Laura Biagiotti 10 pyetje për Pranverë-Verë 2011

Feb 27, 2011 | 10:29
SHPËRNDAJE

1 Si do të jetë gruaja e sezonit Pranverë-Verë 2011?
Gruaja e këtij sezoni do të jetë super femërore. “Çdo burrë ëndërron kukullën e tij”: delikate dhe romantike po, por me kufi.
2 Një shpërthim ngjyrash në pasarelat e Pranverë-Verë 2011. Nga cilat nuk mund të heqim dorë?
Nga e bardha dhe e zeza. Kombinimi i tyre do t’u japë jetë efekteve grafike dhe vizive tepër të rafinuara. Por nuk duhen lënë mënjanë edhe ngjyrat pastel me tone neutrale dhe një shpërthimi ngjyrash plot jetë, “vitaminoze”, që do të jenë protagoniste, sidomos në aksesorë.
3 Nga moda e ç’viteve do të jemi të ndikuar dhe çfarë siluetash?
Do të tërheqin vëmendjen asimetria dhe proporcionet kreative. Stili i viteve ’60-’70 sfilon nëpër pasarela me shumë karakter: veshje me një shpatull, forma të parregullta, tunika vetëm me një mëngë. Veshja dhe forma e saj mund të adaptohen sipas rastit, sipas trupit, duke i dhënë një liri pa kufi gruas.
4 Cilat janë dy veshjet që nuk duhet të na mungojnë në Pranverën 2011?
Një xhaketë me prerje të çregullt dhe një kostum të gjerë. Pra linja të lirshme, asimetrike, të zbukuruara me pala e me rrudha, për të kaluar verën në mënyrë sa më komode.
5 Çfarë materialesh do të veshim?
Mëndafsh, dantellë, lino, copa të lehta, të cilat mund të kombinohen me pala e rrudha të buta.
6 Cilët janë aksesorët nga të cilët nuk mund të heqim dorë?
Varëse, çanta, syze dhe këpucë. Këtë vit aksesorët do të jenë nga të gjitha llojet, të madhësive nga më të ndryshmet. E rëndësishme është ngjyra.
7 Si do t’i mbajmë këpucët?
Do të ketë për të gjitha shijet. Që nga sandalet e larta, apo të ulëta, ku gjithashtu do të vihen re elementë të asimetrisë, me përbërje lëkure, apo kamosh, tek ngjyrat e shumëllojta, nga e kuqja tek bezha, apo tek ato më të gjallat “metalizato” të gjelbërta, apo portokalli.
8 Funde, apo pantallona? Si do të jenë?
Funde, apo pantallona, një gjë është e sigurtë, do të jenë XXL. Materiale delikate, prerje të lehta, që përkëdhelin trupin e arrijnë deri në tokë. Një ndjesi lirie dhe freskie absolute.
9 Cila është ajo veshje që mund ta përdorim, apo që duhet ta “braktisim” për këtë sezon?
Format e fluturave në të gjitha llojet e veshjeve, që nga xhaketat tek çantat e përmasave të mëdha dhe të vogla, do t’i shkojnë shumë kësaj vere. Duhen lënë mënjanë rripat e gjerë të sezonit të shkuar, të cilët do të zëvendësohen nga ata të lehtë, dy ngjyrësh, që sillen dy herë rreth trupit.
10 Gjatë mbrëmjeve verore, cila duhet të jetë veshja dhe aksesori që duhet të kemi?
Me një veshje të gjerë dhe të butë deri në tokë, me një çantë të vogël, nuk do të kaloni pa u vënë re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura