Kule: Buxheti i Tiranës i jep frymëmarrje biznesit

Dec 30, 2011 | 11:48
SHPËRNDAJE

Dhori Kule

Flet këshilltari prej 11 vitesh në Këshillin e Tiranës, Prof.dr. Dhori Kule

“Ka filozofinë e ruajtjes së ekuilibrave të tregut”

Vetëm dy ditë më parë, pas një mbledhjeje të gjatë, u miratua në Këshillin Bashkiak buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2012. Me detaje u diskutuan projektet ku do të shpenzohen 70 milionë dollarët sipas prioriteteve të vendosura nga ekzekutivi. Pavarësisht debateve, ekspertët e ekonomisë janë ata që japin verdiktin mbi efektivitetin e këtij buxheti. Kryetari i komisionit të ekonomisë, Dhori Kule, njëkohësisht prej 11 vitesh anëtar i Këshillit Bashkiak, në intervistën e tij për gazetën, analizon filozofinë e re të hartimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës duke e konsideruar  atë si të duhurën dhe më efektiven në dekadën e fundit.
Profesor Kule, ju keni 11 vjet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Si e gjykoni filozofinë e buxhetit të ri të Bashkisë së Tiranës pas disa vitesh bllokimi?
Buxheti i ri i Bashkisë së Tiranës, them me bindje dhe kënaqësi që sjell një filozofi të re e vizionare sa i përket zhvillimit të qytetit. Administrata e Bashkisë, me një përgjegjësi shembullore, të kombinuar me profesionalizëm po kaq shembullor, ka hedhur në shifrat e prezantuara filozofinë elitare të zotit Basha dhe ekipit të tij. Në shqyrtimet që i kemi bërë në komision projektbuxhetit, ka qenë e dukshme të vihej re se ekzekutivi i Bashkisë së Tiranës ka marrë përsipër të punojë me realitet dhe kapacitet të plotë duke e konsideruar sfidë ruajtjen e ekuilibrave jo vetëm në variantin optimist, por në atë realist. Në buxhet reflektohet qartë se sipërmarrjes në Tiranë i jepet frymëmarrje për të gjeneruar më shumë zhvillimin e qytetit dhe për të ruajtur ekuilibrat e tregut.
Mendoni se prioritetet e vendosura nga Bashkia e Tiranës shkojnë paralelisht me atë që i duhet qytetarit?
Pasqyrimi i ndryshimeve në paketën fiskale, reduktimet në tarifa e taksa, lufta kundër evazionit, plus zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, gjykojmë se janë politika korrekte në lidhje me parashikimin e të ardhurave për vitin 2012. Struktura e të ardhurave për vitin 2012, krahasuar me realitetin e tri viteve të mëparshme, reflekton përgjegjësi të institucionit të Bashkisë për të realizuar detyrimet e veta. Shpenzimet gjykoj se janë realizuar në drejtimin e duhur. Struktura e tyre evidenton faktin që Bashkia e Tiranës, duke pasur si prioritet shërbimet publike vendore në masën 32%, menaxhimin e rrugëve 16%, plus arsimin 16%, ka në qendër, pa diskutim, qytetarin. Dukuri tjetër pozitive është konsultimi me strukturat përkatëse vendore, jo vetëm ato institucionale, por, mbi të gjitha, me qytetarët. Aktualisht të gjitha këto elemente i ofrojnë qytetit të Tiranës alternativën më të mirë për përdorimin e të ardhurave.
Në një kohë kur flasim për një krizë globale 70 milionë dollarë shpenzime për një vit janë të mjaftueshme apo janë shumë për një kryeqytet si Tirana?
Së pari, sikurse duhet të jetë e qartë për këdo, jetojmë në një sistem që e quajmë nga pikëpamja ekonomike ekonomi tregu, por në thelb është ekonomi miks, ku veprojnë së bashku tregu dhe shteti me funksione, hapësirë e detyra të ndara. Gjetja dhe harmonizimi raporteve nëpërmjet këtyre dy aktorëve, pra tregut dhe shtetit, është ndër problemet e teorisë dhe politikës ekonomike, pasi në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme këto raporte janë të ndryshme. Prishja e ekuilibrave mes tyre ka qenë shkaku i krizave të thella në ekonominë botërore. Kriza e viteve ‘30 kishte si shkak pikërisht prishjen e këtij raporti. Pas kësaj situate, që u krijua mendimi teorik ekonomik, konfirmoi se falimentimin e tregut e stabilizon ndërhyrja e shtetit. Mbi bazën e këtij mendimi u aplikua politika kejnsiane e formuluar nga ekonomisti anglez Kejns, sipas të cilit duhej harmonizuar roli dominues i tregut me rolin rregullator të shtetit. Sot ekonomia botërore ndodhet në situatë krize financiare dhe të borxheve. Një nga shkaqet që ka gjeneruar këtë dukuri është pikërisht prishja e raportit shtet-treg. Ndërsa në vitet ’30, deficiti ishte në minimizimin drejt eliminimit të rolit të shtetit, aktualisht po ndodh e kundërta. Në vendet ku kriza është më e thellë, roli i shtetit është zmadhuar, aq sa ka prishur ekuilibrat në raport me tregun. Shpenzimet buxhetore në këto vende janë mbi 45% të GDP. Shqipëria, në raport me këto vende, i ka të ruajtura këto raporte, pasi shpenzimet buxhetore zënë rreth 25% të GDP-së. E prezantova këtë fenomen vetëm për të vënë në dukje se rolin kryesor, komandën e zhvillimit, e ka tregu dhe kam mendimin që një nga shkaqet që valët e krizës ekonomike financiare botërore nuk janë shfaqur fuqishëm në Shqipëri, konsiston edhe në këtë realitet.
Çfarë lidhje ka kjo analizë ekonomike me buxhetin e Tiranës?
Sikurse u prezantua, 70 milionë dollarë janë të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për 2012-n. Nuk janë pak, por nëse do ta krahasojmë me realitetin ekonomik të Tiranës, ku realizohet rreth 4% e GDP-së, ose minimalisht rreth 5 miliardë lekë. Pra, në Tiranë, në kontekstin e fuqisë zhvilluese, transformator është tregu dhe, për fat të mirë, është punuar këto 20 vitet e fundit që sipërmarrësi shqiptar të ketë aftësinë e tij të orientimit, ballafaqimit dhe përballjen me kërkesat e tregut. Në këtë aspekt, minimalisht qeverisja qendrore duhet të mbështesë sipërmarrësit. Në këtë shtrat, mendoj se është ngritur dhe strukturuar edhe buxheti i Bashkisë së Tiranës dhe këtu kemi të bëjmë me një vizion të ri që përshtatet pikërisht me filozofinë që përmenda.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura