Kriza ekonomike, përhapet tregu i zi i shitjes së organeve

Jun 29, 2012 | 17:43
SHPËRNDAJE
Pavle Mircov

Tregu i zi i shitjes së organeve të trupit po përhapet me shpejtësi në mesin e të varfërve në Europë. New York Times sjell një shkrim të gjatë të gazetarit, DAN BILEFSKY lidhur me çështjen.

Pavle Mircov me partneren Daniella, nga Kovin rreth 25 kilometra nga Beogradi, me nervozizëm shohin çdo 15 minuta e-mailin e tyre. Të dëshpëruar prej gjendjes ekonomike, ata kanë nxjerrë në shitje një veshkë të tyre për shumën e 40.000 dollarëve amerikanë.
Çifti, prindër të dy adoleshentëve kanë vënë organet e tyre në shitje online, vetëm 6 muaj pasi Mircov humbi punën e tij në një fabrikë mishi në Beograd.

Deri tani ai nuk ka qenë në gjendje të gjejë një punë të re. Kur babai i tij vdiq së fundi, Mircov nuk ka mundur të përballojë as blerjen e një guri varri. Shërbimi telefonik i është prerë. Një vakt në ditë bukë dhe sallam është e tepërt për familjen e tij, thuhet në shkrim.

“Kur ke nevojë për bukë, të veshë në shitje një veshkë nuk duket një sakrificë shumë e madhe”- thotë Mircov për NYT.

Njoftimi i Mircov për shitjen e veshkës së tij është formuluar në këtë mënyrë: “Dua të shes veshkën. Grupi i gjakut A.  Gjendja ime financiare është shumë e vështirë. Kam humbur punën time, dhe kam nevojë për para për shkollën e dy fëmijëve të mi. ”
Duke u përballur me varfërinë e rëndë disa evropianët po kërkojnë të shesin veshkat e tyre, mushkëritë, palcën e kockave etj, thonë ekspertët.

Ky fenomen është relativisht i re në Serbi, një komb që ka qenë i dërrmuar nga lufta dhe është përballur me krizën financiare që ka përfshirë kontinentin.

Përhapja e shitjes ilegale të organeve në Europë, ku duket se po merr vrull, ka gjetur përkrahje në internet, ku në disa raste trafikantët e paskrupullt janë të  gatshëm të shfrytëzojnë mjerimin ekonomik.

Në fund të majit, policia izraelite arrestoi 10 anëtarë të një rrjeti të krimit ndërkombëtar të dyshuar për trafikimin e organeve në Evropë.  Zyrtarët thanë se të dyshuarit kishin në shënjestër njerëz të varfër në Moldavi, Kazakistan, Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi.

Trafiku i organeve është një industri në rritje” – thotë për NYT, Jonathat Ratel një prokuror i Bashkimit Evropian, i cili është duke udhëhequr një rast kundër shtatë personave, të akuzuar për mashtrimin e të varfërve nga Turqia dhe Kosova për të shitur veshkat e tyre me premtime të rreme të pagesave deri në 20.000 dollarë.

Vendet kryesore të furnizimit kanë qenë tradicionalisht Kina, India, Brazili dhe Filipinet, por ekspertët mendojnë se europianët janë gjithnjë e më të pambrojtur.

Rreth 15.000 deri në 20.000 veshka janë shitur ilegalisht në nivel global çdo vit, sipas Organs Watch, një grupim i të drejtave të njeriut në Berkeley, Kaliforni. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vetëm 10 për qind e nevojave globale për transplantim organesh janë duke u përmbushur.

Tregtia e organeve në Serbi është një vepër e jashtëligjshme dhe dënohet deri në 10 vite burg. Por kjo nuk i ka frenuar banorët e Doljevac, një komunë e varfër me 19.000 banorë në Serbinë Jugore, ku qeveria ka refuzuar një përpjekje të banorëve për të regjistruar një agjenci lokale për të shitur organet dhe gjakun jashtë vendit për  fitime.

Një banore e zonës, tha se shkalla e papunësisë në Doljevac është në masën 50 për qind, dhe më shumë se 3000 banorë kishin kërkuar të jepnin organet e tyre. Të privuar nga shteti, tha ajo, banorët janë duke u përpjekur të shesin pjesët e tyre të trupit në Bullgarinë dhe Kosovën  fqinje.

“Unë do të shes veshkën time, mëlçinë time, ose do të bëja diçka të nevojshme për të mbijetuar,” tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura