Apeli e dënoi me 2 vite burg, SPAK kërkesë Policisë së Shtetit për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla

Sep 22, 2021 | 18:25
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka bërë kërkesë Policisë së Shtetit që të arrestojë ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Adriatikk-Llalla

Kërkesa e SPAK vjen vetëm pak orë, pasi Gjykata e Apelit dhe vendimin e formës së prerë për ta dënuar ish-kryeprokurorin me dy vite burg.

“Bazuar në faktin se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Llalla u shpall fajtor dhe u denua me dy vite burg për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Po ashtu, ish-kryeprokurorit i eshte hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Njoftimi i SPAK

Mbi përfundimin e gjykimit ndaj të pandehurit Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi:

“Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur:

Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen:

Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës.

Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsejt 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë.

Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.

Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.

DENIMI I ADRIATIK LLALLES

Sot Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Po ashtu vendimi përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë së ish-kryeporokurorit.

Në një prononcim për mediat avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin si të padrejtë.

LLALLA ËSHTË LARGUAR NGA SHQIPERIA

Nderkohe burime nga Policia bëjnë me dije se Llalla është larguar nga Shqipëria javët e fundit.

Destinacioni i mundshëm i Adriatik Llallës mësohet se ka qenë Turqia, ndërsa nuk dihet nëse ish-kryeprokurori ndodhet ende në këtë shtet.

Më herët në një prononcim për mediat avokati i Adriatik Llallës tha se klienti i tij ndodhet në regjim spitalor, pa sqaruar nëse ndodhet në Shqipëri apo jashtë vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura