Krimi i trefishtë në Korçë, familjarët: U vranë për paratë

Jul 31, 2014 | 12:09
SHPËRNDAJE

Viktima Albina Fiqi
DURRES – Familjarët e Albina Fiqit (Hodo), 40-vjeçares së vrarë nga bashkëshorti bashkë me fëmijën 5-muajsh në Korçë 1 javë më parë, pretendojnë se dikush i ka vrarë ata. Ata thonë që në banesën e çiftit janë grabitur 150 mijë lekë të tërhequra po atë ditë nga banka dhe se nuk kanë dëgjuar kurrë më parë që të kishin probleme për atësinë e fëmijës. Vëllai i viktimës, Artur Hodo, deklaroi se krimi nuk ka të bëjë me dyshimet për atësinë e foshnjës, duke kërkuar nga policia të zbulojë autorin e vërtetë. “Motra ime dhe bashkëshorti i saj nuk kishin konflikte për foshnjën. I konsiderojmë shpifje dhe gënjeshtra fjalët që dolën se shkak për ngjarjen është bërë dyshimi që dhëndri ynë kishte mbi atësinë e foshnjës. Ai e dinte shumë mirë që fëmija ishte i tij. Policia ka marrë versionin e atyre që e kanë përshkruar ngjarjen si u ka interesuar”, u shpreh Hodo. Sipas tij, i vetmi konflikt ishte për shtëpinë. “Ata debatonin për shitjen e shtëpisë. Sherrin e nxiste vajza e madhe, të cilën e kishte me gruan e parë. Paraditen e 24 korrikut kur ndodhi krimi, motra kishte tërhequr nga banka rreth 1 milion e gjysmë lekë, të cilat do t’i përdornin për të shtruar pllakat e shtëpisë dhe për të blerë një lavatriçe. I lutemi policisë të punojë me kujdes dhe ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen, sepse deri më tani ka hetuar në drejtim të gabuar. Shtëpia ishte kthyer përmbys, pasi kanë kërkuar ku fshiheshin paratë që kishin tërhequr nga banka paradite. Po të kishte ndodhur krimi për shkak të dyshimeve për atësinë e fëmijës, pse duhet të ishte kthyer shtëpia përmbys?!” Policia e Korçës ka reaguar pas kësaj deklarate, duke thënë se ngjarja është e zbardhur plotësisht dhe se autor i krimit në familje është Edmond Fiqi, 50 vjeç.             l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura