Kujdes me ndërkombëtarët!

Feb 26, 2011 | 13:28
SHPËRNDAJE

BLENDI KAJSIU

Sa më shumë thellohet ngërçi politik shqiptar, aq më të ‘shenjta’ bëhen deklaratat e faktorit ndërkombëtar. Deklaratat e zyrtarëve perëndimorë tashmë konspektohen fjalë për fjalë me një vëmendje që dikur ua kushtonim vetëm librave të shokut Enver. Edhe kritika që u bëhet qëndrimeve të tyre shpesh anti-demokratike mbart brenda saj një farë habie dhe zhgënjimi të tipit “si ka mundësi të flasin kështu ndërkombëtarët?” Roli i ndërkombëtarëve (d.m.th. Perëndimit) si arbitër suprem në konfliktet tona të brendshme, legjitimohet si pasojë e statusit të tij në skenën tonë politike. Ndërkombëtarët shikohen si aktor ‘mbi palët’ apo ‘i paanshëm’. E thënë ndryshe, ata gjykohen si një arbitër i ndershëm dhe i moralshëm, që nuk ka nevojë apo interes të mbajë anën e asnjërës palë politike, përveçse anën e demokracisë.
Problemi është se ky gjykim është tërësisht i pavërtetë.  Faktori ndërkombëtar, qoftë ai amerikan, qoftë ai europian, kanë interesa shumë më të mëdha në Shqipëri sesa vetë shqiptarët. Mjafton të kujtojmë se sektorët më strategjikë dhe fitimprurës të ekonomisë sonë, si sistemi bankar apo ai i telefonisë, ndodhen në duart e ndërkombëtarëve. Tenderat më të mëdhenj të qeverisë shqiptare, siç është rruga Durrës – Kukës apo Tiranë – Elbasan, fitohen nga firma të huaja. Së fundi, edhe borxhet prej qindra milionë eurosh që Shqipëria ka në tregjet financiare ndërkombëtare janë borxhe që ua ka bankave të huaja.
Për të gjitha këto arsye, ndërkombëtarët janë më të interesuar në zhvillimet shqiptare sesa qytetarët e thjeshtë shqiptarë, që shpesh nuk gjejnë as një vend pune në Shqipëri.  Interesi i faktorit ndërkombëtar është simetrik me interesin e investitorëve apo bizneseve që ata përfaqësojnë. Ai përmblidhet tek koncepti i stabilitetit. Stabilitet do të thotë mbi të gjitha ruajtja e statuskuosë, ku prioritet ka ruajtja e sistemit aktual ekonomik, pavarësisht cilësisë së dobët të demokracisë që ky sistem prodhon. Në këtë kuadër, demokracia është në funksion të sistemit ekonomik dhe jo anasjelltas. Demokracia bëhet e rëndësishme vetëm atëherë kur pakënaqësia politike bëhet aq e madhe, saqë rrezikon prishjen e rendit aktual të gjërave.
Në këtë pikë, dikush me të drejtë mund të më kundërshtojë se problemi nuk është te ndërkombëtarët, por para së gjithash tek vetë politikanët tanë. Në fund të fundit është paaftësia dhe korrupsioni i tyre që e bën të domosdoshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Për pasojë, legjitimiteti i ndërkombëtarëve nuk vjen ngaqë ne mendojmë se janë ‘pa interesa’ (sikurse po përpiqem të argumentoj unë), por ngaqë politikanët tanë janë kaq të korruptuar, saqë nuk kanë pikën e besueshmërisë.
Që një pjesë e madhe e politikanëve tanë janë të korruptuar (ndonëse jo të gjithë), kjo nuk diskutohet. Ama që në të gjitha skandalet më të mëdha korruptive që kanë ndodhur në Shqipëri janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, edhe kjo nuk ha shumë debat. Ndaj ideja se shqiptarët janë të korruptuar, ndërsa perëndimorët janë të ndershëm, që promovohet me sondazhe dhe studime nga vetë këta të fundit, në fakt është iluzion. Për të kuptuar këtë mjafton t’u hedhim një sy skandaleve më të mëdha korruptive të viteve të fundit.
Si fillim, Gërdeci, skandali më shpërthyes korruptiv shqiptar, nuk ishte thjesht punë shqiptarësh, pavarësisht se ne kritikojmë pafund pushtetin aktual, pasi atë votuam në vitin 2005. Gërdeci ishte një aferë korruptive që filloi në Pentagon dhe mbaroi në Shqipëri. Ishte një aferë korruptive, ku mbi të gjitha ishte përfshirë një firmë amerikane. Ishte një aferë ku një tender prej qindra miliona dollarësh ish fituar nga një amerikan pothuajse adoleshent, krejt i dyshimtë. Pa folur për afërsinë politike dhe njerëzore të zyrtarëve shqiptarë protagonistë të Gërdecit me ish-ambasadorin amerikan, Withers.
Skandali tjetër madhor korruptiv, ai i rrugës Durrës-Kukës, që tashmë ka shkuar më shumë se 1 miliard euro, ka si protagonist një firmë amerikane, firmën Bektel. Është e njëjta firmë që po ndërton rrugën edhe në Kosovë, duke filluar nga një kontratë prej 700 milionë eurosh. Natyrisht në debatin tonë lokal ne jemi marrë me zyrtarët shqiptarë, por përfituesit kryesorë të kontratës së ‘rrugës së kombit’ nuk ishin zyrtarët shqiptarë, por kontraktorët e huaj.
Me pak fjalë, është e vështirë të gjesh një skandal madhor korruptin, qoftë ky privatizimi i ARMO-s, privatizimi i Albtelekomit, privatizimi i AMC-së, privatizimi i OSSH-së, TEC-et, apo lejimi i importit të plehrave, ku nuk është i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar. Për sa kohë sektorët kyçë të ekonomisë sonë kontrollohen nga ndërkombëtarët, është e pamundur që këta mos të jenë të përfshirë në korrupsion në një vend që gëlon nga korrupsioni. Duke u marrë me korrupsionin e Priftit apo Metës, ne harrojmë mega-korrupsione që ndodhin sot para syve tanë, p.sh. me çmimin e tarifave të telefonisë celulare apo të interesave të kredive bankare, ku përfituesit kryesorë nuk janë zyrtarët shqiptarë.
Prandaj ky veçim i politikanëve shqiptarë si tërësisht të korruptuar përballë një faktori ndërkombëtar që del ‘tërësisht i ndershëm’ është një iluzion që mbahet në këmbë kryesisht nga vetë faktori ndërkombëtar dhe nga urrejtja e madhe që ne kemi për njëri-tjetrin. Dikush urren Berishën, dikush Ramën dhe dikush tjetër të dy bashkë. Në këtë lojë, ndërkombëtarët, në vend që të shikohen me sy kritik, përdoren si instrument për të goditur njërën, tjetrën, apo të dyja palët. Edhe pse dëmin e vuan Shqipëria dhe shqiptarët që përdoren si plaçkë për mbajtjen e pushtetit.
Pra, nuk po them se politikanët tanë janë burra të mirë dhe nuk duhen kritikuar. Problemi është se korruptimi i klasës sonë politike duhet parë si produkt i një sistemi politiko-ekonomik neokolonial që bazohet tek privatizimi i vazhdueshëm i çdo pasurie madhore kombëtare shqiptare kryesisht në funksion të kapitalit të huaj. Një sistem që bazohet tek vendosja e ekonomisë shqiptare nën varësinë e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe tek vendosja e tregut e forcës punëtore shqiptare në funksion të nevojave të ekonomive europiane, më tepër sesa në funksion të nevojave tona të brendshme.
Politikanët tanë janë fajtorë se e kanë pranuar dhe po e zbatojnë këtë sistem brenda të cilit mendojnë vetëm për pasurimin e vetes dhe të klientelës që përfaqësojnë. Ama faktori ndërkombëtar, i përfaqësuar nga ambasadorët europianë apo amerikanë, është konceptuesi i këtij sistemi politiko-ekonomik si dhe përfituesi kryesor prej tij. Ndaj më shumë sesa si shenjtorë, ndërkombëtarët duhet t’i shikojmë si aktorë me interesa të qarta dhe të ngushta në skenën tonë politike. Ideja dominuese se ata edhe ia dinë, edhe ia duan të mirën Shqipërisë, është në fakt vetë thelbi i dështimit të demokracisë sonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura