Kryepeshkopi serb Ireneu në Tiranë për Kishën e re

May 31, 2014 | 6:47
SHPËRNDAJE

Patriarku i Kishës Ortodokse të Serbisë Irineu
Ftesa nga Janullatos për kreun e Kishës Ortodokse të Serbisë.

Patriarku i Kishës Ortodokse të Serbisë Irineu do të vizitojë Tiranën i ftuar nga kryepeshkopi Anastas, për të marrë pjesë në përurimin e Kishës së re katedrale “Ngjallja e Krishtit”.
Është hera e parë që në Shqipëri vjen kryepeshkopi i Serbisë, i cili njihet për qëndrimet e tij raciste ndaj shqiptarëve të Kosovës. Irineu ka deklaruar se “Kosova është për Serbinë ashtu siç është Jerusalemi për hebrenjtë, dhe pa Kosovën, Serbia është si një trup pa kokë dhe pa zemër”.
Ceremonia
Kisha Ortodokse, përmes një njoftimi bën me dije se në këtë ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse botërore. “Ditën e diel, më 1 qershor 2014, do të kryhet në Tiranë përurimi i Kishës së re katedrale “Ngjallja e Krishtit”, nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të Tyre, patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; të Serbisë, Irineut; të Rumanisë, Danielit; të kryepeshkopit të Qipros, Krisostomit; të Athinës, Jeronimit; të Varshavës, Savës, si dhe të kryepeshkopit të Tiranës, Anastasit. Do të bashkëmeshojnë edhe Hirësitë e Tyre mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve, të Aleksandrisë, të Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë dhe të Gjeorgjisë”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse shqiptare. Sipas të njëjtit njoftim, “pasditen e së dielës do të vijojë një koncert festiv rinor ku do të marrin pjesë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, njëkohësisht dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të cilët një ditë më vonë do të presin zyrtarisht primatët ortodoksë”. Kisha e re katedrale “Ngjallja e Krishtit” u ndërtua me nismën, kujdesin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, për rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Guri i themelit u vu nga Kryepiskopi Anastas në korrik 2004 dhe punimet përfunduan në maj 2012 dhe më 24 qershor 2012 ky kompleks hapi dyert për besimtarët. Më 1 qershor 2014, të Dielën e Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, Katedralja përurohet me Shërbesën e Shenjtërimit nga Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij, Vartholomeu I, Fortlumturia e Tij, Anastasi, në bashkëcelebrim me primatë e përfaqësues të lartë të Patriarkanave dhe Kishave Orthodhokse Autoqefale.

Në ceremoninë e shenjtërimit
n    Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I
n    Patriarku i Jerusalemit, Theofili
n    Patriarku i Serbisë, Irineu
n    Patriarku i Rumanisë, Danieli
n    Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomi
n    Kryepeshkopi i Athinës, Jeronimi
n    Kryepeshkopi i Varshavës, Sava
n    Kryepeshkopi i Tiranës, Anastasi

Reagimi i Aleancës Kuqezi
Aleanca Kuqezi reagon për vizitën e kryepeshkopit serb në Tiranë duke i kërkuar atij të anulojë vizitën dhe Kryeministrit Edi Rama të tërheqë ftesën për të. “Irineu tha ‘Kosova, zemra e Serbisë’”- kështu thuhet në reagimin e Aleancës Kuqezi. Sipas AK-së, vizita e kryepeshkopit serb është një provokim kombëtar. “Kryepeshkopi serb, kundër historisë së Shqipërisë. Mirëseardhje klerikëve të tjerë, por jo kryepeshkopit serb”- citohet në reagimin e AK-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura