Kuzhe: Jemi në formë, Lala në superformë

Aug 31, 2011 | 12:04
SHPËRNDAJE

Pas mbarimit të nde-shjes së dy përfaqësueseve A dhe U-17, të fituar nga Kombëtarja e të rriturve 4-0 (gola të Bogdanit 10′, Salihit 21′(11m), Vilës 67′ dhe Kapllanit 87′), trajneri Josip Kuzhe dha disa mendime në lidhje më atë çka paraqiti formacioni i tij në këtë miqësore.Kuzhe, shumë korrekt me shtypin, pranoi të reagonte në versionin e tij duke vënë në pah pikat më të forta dhe të dobëta të skuadrës që drejton.
Jeni i kënaqur me atë çka dha ekipi sot (dje) në këtë përgatitore?
Deri diku po. Po të shprehem në shifra, pohoj i sigurt se jam i kënaqur në masën 90 për qind.
Ndonjë vlerësim individual?
Vlera dhe forca e ekipit tonë është grupi, dhe individi është në funksion të grupit. Unë prirem nga disa detaje të lojës, ato që mua më interesojnë. Në pamundësi për të bërë një analizë të mirëfilltë, mund të pohoj se lojtarët shprehën në masën më të madhe atë që unë kërkova prej tyre.
Individët janë në gjendjen e tyre më të mirë, pasi sot nuk vumë re Jonuzin të aktivizohej, qoftë edhe disa minuta?
Një grup i fortë nuk mund të jetë i tillë pa individë në gjendje inkurajuese. Lëvizshmëria, spostimet e vendeve, zbatimi rigoroz i taktikës së lojës, të gjitha këto krijuan një raport të pranueshëm ndërmjet grupit dhe individit. Sa i takon sulmuesit Januzi, ai erdhi i dëmtuar në kofshë nga ndeshja e fundit që bëri ekipi i tij në kampionat. Por, mjekët më siguruan që ai shpejt vjen në gjendje dhe është i gatshëm, po të kërkohet ndihmesa e tij.
Përbërja e lojtarëve në pjesën e dytë sikur ia uli kërkesat miqësores, sepse u luajt me dhjetë veta dhe u krijuan shumë hapësira…
Kjo më ndihmoi, sepse futbollistët arritën të shpreheshin në vlera fizike dhe teknike. Hapësira e krijuar me mangësinë e një futbollisti u plotësua me shpejtësinë në lëvizje, në mënyrën e tyre nga të gjithë futbollistët e tjerë.
Duke munguar një pjesë e konsiderueshme e titullarëve, cili ishte qëllimi që kërkonit të testonit në 45 minutat e dyta?
Për të qenë i sinqertë, krahas prekjes në tërësi të punës në grup, u përqendrova dukshëm tek performanca e Altin Lalës. Nuk dua të flas me hollësi, por shkurt, mund të pranoj se Lala mbështeti bindjen time se gjendja e tij është e pranueshme.
Mister, formacioni i 45 minutave të para duhet pranuar se është njëqind për qind ai i ndeshjes së 2 shtatorit?
Jo, jo. Kurrsesi nuk mund ta shpreh këtë. Nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve.
Cila ishte përshtypja që krijuat për formacionin e U-17?
Komplimente kolegut, bashkëpunëtorit dhe mikut tim, Mustedanagiç. Të jem i sinqertë me ju, i kaloi parashikimet e mia. Është merita e këtij formacioni, që unë arrita të krijoj bindjet e mia për lojën e ekipit që drejtoj.

Formacioni/ Bulku e Curri në mesfushë

Në miqësoren e ditës së djeshme kundër Kombëtares U-17, trajneri Josip Kuzhe provoi një skemë, ku mungonte Altin Lala. Kapiteni i kuqezinjve nuk është në një formë të mirë fizike dhe tekniku kroat provoi një skemë, që me shumë mundësi nuk do ndryshojë as në ndeshjen ndaj Francës. Në qendër të mbrojtjes luan Lorik Cana me Admir Telin, ndërsa Curri kalon në qendër të mesfushës, ku luan sëbashku me Bulkun. Skela pritet që nga minuta e parë, ndërsa ekipi do luajë me dyshen sulmuese Bogdani-Salihi. Gjithsesi, shkodrani do ketë detyra më mbrojtëse dhe do aktivizohet edhe në krahun e djathtë.

Kartonët, 9 lojtarë rrezikojnë Luksemburgun

Dallku, Lika, Lala, Duro, Cana, Vangjeli, Skela, Salihi dhe Bulku. Janë nëntë lojtarë të ekipit tonë që rrezikojnë të mos luajnë në ndeshjen ndaj Luksemburgut, më 6 shtator, në rast se ndëshkohen me karton në takimin ndaj Francës. I vetmi që ka karton, po që nuk rrezikon është Erjon Bogdani, i cili ka marrë dy të tillë gjatë ndeshjeve kualifikuese, por e ka shlyer dënimin me një ndeshje pezullim ndaj Bjellorusisë, në Minsk. Këtë gjë e ka vënë në qendër të vëmendjes, dje në konferencën për shtyp edhe Armend Dallku, i cili mban edhe rekordin për kartonë në Kombëtare me tre të tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura