Kryekomunari: Poligoni ku vdiq i riu, kundër ligjit

Mar 31, 2014 | 12:38
SHPËRNDAJE

Komuna Qendër në Librazhd
“Poligoni ku humbi jetën 27-vjeçari ka qenë rrezik për banorët. Kundërshtuam me forcë që ai të hapej për t’u demontuar municionet, por nuk u mor parasysh reagimi”. Kështu shprehet kreu i Komunës Qendër, Enver Shkurti, një ditë pas ngjarjes së ndodhur në malin e Zgarës, ku ndërroi jetë nga shpërthimi i një granate banori i fshatit Togëz, Arben Dosku, ndërsa u plagosën dy familjarë të tij. Ndërsa ngushëllon familjarët e viktimës Dosku, kryekomunari Shkurti është ndalur te historiku i ish-poligonit. “Ky poligon ka qenë gjithnjë një rrezik i madh për banorët e fshatit Togëz, si edhe fshatrave në kufi me të. Ai është hapur në vitin 2011 dhe banorët, të mbështetur nga vetë komuna, kanë protestuar për hapjen e tij, por asnjëherë nuk u mor parasysh zëri i banorëve”, thotë Shkurti. Madje, ai thekson faktin se prej vitit 1959 kjo godinë ka qenë Rezervat Gjuetia, pra zonë e mbrojtur me ligj. E tillë ka vazhduar të jetë deri në vitin 2011, kur dhe u vendos që të demontoheshin armë. “Si pasojë e demontimit dhe shpërthimit të fuqishëm të armëve ka pasur edhe shumë dëme në banesat e fshatarëve në fshatrat Togëz dhe Kuturman, pasi ndodhej shumë pranë me objektin në vijë ajrore. Banorët gjithnjë denonconin dëmet e shkaktuara, për të mos lënë pa përmendur edhe zhurmën e fortë të shpërthimeve. Menduan se ranë rehat në momentin që një vit më parë ky poligon u vendos të mbyllej dhe aty nuk po demontoheshin më armë”, tregon kryekomunari. Sipas tij, ndonëse ka qenë në kundërshtim me ligjin, edhe pas protestave të banorëve të zonës, ky poligon vazhdoi aktivitetin e tij për rreth tre vjet, dhe më pas u mbyll. Që nga ajo kohë, në këtë objekt nuk u vendos asnjë tabelë, ku të sinjalizohej se zona është në rrezik dhe të ndalohet kalimi përreth këtij objekti. Por vitet e fundit shumë banorë të fshatrave Togëz, Kuturman etj., nisën të shkonin aty dhe të gërmonin për të mbledhur hekur për skrap, derisa godina shënoi edhe viktimën e parë, 27-vjeçarin Arben Dosku. Gjithsesi, Policia e Librazhdit po vazhdon hetimet për të zbardhur detajet e aksidentit. Pasi janë qetësuar disi nga gjendja psikologjike e vëllait dhe xhaxhait të viktimës, Policia i ka marrë në pyetje, ku edhe ka zbardhur se vdekja e 27-vjeçarit është shkaktuar aksidentalisht si pasojë e shpërthimit të një granate nga pakujdesia e të riut.

LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura