Krenar Ahmeti: “Unë, kryepolici që do prezantoj spektaklin e Mis Botës”

Sep 30, 2012 | 13:53
SHPËRNDAJE

Ahmeti: Pse e pranova ftesën. Unë jam si Napoleoni, pëlqej gjithë femrat e botës.

Jemi mësuar ta shohim në aksione policie, por kësaj here ndryshon krejtësisht profil për t’u shfaqur si showman. Kryepolici i njohur, Krenar Ahmeti, për herë të parë do të zbulojë anën tjetër të medaljes, atë të xhentëlmenit që do të presë femrat më të bukura të botës në spektaklin “Miss Globe 2012”, që këtë vit organizohet në Vlorë më 10 nëntor. Krenari, aktualisht shefi i Njësisë së Kontrollit të Autostradave, zbulon të papriturat e show-t me miss-e nga bota, në këtë shfaqje të tij të parë televizive si moderator spektakli. Larg intervistave policore, ai kësaj here flet për gazetën “Panorama” për mise, gjuhët e huaja, dhe çfarë fshihet pas imazhit të mashkullit impulsiv në momente pune.
Një lajm surprizë ky që Krenar Ahmeti do të prezantojë një spektakël bukurie. Si e prite ofertën e Petri Bozos për të moderuar “Miss Globe 2012”?
Producenti dhe regjisori Petri Bozo më propozoi të jem prezantuesi i këtij edicioni të “Miss Globe”, dhe në fakt e vlerësova si përgjegjësi. Figurativisht do e konsideroja një ofertë që erdhi si rrufe në qiell në hapur për mua, dhe kjo është ndjesia që po përjetoj. Dua të shtoj që duke u nisur dhe nga profili i punës sime, diametralisht i kundërt me botën e televizionit, është përgjegjësi e madhe për mua, por edhe e veçantë.
Në këtë spektakël do të shfaqesh i vetëm, apo me partnere?
Me sa di, do kem në krah një partnere, për emrin e së cilës ende nuk është vendosur.
Kur do të fillojnë provat me vajzat, dhe sa i angazhuar do të jesh në ditët e përgatitjes?
Provat fillojnë pas mbërritjes së vajzave në Shqipëri më 26 tetor, dhe përgatitjet më vonë, për natën e spektaklit më 10 nëntor. Natyrisht që do bëj maksimumin.
Siç u shprehe vetë, duke u nisur dhe nga profili i punës, tingëllon pak i çuditshëm pranimi i një oferte të tillë. Ke provuar ndonjëherë më parë të eksperimentosh në botën e televizionit?
Unë në fakt vij nga një familje artistësh, ku do përmendja këtu Mimoza Ahmetin e Sadri Ahmetin, nip i të cilit jam. Natyrisht që mund të përshtatem lehtë në një aktivitet artistik, pasi jam rritur mes librave të shumtë, dhe po ashtu gjithë jetën më ka shoqëruar kurioziteti për të mësuar gjithçka rreth artit dhe kulturës. Kështu ndërsa vij nga një familje ku flitet për shkencën dhe kulturën, do mundohem ta justifikoj këtë përgjegjësi të madhe që më është ofruar, për të zbuluar këtë anë tjetër të personalitetit tim.
Duke të parë nga këndvështrimi i punës gjithë aksion në polici, sa serioz e shikon këtë pozicion në sytë e publikut?
Sigurisht që e shoh serioz… Pse ka më seriozitet se të paraqitësh bukurinë e botës nëpërmjet femrave, si mendoni ju?!
Po çfarë përgjigje do të mund t’u jepje skeptikëve për këtë vendim tëndin jashtë profesionit?
Në figurën e pozicionit të punë sime, do mundohem të jap maksimumin që edhe skeptikët të kuptojnë se nuk ka hendek mes policisë, komunitetit të artit dhe jetës së përditshme. Me pak fjalë, ky është mesazhi që unë preferoj të përçoj nëpërmjet kësaj sipërmarrjeje televizive, për t’u shfaqur për herë të parë në ekran si moderator i një spektakli ndërkombëtar bukurie.
Si do të shfaqesh në komunikim me miss-et e kulturave të ndryshme në skenë? Do të jesh i prerë apo s’do i kursesh komplimentet për to?   
Natyrisht që unë nuk kam ndër mend të ndryshoj. Pra do të jem vetvetja, në kuptimin që do të shfaq anën time më të mirë me vërtetësi. Por për të mos bërë një përshkrim paraprak për sjelljen time në skenë, unë preferoj ta lë dhe pak surprizë, që ta zbulojmë para publikut. Dhe ia lëmë atij gjykimin për suksesin tim në këtë skenë, ku në fund të fundit sfilojnë vajza të bukura.
Dimë që je zotërues i disa gjuhëve të huaja, është kjo një nga arsyet që Petri të zgjodhi ty?
Po është një nga faktorët që ai më zgjodhi mua, po kryesorja është gjuha shqipe dhe dëshira për të sjellë një profil prezantuesi ndryshe dhe që nuk parashikohej nga askush.
Vajzat konkurruese vijnë nga shumë vende të botës. Do mundesh dot t’u flasësh atyre në gjuhën e vendit nga vijnë?
Do përpiqem dhe shpresoj të jem mirë i kuptueshëm (qesh).
Do të shkëmbesh batuta me to, do të mundesh të dalësh nga skenari?
Sigurisht që këtu qëndron e bukura, por le të lëmë diçka për ta zbuluar natën e spektaklit.
Ndërkohë jemi mësuar të shohim me uniformën blu të Policisë. Cili do të jetë stili i veshjes me të cilin do të shfaqesh në skenë, shik apo i ndërthurur me sport?
Do të jetë shik, pra kostume klas.
Dhe meqë jemi te më të bukurat e botës që do të garojnë në Vlorë për kurorën e “Miss Globe”, personalisht femrat e cilit vend të pëlqejnë për bukurinë e tyre?
(Qesh). Femrat e cilit vend?! Në fakt, unë jam si Napoleoni, pëlqej gjithë femrat e botës…
Dhe në fund një pyetje për paratë, sa e ka çmimin kjo ofertë, pra sa do paguhesh?
Sa një buzëqeshje e sinqertë (qesh). Të them të drejtën, nuk më pëlqejnë fare këto pyetje për paratë, ndaj  përgjigjja nënkuptohet. Pra, unë nuk e pranova ofertën për para, por më shumë për të dhënë një mesazh ndryshe në publik.

“Miss Globe”, për herë të parë misset do të “pushtojnë” Vlorën  
“Miss Globe 2012” këtë vit numëron edicionin e shtatë të tij në Shqipëri në sajë të “Deliart Association”. Sipas organizatorit shqiptar të këtij eventi, produdentit Petri Bozo, deri tani kanë dhënë konfirmimin e pjesëmarrjeses 34 vajza nga vende të ndryshme, numër që pritet të shkojë në 58, më i madh se çdo vit tjetër. Kjo pjesëmarrje e lartë varet edhe nga marrëveshja që pritet të lidhë Ministria e Kulturës me Ministrinë e Jashtme dhe Policinë kufitare për të mundësuar marrjen e vizave në kufi për vajzat që vijnë nga vende ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike. Vlora do të jetë destinacioni final i “Miss Globe 2012”, ku mbrëmjen e 10 nëntorit në Pallatin e Sportit të këtij qyteti do të mbahet spektakli i madh, në të cilin Shqipëria do të përfaqësohet nga Kleoniki Delijorgji, fituese e edicioni të këtij viti të “Miss Shqipëria”. Në të njëjtën kohë, bukuroshe të tjera të këtij spektakli kanë nisur udhëtimet përfaqësuese në konkurse ndërkombëtare nëpër botë. Elidiona Rusi përfaqësoi Shqipërinë këto ditë në “Miss Supranational” në Poloni, ndërsa Arselajda Buraku Kosovën. Meqë nga Kosova është e vështirë marrja e vizave dhe në mënyrë që flamuri kosovar të mos mungojë në këtë event, është përzgjedhur 23- vjeçarja nga Mirdita. Dy të tjera, Izmena Lici dhe Senada Lluka, do të na përfaqësojnë në “Miss Motors” që organizohet në Itali.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura