Kaosi në Parlament, përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi Berisha dhe 5 deputetë të tjerë demokratë (EMRAT)

Dec 6, 2023 | 16:39
SHPËRNDAJE

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe 5 deputetë të tjerë.

kuvend tymuese2

Konkretisht u përjashtuan deputetët Flamur Noka, Elda Hoti, Albana Vokshi, Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe Sali Berisha.

Përjashtimi vjen pas seancës së të hënës së 4 Dhjetorit, ndërsa opozita bllokoi zhvillimin e punimeve në Kuvend, përmes kaosit të krijuar me flakadanë dhe zjarr.

ARSYET

“Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve deputeti Noka e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Edhe pse drejtuesja e seancës mori masë disiplinore ndaj deputetit, ai vijoi përsëri të cënojë mbarëvajtjen e seancës plenare. Situata agravoi edhe më tej në momentin kur deputeti Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë.

Deputetet Elda Hoti dhe Albana Vokshi i dhanë disa herë deputetit Flamur Noka flakadanë. Gjithashtu deputetja Elda Hoti e ndihmuar edhe nga deputetja Vokshi ndezën disa flakadanë ku disa prej tyre i vendosën poshtë karrigeve mbi foltore.

Deputeti Gazmend Bardhi pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke shkaktuar rrëmujë në sallë dhe përdori fjalë fyese ndaj deputetëve të Partisë Socialiste gjatë fjalës së tyre. Gjithashtu deputeti Bardhi tentoi t’i merrte kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë kohës që po mbante fjalën. Gjithashtu pranë deputetit Koçi u afrua edhe deputeti Edi Paloka i cili tentoi ta godiste.

Deputeti Sali Berisha pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke zaptuar foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sallë, fyer deputetët dhe drejtuesen e seancës, sjellje këto në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhej ne shkresen e deputeteve socialiste.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura