“Kush zyrtar bën korrupsion, tradhtar i dyfishtë! Hajdut me kostum që merr…”- Rama: Kur e zbulon drejtësia, e hidhur që e kemi pasur mes nesh, por një parazit me pak

May 7, 2024 | 12:30
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka paralajmëruar të gjithë zyrtarët e tij që abuzojnë me detyrën apo kapen në korrupsion se nuk do të kenë vend në parti.

Në fjalën e tij para deputetëve dhe ministrave, ai tha se ata janë hajdutë me kollare.

Kur i zbulon drejtësia – u shpreh Rama- na vjen hidhur që i kishim, por është një lajm i mirë pasi kemi një parazit më pak.

“Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!

Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes!

E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.  Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.

Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli.

I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër, ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura