Leka: Këngëtarë “big” më kërkuan fitoren

Oct 31, 2014 | 13:37
SHPËRNDAJE

Martin Leka
“Ka pasur këngëtarë të njohur, të cilët kanë kërkuar fitoren e sigurt për të marrë pjesë në festival”. Këtë e ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp drejtori i Festivalit të Këngës në RTSH, Martin Leka. Edhe pse Leka nuk përmendi asnjë emër, është e qartë, “big”-ët nuk marrin më pjesë në festival, nëse nuk u garantohet fitorja dhe përfaqësimi i Shqipërisë në Eurosong. Megjithatë, festivali i sivjetshëm, të paktën për nga pjesëmarrja dhe emrat në garë, duket se ka një rritje krahasuar me një vit më parë, kur konkurruan vetëm 16 këngë. Organizatorët, drejtori Martin Leka, drejtori artistik Shpëtim Saraçi, skenaristja Mira Tuci, prezantuan dje jo vetëm këngët e përzgjedhura, por edhe formulën e festivalit. Ndër të tjera u njoftua se pas çdo nate, do të zhvillohet “post festival”, duke u dhënë mundësi artistëve, kritikëve dhe mediave t’u bëjnë pyetje të drejtpërdrejta organizatorëve dhe këngëtarëve pjesëmarrës dhe të vënë në dukje, në mënyrë të hapur, edhe të metat që mund të paraqesë ky edicion.
Pjesëmarrësit
Ashtu si edhe ishte zbuluar nga gazeta “Panorama”, këtë vit do të garojnë 28 këngë në Festivalin e Këngës në RTSH. Në këtë aktivitet traditë, që shënon edicionin e tij të 53-të dhe që do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, vihet re një ndërthurje brezash, pjesëmarrës të rinj, por edhe nga ata që nuk heqin dorë kurrë dhe nuk i mungojnë festivalit në asnjë edicion. Ka pjesëmarrje për herë të parë, siç shënohen edhe rikthime këngëtarësh, por edhe krijuesish. Kështu gjatë dy netëve të para të festivalit do të ngjiten në skenë këngëtarë si Altin Goci, Agim Poshka, Besjana Mehmedi & Shkodran Tolaj, Bojken Lako Band, Emi Bogdo, Enxhi & Xhejn Kumrija, Erga Halilaj, grupi Aurora, Gjergj Leka, Jozefina Simoni, Julian Gjojdeshi, Kelly, Klajdi Musabelliu, Linda Halimi, Rezarta Smaja, Saimir Braho etj. Çka të bie në sy është edhe një “vërshim” i fituesve të “The Voice of Albania”. Nëse vite më parë flitej për prurjet e “Ethet e së premtes mbrëma”, tanimë flitet për “The Voice”. Prej këtyre prurjeve veçojmë Marsela Çibukaj, Jozefina Simoni, Sigi Bastri & Florent Abrashi dhe Venera Lumani.
Nga një tjetër “The Voice”, por jo nga ky yni, vjen edhe Elhaida Dani, fituesja shqiptare mes talenteve italiane, e cila i rikthehet Festivalit të RTSH-së, me një krijim të Aldo Shllakut. Surprizë është pjesëmarrja e aktorit Enver Petrovci me këngën “Të vranë bukuri”. Nga brezi i veteranëve të këngës vjen Kozma Dushi, me një tjetër veteran të muzikës shqiptare, kompozitorin Enver Shëngjergji. Çka bie në sy nga lista e publikuar dje, është se shumë prej konkurrentëve prezantohen si kantautorë. Mes kompozitorëve dallojnë emrat e Klodian Qafokut, Genti Lakos, Sokol Marsit, Bledar Sejkos dhe Markeljan Kapedanit, rikthimi i Adrian Hilës pas dy edicionesh mungesë etj.
Përzgjedhja
Një prej anëtarëve të stafit organizativ, kompozitori Edmond Zhulali, sqaroi se pas njoftimit nëpërmjet mediave dhe ftesës që u janë bërë të gjithë krijuesve dhe këngëtarëve, u paraqitën pranë redaksisë muzikore më shumë se 50 krijime. “Bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit organizator, Shpëtim Saraçin dhe Alfred Kaçinarin, bëmë seleksionimet, dhe dy ditë më parë vendosëm për këto 28 këngë, ku siç e vini re, përfshijnë artistë të rinj, por edhe shumë emra të njohur të muzikës shqiptare. Ka ndërthurje brezash dhe rryma të ndryshme muzikore”. Siç kanë shpjeguar organizatorët, praktika e përvitshme është që secilit prej këngëtarëve fitues dhe pjesëmarrës në Eurovizion, vitet e mëparshme, u bëhet ftesë për pjesëmarrje. “Ka shumë raste kur festivalin e Këngës e lidhin me Eurovizionin”, ka thënë drejtori Martin Leka. “Por kolegët, artistët që e drejtojnë këtë festival, nuk e shohin kështu, sepse Festivali i Këngës është tradita jonë, e shkuara dhe e ardhmja. Prandaj dhe në plan të parë është cilësia dhe vlerat që ky festival përçon te publiku”. Leka nuk e fshehu se ka pasur edhe nga ata këngëtarë që i kanë trokitur në zyrë dhe kanë kërkuar trofeun e festivalit. Duke qenë se ky premtim nuk u është dhënë pavarësisht të qenurit “big”, ata kanë preferuar të mos marrin pjesë në festival. Edhe në këtë edicion gjykimin do ta japë një juri profesioniste, emrat e së cilës do të bëhen publikë në ditët në vijim. Nga 28 këngët pjesëmarrëse, në natën finale do të kalojnë vetëm 18 prej tyre.                       al.mi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura