KQZ blen të reja gjysmën e kutive

Feb 26, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE

Pas përfundimit të procesit të pastrimit të votimit, u vu re se 2 mijë kuti të materialeve zgjedhore ishin të dëmtuara e të papërdorshme dhe u kërkua të blihen të reja. Por KQZ-ja vendosi dje të blejë të gjitha kutitë e materialeve zgjedhore të reja, për t’i përdorur edhe në zgjedhjet e tjera. Propozimi për këtë vendim, me një kosto prej 180 milionë lekësh, erdhi nga përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. “Unë i mbetem një propozimi që dje në fund të mbledhjes bëra këtu dhe mendoj se po qe se do merremi vetëm me ato dy mijë që të jenë shtesë, mbi 4500 do na hapet përsëri në zgjedhjet e tjera. Më mirë të merret tani e gjithë, e njëjtë, e re dhe do vlejë për këto zgjedhje dhe për të tjerat”, tha Kosovrasti.
Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, duke vijuar bojkotin e tyre. Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, u shpreh se duhen të blihen të gjitha kutitë e reja për materialet zgjedhore, për të rritur transparencën. “Jemi në disa kushte të vështira për vendimmarrje, për arsye se nuk kemi kolegët përballë. Nuk kemi përfaqësuesit e subjekteve të majta, ose subjektit të majtë PS, sepse, po të ishin kolegët tonë përballë dhe po të kishim dhe përfaqësuesin e PS-së që të krijohet besimi që aktualisht mund të përdoren këto kuti votimi. Janë 4500 kuti të materialeve zgjedhore, që mund të përdoren dhe nuk do t’ua bëjmë barrë taksapaguesve shqiptarë që të blejnë të reja, por meqë nuk i kemi ata, jam i mendimit të kemi sa më shumë transparencë dhe të përdorim një standard në të gjithë territorin e vendit dhe unë jam dakord që t’i blejmë të reja. Por e përsëris meqë nuk i kemi kolegët këtu dhe përfaqësuesin e PS-së. Mendoj se nuk do ishte e nevojshme, nëse ishin ata dhe krijohej besimi, mund të blinim 1500 apo 2000”, tha Osmanaj.
Në një vit e gjysmë, opozita kërkoi hapjen e kutive të votimit për të rilexuar votën, por KQZ-ja vendosi djegien e fletëve të votimit sipas një neni në Kodin Zgjedhor. Sipas vendimit të djeshëm, të gjitha kutitë e votimit që u përdoren në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 do të përdoren edhe në zgjedhjet lokale të 8 majit. Kutitë e reja që do të blihen do të përdoren vetëm për bazën materiale. Në fund të mbledhjes, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, shpjegoi të dhënat teknike të kutive të reja që do të blihen. “Kutia e materialeve zgjedhore që do të përdoret për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08.05.2011 duhet të ketë këto specifikime: transparente, plastike, e sigurt, e papalosshme, e ripërdorshme. Kutia të mbyllet vetëm me 4 kode metalike anësore dhe kapaciteti i kutisë të jetë afërsisht 70 L. Këto specifikime janë të njëjta dhe sipas standardeve të legjislacionit në fuqi. Sasia e kutive të materialeve zgjedhore që do të sigurohen për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 08.05..2011 është 6000 copë. Nga këto, 10 për qind rezervë”, deklaroi Ristani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura