komision dhe të bëheni pjesë e zgjidhjes së këtij bllokimi”, thuhet në letrën e firmosur nga 15 deputetë të shumicës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura