Kriza në Ukrainë, aktivistët prorusë marrin edhe Luhanskin

Apr 30, 2014 | 14:17
SHPËRNDAJE

Tensioni në Lindje të Ukrainës vazhdon të rritet me aktivitetin e prorusëve që nuk ka të ndalur, në zaptimin e ndërtesave të administratës lokale lindore ukrainase. Të martën aktivistët rusë kanë thyer dyert e ndërtesave zyrtare në qytetin lindor ukrainas, Luhansk. Ata morën zyrat qendrore të qeverisjes lokale dhe zyrën e prokurorisë. Më pas sulmuan me armë stacionin e policisë. Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turçinov, ka kritikuar policinë lokale për “mosveprim” dhe “tradhti kriminale”. Më parë Rusia ka kritikuar sanksionet e imponuara nga SHBA dhe BE mbi veprimet e Moskës. Zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, tha se SHBA “ka ulur një perde të hekurt” duke shënjestruar Rusinë. Riabkov ka shtuar se Rusia nuk kishte asnjë qëllim për të pushtuar Ukrainën Lindore, me gjithë mijëra trupat që ka në kufi të saj. Dhjetë qytete e fshatra ukrainase janë në duart e separatistëve prorusë, të cilët sapo marrin në dorë ndërtesat qeveritare lokale, vetëshpallin parlamentin e tyre dhe kërkojnë mbajtjen e një referendumi për shkëputje nga Ukraina.  Perëndimi dhe Kievi zyrtar kanë akuzuar Rusinë si organizatore dhe nxitëse të kësaj lëvizjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura