Kuvendi zgjedh Artan Brocin, Nishani prezanton Zaganjorin

Apr 30, 2013 | 11:26
SHPËRNDAJE
Nishani duke prezantuar Zaganjorin

Parlamenti miratoi dje me 71 vota dekretin e Presidentit Bujar Nishani për emërimin e Artan Brocit si anëtar të Gjykatës së Lartë. Gjatë procesit të votimit për emërimin e Artan Brocit nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i PS-së, po ashtu dhe aleatët e saj të LSI-së dhe PBDNJ-së. Demokratët i siguruan 71 votat falë mbështetjes së tre deputetëve të larguar nga Grupi Parlamentar i PS-së, Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli dhe Kastriot Islami, që kanë votuar pro dekretit të Nishanit. Kandidatura e Artan Brocit u miratua në orët e para të mëngjesit, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Në prani edhe të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, u zhvillua dje në Gjykatën e Lartë ceremonia e prezantimit në detyrë të kryetarit të Gjykatës, Xhezair Zaganjori. Në të njëjtën ceremoni u prezantuan para trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë edhe dy anëtarët e sapoemëruar, Admir Thanza dhe Tom Ndreca. Kryetari Zaganjori tha se vendi ynë ka nevojë të ndjekë modelet e vendeve me demokraci të zhvilluar dhe atyre perëndimore, të cilat kanë arritur të kenë një Gjyqësor, i cili është kolonë e rëndësishme brenda një shteti demokratik. Sipas tij, “Gjykata e Lartë ka një sërë detyrimesh të rëndësishme, si rritjen e transparencës, pavarësisë, performancës dhe përgjegjësisë funksionale, në mënyrë që ky pushtet të vijë duke u forcuar e konsoliduar për të përmbushur me sukses rolin dhe misionin e dhënies së drejtësisë”. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e madhe që ka unifikimi i praktikave gjyqësore. Sipas Presidentit, “unifikimi i praktikave gjyqësore është mjeti më efikas, për të mos thënë dhe i vetmi pas përcaktimeve ligjore, i cili do të orientojë qartë se si duhet të sillet një gjyqtar në marrjet e vendimit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura