Leskaj: PS duhet të hapet përtej një koalicioni me LSI

Jul 31, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, duke folur për kursin e ri politik që PS pritet të përqafojë në vjeshtë, shprehet se do të zhvillohet një opozitarizëm i fortë jashtë dhe brenda Kuvendit.

Për Leskajn mbetet problematike sjellja e maxhorancës ndaj institucioneve dhe opozitës. E pyetur rreth një koalicioni të mundshëm zgjedhor me LSI-në, zonja Leskaj shprehet se koalicionet nuk duhen parë si çështje numrash dhe sheh domosdoshmërinë e një hapjeje të PS përtej koalicionit me një parti të caktuar, siç është LSI apo PDIU. Leskaj mbështet propozimin e kolegut të saj Malaj për ndarjen e mandateve politike në PS.

Kryetari Rama është shprehur për një kurs të ri politik të PS pas shtatorit. Ky duket si një reflektim për qëndrimin e deritanishëm opozitar të PS. Mendoni se ka sjellë kosto për vendin dhe për PS?

Një forcë politike serioze është gjithmonë në proces reflektimi, madje edhe në kushte normale ka nevojë për një dinamikë ndryshimesh. Në rastin tonë po flasim për një opozitë e cila, ka përballë një maxhorancë që ka ngushtuar të gjitha hapësirat e lirisë duke filluar nga ajo e votës, nga liria e fjalës, e medias, që ka instaluar kulturën e diktatit dhe uzurpimit ndaj institucioneve, kur Parlamenti është larg të qenit funksional. Në këto kushte, sjellja e opozitës nuk ka qenë një zgjedhje e saj, përkundrazi ka qenë mungesa e hapësirave për të vepruar ndryshe. Gjithsesi, me këtë nuk dua të them që gjithçka është bërë shumë mirë dhe ne prandaj flasim sot për një kurs të ri politik, por nuk mund të bie në një mendje me ju dhe shumë të tjerë që kostot e situatës aktuale i kërkojnë te opozita, jo te ajo që është përgjegjësja reale. Vendi sot vuan nga mungesa e institucioneve të pavarura dhe kjo nuk vjen nga opozita, që vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe kjo nuk vjen nga opozita që është e dëmtuar, nga varfëria, nga niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit dhe këtë nuk e bën opozita, vuan nga një administratë publike militante e në shkelje të ligjit dhe kjo nuk vjen nga opozita. Sot ndëshkohet një gjynahqar që shkel ligjin, por jo një qeveritar.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në kursin e ri të PS? Cila do të jetë marrëdhënia e Grupit Parlamentar socialist me Parlamentin? Do të votojë ajo ligjet që lidhen me 12 prioritetet e BE-së për integrimin e vendit dhe ligjet apo kodet që do zhbllokojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë, kam parasysh këtu Gjykatën Administrative apo dhe Kodin Penal…

Në fakt, kursi i ri ka të bëjë si me raportet brenda vetes, ashtu dhe me raportet që ju thoni me Parlamentin. Sa i përket të parës, ne jemi në një proces të gjerë konsultimesh e programimi nga do të derivojnë dhe dy dokumentet kryesore, siç janë programi politik dhe ndryshimet në statut. Një qasje më e hapur, një reformë që përfshin edhe mënyrën e organizimit të punëve dhe të funksionimit të strukturave vendimmarrëse në të gjithë piramidën, një opozitë më e fortë dhe më e strukturuar, janë gjëra që duhen bërë pjesë e kursit të ri politik. Ajo që mund të them është se pa dyshim që do ketë një opozitarizëm të fortë brenda dhe jashtë Parlamentit dhe kjo, jo për nevoja të opozitës, por për nevoja të vendit, për shkak të situatës së vështirë ku vendi ka hyrë. Sa i përket votës në Parlament, për mua nuk është çështja që t’u tregojmë një listë ligjesh BE-së apo ShBA-ve, por si të garantojmë që ligjet të zbatohen, që reformat të jenë të qëndrueshme e që t’u shërbejnë njerëzve. Për sa i përket çështjes së 12 prioriteteve, pika e parë janë zgjedhjet dhe këtu maxhoranca dështoi, vlerësimi për zgjedhjet është bërë i qartë edhe në deklaratën e fundit të Ashton e Fule. Por, dua të kujtoj se 12 pikat lidhen edhe me të gjitha ato probleme që unë i përmenda më lart.

 

Çfarë mendoni se u bë gabim në Tiranë në zgjedhjet e 8 majit, rikandidimi për herë të katërt i zotit Rama, koalicioni i dobët apo sjellja e maxhorancës, siç denoncohet nga PS?

Tirana provoi në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve atë që opozita ka thënë, përdorimin abuziv të institucioneve të pavarura për të marrë e mbajtur pushtetin me çdo kusht. Ajo që ka ndodhur në Tiranë është aq flagrante sa sot edhe ata më nihilistët e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet. Por, pa dyshim që problemi më i madh nuk është se kush është sot Kryebashkiaku i Tiranës, por fati i institucioneve të pavarura, përdorimi i sistemit dhe humbja e besimit të qytetarëve tek ai.

Zoti Rama ka folur për gabime në ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Mendoni se ky reflektim duhet të ndajë dhe përgjegjësinë për kostot që shkaktuan këto ndryshime, kam parasysh rolin e presidentit i cili nuk mundet të ushtrojë presionin e tij edhe kur i kthehen dekretet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë nga ana e Parlamentit?

Pa dyshim që ndryshimet kushtetuese kanë pjesën e tyre të ndikimit në dobësimin e rolit të Presidentit si garant, por nuk duhet harruar që çështja e kthimit të dekreteve apo çështje të tjera që lidhen me institucionet e pavarura, lidhen me kulturën politike të Kryeministrit dhe përgjithësisht të maxhorancës në raport me to. Në çdo rast mund të gjesh hapësira për të abuzuar, çështja është sa i prirë je për ta bërë këtë. Gjithsesi, PS e ka mbajtur qëndrimin e saj reflektues, për sa kohë po kërkon ndryshimet kushtetuese dhe i mbetet PDsë të pranojë nevojën e reformës kushtetuese duke menduar për institucionin, jo për emrin e Presidentit.

Sipas jush, çfarë duhet të përfshijnë ndryshimet kushtetuese? Sa i takon Presidentit, ai duhet të rikthehet në ato dispozita kushtetuese si para prillit 2008 apo një President nga populli?

Thelbi i ndryshimeve kushtetuese synon përmirësimin e sistemit, garantët e tij dhe qëndrueshmërinë e reformimeve. Këtu hyn dhe institucioni i Presidentit. Gjithsesi, sado të mira të jenë ndryshimet, nuk mjaftojnë sa kohë që problemi më i madh është jo boshllëku ligjor, por shkelja e ligjit.

Nga faktori ndërkombëtar çdo ditë vijnë apele për nisjen sa më parë të dialogut politik mes palëve, dialog i cili duhet të nisë me reformën zgjedhore. Si e vlerësoni këtë ngurrim nga ana e PS dhe mbi ç’baza duhet të ngrihet ky dialog?

Dialogu është i domosdoshëm, po dialog me kë e për çfarë? Personalisht jam për dialog, por dialogu nuk ka vlerë nëse nuk siguron zgjidhje të qëndrueshme. Këtu nuk është çështja t’u themi partnerëve që ja po dialogojmë, nëse nuk garanton zgjidhje të qëndrueshme, nëse nuk ndryshon jetën e njerëzve, nëse nuk përmirëson sistemin që është garanti në demokraci. Njerëzit nuk mund të bëhen të lumtur se flasin me njëri-tjetrin të mëdhenjtë e PS me ata të PDsë, si rasti i zonjës nga Berati, të lodhur nga sherret. Dua t’ju kujtoj që ne kemi bërë edhe herë të tjera dialog e marrëveshje, por ku kanë përfunduar?! Ligjet që miratuam me konsensus në vitin 2008, si produkt i marrëveshjes u shkelën nga maxhoranca. I pari ligj që u shkel ishte Kodi Zgjedhor. Po kthehem pak më pas në kohë, te marrëveshja e vitit 2006 që u kthye në ligj në vitin 2007 për KQZ dhe entet rregullatore mediatike, KKRT dhe Këshilli Drejtues i RTSH. Ligji është shkelur nga maxhoranca me të dy këmbët. Pra, çështja është më komplekse se sa kaq, që opozita të shkojë e të votojë ligjet e qeverisë. Problemi nuk është si të kalojmë krizën e radhës, por si të ngremë një sistem të mbrojtur nga arbitrariteti i pushtetit që gjeneron kriza. Zgjidhja e krizës së radhës është e përkohshme, vendi ka nevojë për zgjidhje të qëndrueshme dhe zgjidhjet e qëndrueshme vijnë kur opozita ka garantët. Pa dyshim që duhet të jemi e do jemi në Parlament, po nuk mjafton vetëm të jesh atje. Ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të sjelljes së maxhorancës në Parlament e jashtë tij në raportet e saj me ligjin dhe institucionet e pavarura, ndaj reforma kushtetuese, ajo zgjedhore, si edhe ajo e funksionimit të Parlamentit janë sot më se të domosdoshme.

Anëtari i kryesisë socialiste, zoti Arben Malaj, përmes një platforme, propozon kufizimin e mandatave të të zgjedhurve, kryetar partie, bashkie apo komune jo më shumë se dy, por dhe ndarjen e mandateve të deputetëve nga kryetari i partisë, por dhe një garë brenda PS për kandidaturat. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre propozimeve?

Aktualisht ne po punojmë për programin politik të PS dhe për përmirësimet në statut. Unë mendoj se më i rëndësishëm është procesi nëpër të cilën po kalojnë këto dy ndërmarrje. Nuk është rasti që ulen tre veta e bëjnë një material për t’ia ofruar Kongresit për të thënë ja ku i kemi. Është një angazhim në një proces të hapur e përfshirës që mobilizon të gjitha kontributet jo vetëm brenda partisë, po edhe jashtë saj, përmes një procesi konsultimesh me aktorë të shoqërisë civile, grupe interesi ekspertë apo përvoja ndërkombëtare. Në këtë kuptim, çdo lloj kontributi është i çmuar, sepse do rrisë cilësinë e produktit dhe pa dyshim të aksionit politik të PS. Në këtë kuptim edhe z.Malaj, i cili është pjesë e grupit të punës për programin politik, përmes një procesi konsultimi e ballafaqimi idesh do kontribuojë në programin e PS. Kjo është PS-ja, një parti ku njerëzit nuk kanë frikë të flasin, një parti ku njerëzit kanë hapësirë debati e ballafaqimi idesh. Natyrisht që njerëzit shpesh e krahasojnë me bunkerin e PD-së dhe kjo bën përshtypje. Unë besoj që ky është një aset dhe jo një problem i PS. Sa i përket çështjeve që ju përmendët, personalisht jam për ndarje të mandateve sepse zgjeron përfshirjen, rrit eficiencën dhe pa dyshim që PS është një parti e pasur në kapacitete. Sa i përket garës, nuk ka munguar asnjëherë në PS.

Sistemi aktual zgjedhor kërkon koalicione sa më të gjera dhe me parti që kanë peshë elektorale. Si duhet të jetë koalicioni i ardhshëm zgjedhor i PS? Çfarë qëndrimi duhet mbajtur me LSI-në, po me PDIU?

Për fat të keq, i gjithë debati kohët e fundit është përqendruar te numrat, që pa dyshim janë shumë të rëndësishëm në procesin elektoral. Hapja e partisë është një proces i domosdoshëm që buron jo vetëm nga nevoja për vota, por si një alternativë serioze gjithëpërfshirëse, nga e cila derivon një program më përfaqësues në shërbim të njerëzve. Me të thënë këtë, unë mendoj se hapja shkon përtej emrit të një partie apo një liste partish, që do ishte thjesht një raport numerik. Nuk është thjesht çështje numrash, që qeverisja të mos përfundojë si kjo e sotmja si një pazar përqindjesh në postë, po si një kontribut në programe e alternativa. Rëndësi ka baza mbi të cilin ngrihen koalicionet.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura